Ndërlidhjet

Byhler: Veriu kërkon zgjidhje politike


Erhard Byhler
Erhard Byhler
Problemi i veriut të Kosovës kërkon zgjidhje politike, tha sot komandanti i KFOR-it, Erhard Byhler. Ai tha se KFOR-i do të vihet në mbështetje të veprimeve të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it dhe se kjo forcë paqeruajtëse ka plane për veriun që të mos lejohet eskalimi i dhunës atje.

Këto komente, Byhler i bëri gjatë një konference për gazetarë, ku ai e prezantoi gjendjen në veri si një sfidë për sigurinë, por e cila po mbahet nën kontroll.

Gjenerali gjerman tha se me gjithë faktin që gjendja e atjeshme është e komplikuar, zgjidhjet duhet të kërkohen nga politika.

“Sa i përket situatës së sigurisë në veri, ajo është e komplikuar, mirëpo problemet atje nuk mund të zgjidhen vetëm me veprime ushtarake”,
tha Byhler.

“Unë kërkoj dhe i bëj thirrje politikës që të fillojë dialogun dhe t’i zgjidhë këto çështje. Sa i përket KFOR-it, ne jemi të përkushtuar dhe po punojmë shumë që të ketë një gjendje më të mirë në veri”, tha komandanti i KFOR-it.

Pavarësisht kësaj, Byhler tha se KFOR-i ka edhe plane të veçanta operative dhe se vetëm një alarm i vogël, qoftë ai nga Policia e Kosovës, apo EULEX-i, do të bëjë që ushtarët e KFOR-it të jenë në terren pas pak minutash - gjithnjë si reagues të tretë.

Një përkushtim i veçantë, ai tha se mund të jetë edhe ndihma që KFOR-i mund të japë për arrestimin e personave që shkelin ligjin në veri, nëse këtë e kërkon Policia e Kosovës apo EULEX-i.

Ndërkaq, lidhur me strukturat paralele, Byhler tha se KFOR-i pret së pari bisedimet që do të zhvillohen mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Çështja e strukturave paralele është e rëndë dhe këtu nuk bëhet fjalë vetëm për Rezolutën 1244, por kjo çështje është politike. Siç e dimë, dialogu Prishtinë - Beograd pritet të fillojë shpejt dhe ne fillimisht jemi duke pritur këto bisedime dhe më pas të flasim për veprime të tjera”
, theksoi komandanti i KFOR-it, Byhler.

Ai foli edhe për rastin e fundit të kontingjentit ushtarak ukrainas, i cili ishte i përfshirë në një aferë me shitjen e derivateve.

Byhler tha se KFOR-i ka hetuar rastin, ndërsa tani me këtë çështje janë duke u marrë autoritetet ukrainase, të cilat, sipas tij, shpejt pritet të marrin masa ndaj ish-pjesëtarëve të KFOR-it.

Forca paqeruajtëse është në fazën e shkurtimit të trupave. Byhler tha se shkurtimet do të varen nga vlerësimet e ardhshme politike dhe të situatës së sigurisë.

Ndërsa shkurtohet numri i ushtarëve të KFOR-it, Byhler tha se po vazhdon edhe procesi i bartjes së disa përgjegjësive nga kjo forcë ushtarake te Policia e Kosovës. Ai paralajmëroi se së shpejti pritet të barten përgjegjësitë edhe në kufirin me Maqedoninë, derisa, sipas tij, situatë më e ndërlikuar mbetet në kufirin me Serbinë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG