KQZ me dy plane për veriun

Mitrovicë

Zyrtarët e Komisionit Qendror Zgjedhor shprehin bindjen se zgjedhjet e 12 dhjetorit do të mbahen edhe në veri të Kosovës, meqë, sipas tyre, situata atje tashmë ka ndryshuar.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, thotë se ky organ është i obliguar me ligj që të organizojë zgjedhje të lira për të gjithë qytetarët e vendit. Andaj, sipas saj, KQZ-ja do të veprojë me dy plane operacionale edhe në veri, sikurse në gjithë territorin e Kosovës.

“Do t’i kemi dy plane. Plani i parë është që të hapen qendrat e rregullta të votimit dhe pastaj qendrat alternative, sepse mund të ndodhë që të mos hapet ndonjë qendër votimi – sikurse edhe në pjesën tjetër të Kosovës – gjë që ka ndodhur në procesin e kaluar. Pra, e kemi të njëjtën strategji: qendrat e rregullta të votimit dhe ato alternative”, thotë Daka për Radion Evropa e Lirë.

Pavarësisht qëndrimeve të qytetarëve për pjesëmarrje ose jo në zgjedhjet e 12 dhjetorit, njohësit e proceseve zgjedhore thonë se KQZ-ja duhet të krijojë infrastrukturën e duhur për të votuar.

Mazllum Baraliu thotë për Radion Evropa e Lirë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk duhet t’i improvizojë qendrat e votimit me ekipe mobile.

“KQZ-ja do të duhej ta siguronte infrastrukturën paraprakisht. Kudo që ka vullnet për të hedhur votën, të jetë e gatshme që t’ua sigurojë qytetarëve me kohë. Nuk është mirë që të ketë vendvotime të improvizuara, por ato duhet të sigurohen paraprakisht. Edhe pse nuk ka shumë kohë, nuk është punë e vështirë. Ne kemi përvojë në këtë aspekt dhe besoj se është e mundur”, thotë Baraliu.

Foto arkivi
Për të siguruar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor sidomos në veri të Kosovës, kryetarja e KQZ-së, zonja Daka, thotë se do të kërkojë ndihmën e faktorit ndërkombëtar.

“Çështja e sigurisë iu takon atyre që janë përgjegjës - në këtë rast Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it. Ata do të na ndihmojnë gjithsesi”, thekson Daka.

Zyrtarët e EULEX-it thonë se roli i këtij misionin në ditën e zgjedhjve do të jetë monitorimi dhe mbështetja e punës së Policisë së Kosovës. Zëdhënësi i misionit të Bashkimit Evropian, Blerim Krasniqi, shpjegon:

Policia e Kosovës e ka rolin udhëheqës në krijimin e ambientit të sigurt. Edhe në këtë rast, EULEX-i do të jetë atje për t’i mbështetur ata përmes monitorimit dhe këshillimit”.

Në 10 vjetët e fundit, pjesëmarrja e serbëve të veriut në zgjedhjet e organizuara nga institucionet e Kosovës ka qenë gjithmonë problematike.

Beogradi zyrtar së fundmi ka deklaruar se “nuk janë përmbushur kushtet” që komuniteti serb të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 12 dhjetorit.

Ish-kryetari i KQZ-së, Mazllum Baraliu, thotë se mospjesëmarrja e serbëve në zgjedhje paraqet sfidë. Kjo pakicë, sipas tij, është e manipuluar nga shteti serb.

“Ata janë të kushtëzuar, të shantazhuar, të manipuluar dhe të mashtruar nga Beogradi”, shprehet Baraliu.

Vetë serbët e Kosovës kanë qëndrime të ndryshme sa i përket pjesëmarrjes së tyre në zgjedhjet që organizon Prishtina zyrtare. Derisa ata që jetojnë në jug të lumit Ibër shprehen të gatshëm për të marrë pjesë, serbët e veriut e kundërshtojnë kategorikisht procesin zgjedhor të 12 dhjetorit.

Lexoni edhe këto:
Beogradi s'i thërret serbët të dalin në zgjedhje
Kush do t’i monitorojë zgjedhjet?