Beogradi s'i thërret serbët të dalin në zgjedhje

Qeveria e Serbisë

Qeveria e Serbisë vlerëson se nuk janë "përmbushur kushtet“ që t’i thërrasë serbët për të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 12 dhjetorit.

"Qeveria e Serbisë konsideron se është e domosdoshme që përmes rrugëve të dialogut, Beogradi dhe Prishtina, sa më shpejt që të jetë e mundur, të gjejnë zgjidhje të qëndrueshme për çështjen e Kosovës, e cila do të ishte e pranueshme për të dyja palët dhe që do të sillte pajtimin historik serbo-shqiptar“, thuhet në një njoftim të Qeverisë serbe, të cilin e transmetojnë mediat serbe.


Sfidat në organizimin e zgjedhjeve

Në Komisionin Qendror Zgjedhor nuk është certifikuar asnjë subjekt politik, ndonëse afati i certifikimit të partive për pjesëmarrje në zgjedhjet e 12 dhjetorit përfundon më 11 nëntor.

Pavarësisht kësaj, përfaqësues të KQZ-së thonë se po i bëjnë të gjitha përgatitjet e duhura teknike për organizim sa më të mirë të zgjedhjeve.

Kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Xhemajl Peqani, thotë se ky organ zgjedhor ka hartuar dy plane operacionale për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Rahovec dhe zgjedhjet parlamentare të 12 dhjetorit.
Jemi në implementimin e të gjitha aktiviteteve që kanë të bëjnë me zgjedhjet parlamentare...

“KQZ-ja është duke shkuar me dy plane operacionale; një për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës në Rahovec, më datën 21 nëntor, si dhe tjetrin për zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të datës 12 dhjetor. Jemi në implementimin e të gjitha aktiviteteve që kanë të bëjnë me zgjedhjet parlamentare”, thekson Peqani.

Sipas tij, është koha e shkurtër që ka mbetur deri në mbajtjen e zgjedhjeve, ajo që paraqet sfidë për KQZ-në.

Sfidë është koha e shkurtër, mirëpo KQZ-ja teknikisht është e gatshme që këto zgjedhje t’i organizojë dhe t’i menaxhojë sipas standardeve ndërkombëtare”, thotë Peqani për Radion Evropa e Lirë.

Njohësit e procesit zgjedhor në Kosovë e vënë në pikëpyetje cilësinë e zgjedhjeve të 12 dhjetorit. Sipas tyre, KQZ-ja duhet të jetë mirë e përgatitur edhe në rastet e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Sipas ish-kryetarit të KQZ-së, Zait Xhemajli, është e rëndësishme që Komisioni Qendror Zgjedhor të veprojë në bazë të rregullave që parasheh Ligji për zgjedhjet.
Ky proces nuk do të kalojë pa të meta, për arsye se koha është shumë e shkurtër për t’i përgatitur zgjedhjet...

“Ky proces nuk do të kalojë pa të meta, për arsye se koha është shumë e shkurtër për t’i përgatitur ato (zgjedhjet). Prandaj, rezultatin do ta shohim në fund. Nuk guxojmë të paragjykojmë që do të jetë çdo gjë keq, por me siguri që mund të pritet, meqë në proceset e rregullta zgjedhore ne kemi pasur dështime, kemi pasur të meta, e lëre më në këtë proces...”.


“Megjithatë, nëse arrijnë që së paku 60 % - 70 % të jenë të suksesshme, atëherë unë do ta konsideroja sukses”,
shprehet Xhemajli.

Xhemajli shpreh drojën se komisionet komunale dhe ato të vendvotimeve do të jenë disa nga sfidat më të mëdha në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

“Të metat mund të ndodhin në përgatitjen e vendvotimeve, te organizmi i komisioneve komunale për zgjedhje, te hartimi i listave zgjedhore, te fushata elektorale e subjekteve politike... Të gjitha këto mund të vijnë në shprehje si anë të dobëta”, thekson Xhemajli.

Lexoni edhe këtë: Serbët (s')duhet të dalin në zgjedhje