Tensione në veri?

Mitrovica

Njohësit e rrethanave politike në Kosovë, përfaqësues të organizatave për të drejtat e njeriut dhe vetë banorët e veriut të Mitrovicës, theksojnë rëndësinë për ndërmarrjen e hapave konkretë nga mekanizmat përgjegjës vendorë e ndërkombëtarë për të përjashtuar mundësinë e përshkallëzimit eventual të situatës atje. Pas paralajmërimeve të UNMIK-ut që flasin për potencial të tensionimit të situatës në veri, ata thonë se provokimet eventuale në veri të vendit nuk do t’i kontribuonin as Prishtinës, e as Beogradit.


Mungesa e një koordinimi të duhur ndërmjet mekanizmave ndërkombëtarë që veprojnë në Kosovë, ndikimi ende i madh i Beogradit mbi banorët lokalë dhe veprimi i grupeve radikale serbe në veri, sipas analistëve, përfaqësuesve të organizatave joqeveritare dhe atyre të banorëve shqiptarë të veriut të Mitrovicës, janë arsyet kryesore që po e zgjasin status quo-në në veri të vendit.

Ditë më parë, shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zanier, paralajmëroi "përkeqësim" të marrëdhënieve ndëretnike ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë, duke shprehur bindjen se incidentet e javëve të fundit në veri, i kanë nënvizuar tensionet dhe mundësinë për jostabilitet.

Analisti Arben Qirezi thekson se me vlerësime që flasin për përkeqësim të situatës në veri, misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë nuk mund ta arsyetojë rolin e vet në vend - rol ky, i cili vazhdon të kundërshtohet nga autoritetet kosovare.
Mendoj se shenjat e tensionimit të situatës në veri janë permanente...


UNMIK-u nuk mund ta arsyetojë rolin e tij, qëndrimin e tij në Kosovë me tensionime e situatës në veri të Kosovës. Mendoj se shenjat e tensionimit të situatës në veri janë permanente, do të thotë që nga viti 2000. Ato janë pasojë, pikë së pari, e mosveprimit të UNMIK-ut dhe e njëfarë konfuzioni në mesin e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian”, shprehet Qirezi.

Derisa Prishtina zyrtare vazhdon të kërkojë mbylljen e misionit të OKB-së në Kosovë, përfaqësues të UNMIK-ut theksuan domosdoshmërinë e veprimit të tij në veri të vendit, për shkak të, siç thuhet, raporteve ende të tensionuara ndërmjet serbëve e shqiptarëve të asaj pjese.

Mirëpo, përfaqësuesi i banorëve shqiptarë të “Lagjes së Boshnjakëve” në veri të Mitrovicës, Adem Mripa, thotë se që nga instalimi i tij në Kosovë, UNMIK-u i ka lejuar veprimin e grupeve radikale serbe në veri.

Mripa shpreh bindjen se mekanizmat ndërkombëtarë për sundimin e ligjit mund t'i zgjidhin problemet e shkaktuara nga këto grupe.
Bashkëjetesa besoj se është shumë afër, por fatkeqësisht ka ende grupe...


“Unë besoj se EULEX-i dhe KFOR-i mund ta marrin në dorë këtë situatë dhe vetëm me ndëshkimin e tyre (grupeve radikale serbe), jam i bindur se do të qetësohet situata”,
thotë Mripa dhe shton se mund të gjendet një zgjidhje që do të pamundësonte provokime të mëtejmë ndërmjet banorëve shqiptarë e serbë të veriut.

“Bashkëjetesa besoj se është shumë afër, por fatkeqësisht ka ende grupe... dje në Lagjen e Boshnjakëve i hodhën dy bomba në një familje serbe. Ata janë serbë, grupacione ekstreme. Sot në mëngjes në shtëpinë time kishin shkruar disa fjalë fyese ndaj meje, por jam mësuar me këtë në dhjetë vitet e fundit”
, thekson Mripa.

Përkeqësimi i situatës në veri nuk do t’i kontribuonte as Prishtinës, e as Beogradit, kur këto dy palë tashmë janë pajtuar të bisedojnë për probleme të ndryshme në mes vete, vlerëson drejtori ekzekutiv i Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, Behxhet Shala.
Situata do të shkojë kah normalizimi.


“Situata në veri nuk besoj se mund të përshkallëzohet, ngase nuk është interes as i qytetarëve të veriut, as i Serbisë, e lërë më i institucioneve të Kosovës. Situata do të shkojë kah normalizimi”,
vlerëson Shala.

Veriu pritet të jetë një ndër temat kryesore të diskutimit në bisedimet e ardhshme ndërmjet palës serbe dhe asaj kosovare. Megjithatë, këto bisedime thuhet se nuk do të nisin menjëherë me trajtimin e çështjeve që ndërlidhen me veriun, për shkak të ndjeshmërisë së tyre.