Analistët për çështje politike në Kosovë thonë se institucionet kosovare dhe ato ndërkombëtare duhet të gjejnë forma për krijimin e mundësisë që serbët e veriut të Kosovës të dalin në zgjedhjet parlamentare të 12 dhjetorit. Analisti Ramush Tahiri thotë se është e vështirë, por nuk është e pamundur që në veri të Kosovës të krijohen vendvotimet e përhershme. Ndërkaq, analisti Driton Lajçi thotë se KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës kanë kapacitete të mjaftueshme që t’i sigurojnë edhe fizikisht vendvotimet dhe votuesit në veri të vendit.
Organizimi i zgjedhjeve parlamentare të 12 dhjetorit në veri të Kosovës, është mjaft i vështirë, por nuk është i pamundur, vlerësojnë analistët të çështjeve politike në Kosovë.
Ata thonë se janë mjaft faktorë që e vështirësojnë organizimin e këtyre zgjedhjeve në veri të vendit, por institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare në Kosovë, duhet të gjejnë mënyrën që serbëve lokalë t’u krijojnë mundësinë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre.
Analisti Ramush Tahiri thotë se organizimi i zgjedhjeve në veri të Kosovës është i mundshëm teorikisht, por në praktikë, kjo nuk mund të bëhet pa miratimin e strukturave lokale të serbëve që jetojnë në veri dhe pa bashkëbisedimin me serbët e autoritetshëm, të cilët do të dilnin në zgjedhje.
“Në pjesën veriore të Kosovës, ne i kemi dy telashe. E para, që serbët janë deklaruar se nuk do të dalin në zgjedhje. E dyta, nuk i lënë vendvotimet dhe aty pastaj i kemi vendvotimet mobile, gjë që do të ishte problem për të votuar njerëzit”.
Nuk është e pamundur, bashkësia ndërkombëtare duhet të ndihmojë bashkë me misionin EULEX që është atje, por është e vështirë.
“Institucionet tona atje duhet të kenë jo vendvotime mobile, por vendvotime të përhershme. Do të thotë, t’i kenë objektet ku mund të organizohen vendvotimet. Nuk është e pamundur, bashkësia ndërkombëtare duhet të ndihmojë bashkë me misionin EULEX që është atje, por është e vështirë”, thotë Tahiri.
Analisti Driton Lajçi vlerëson se gjasat janë reale që të organizohen zgjedhjet parlamentare të Kosovës edhe në veriun e vendit dhe t’u krijohet mundësia e votimit zgjedhësve serbë.
“Ka gjasë reale që, nëse asgjë tjetër, atëherë, së paku të ketë vendvotime mobile, në mënyrë që Kosova t’ua shtrijë dorën qytetarëve në veriun e saj, në veriun e Mitrovicës, në mënyrë që atyre t’u krijohet dhe t’u sigurohet e drejta që të shprehin lirisht vullnetin e tyre”.
“KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës kanë kapacitete të mjaftueshme që t’i sigurojnë edhe fizikisht vendet e votimit dhe t’i sigurojnë fizikisht edhe qytetarët serbë në veriun e Mitrovicës, në mënyrë që ata ta japin votën e lirë për përfaqësuesit e tyre”, vlerëson Lajçi.
Në anën tjetër, të dy këta analistë thonë se sinjalet nga Beogradi zyrtar, lidhur me mundësinë e pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës në zgjedhjet parlamentare të 12 dhjetorit, janë të turbullta dhe kundërthënëse.
Ndërkohë, sipas tyre, ka pasur edhe deklarata të disa politikanëve serbë të veriut të Kosovës se serbët nuk guxojnë dhe nuk duhet të dalin në këto zgjedhje.
Të gjitha këto, vlerësojnë analistët, krijojnë huti dhe pasiguri te votuesit potencialë serbë të veriut të Kosovës. Analisti Tahiri thotë se frika e qytetarëve serbë që të dalin në votime, është e kuptueshme.
“Është e kuptueshme se ajo (frika) ekziston, sepse strukturat që u themi paralele, por që janë jashtëligjore, janë të lidhura drejtpërdrejt me strukturat e Serbisë si shtet, në territorin e Kosovës. Njerëzit atje janë të lidhur me pensionet dhe me ndihmat tjera që i marrin prej Serbisë dhe presioni i tillë ekziston”.
“Përveç kësaj, është presion edhe fakti që dëshmia publike karshi institucioneve të Kosovës, nuk mund t’u sigurojë edhe mbrojtje të institucioneve të Kosovës, për momentin, atje”, thekson Tahiri.
Por, analisti Lajçi thekson se mundësia eventuale e daljes së serbëve të veriut në zgjedhjet parlamentare të Kosovës do të ishte reale, nëse Beogradi zyrtar do të ishte më i prerë në qëndrimin e tij lidhur me këtë çështje.
Realisht, mendoj se mund të organizohen zgjedhjet në veriun e Kosovës...
“Realisht, mendoj se mund të organizohen zgjedhjet në veriun e Kosovës, me kusht që të sqarohet qëndrimi i Beogradit zyrtar; me kusht që Beogradi zyrtar të mos luajë me standarde të dyfishta; që ai (Beogradi zyrtar) të mos deklarohet ndryshe për opinionin publik, sidomos për veshët e zyrtarëve ndërkombëtarë, e ndryshe të veprojë me strukturat paralele, të cilat janë në veriun e Mitrovicës”, shprehet Lajçi.
Ndryshe, deri më tash, qëndrimi zyrtar i Qeverisë së Beogradit është se nuk janë përmbushur kushtet për pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në zgjedhje.
Zyrtarë të lartë të Parlamentit serb kanë thënë se u mbetet vetë serbëve që të vendosin nëse duan të marrin pjesë në zgjedhje.
Ndërkaq, mbi 100 intelektualë, figura politike dhe publike të Serbisë, u kanë bërë thirrje publike serbëve të Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare që organizohen nga institucionet kosovare.