Me këngë përballë politikës

Grupi "Troja"

Rok-grupi i njohur kosovar “Troja”, të shtunën në Prishtinë ka mbajtur koncertin në shenjë proteste për mospërfshirjen e Kosovës në liberalizimin e vizave. Bujar Berisha, vokalist i këtij grupi, ka thënë se koncerti ka arritur të transmetojë porositë. Ndërkaq, qytetarët kanë thënë se janë solidarizuar me qasjen dhe porositë e rok-grupit “Troja”.

Rreth dy mijë spektatorë, mbrëmë në Prishtinë, kanë ndjekur koncertin e rok-grupit të njohur kosovar “Troja”, i cili është mbajtur me sloganin “Young ghettopians” apo “Të rinjtë e getos”.

Bujar Berisha, vokalist i rok-grupit “Troja”, ka thënë se mesazhet që shprehin mospajtimin dhe protestën në adresë të institucioneve të Kosovës dhe atyre evropiane, për mospërfshirjen e Kosovës në liberalizimin e vizave, janë përcjellë me gjuhën e artit dhe se publiku i shumtë është bashkuar rreth qëllimit të njëjtë.

“Ideja e ka bërë të veten, domethënë ideja i ka mbledhur, se tash jemi edhe para fushatës zgjedhore dhe partitë munden sadopak të ndikojnë e të mos i dërgojnë militantët e vet. Por, kjo i kalon krejt, kjo është diçka për krejt ne. Edhe siç po shihet, është numër i madh i njerëzve që pajtohen. Duhet të mos jesh jo në rregull që të pajtohesh me atë që të të lënë në mes të Evropës në gropë të zezë dhe të izoluar krejtësisht
, shprehet Berisha.

Asdren Rrahmani ka thënë se e përkrahë qëllimin, për të cilin rok-grupi “Troja” ka organizuar koncertin.

“Jam fans i ‘Trojës’ , ndërsa qëllimi i koncertit ka të bëjë me hapjen e kufijve për të rinjtë e Kosovës. Ne kemi mbetur i vetmi shtet i lënë anash dhe nuk jemi pjesë as e liberalizimit të vizave dhe as e kufijve të hapur ndaj shteteve të Evropës. Mirëpo, për këtë nuk do ta fajësoja vetëm Evropën; ne nuk i kemi bërë detyrat e shtëpisë”,
ka thënë Rrahmani.

Luljeta Kabashi, e cila gjithashtu po përcillte koncertin, ka theksuar se rok- grupi “Troja”, po përcillte porositë e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

“Është formë shumë e mirë e shprehjes, domethënë jemi të mbyllur dhe s’kemi mundësi të lëvizim fare”, ka theksuar Kabashi.

Ngjashëm është shprehur edhe Besarta Zuka:

“Qëllimi i këtij koncerti është liberalizimi i vizave dhe ‘Troja ‘ si një prej grupeve të muzikës rok, e bëri këtë koncert për këtë qëllim – është shumë i veçantë dhe mendoj që është ide shumë, shumë e qartë”.


Granit Gashi ka pohuar se porositë nga koncerti i rok-grupit “Troja”, janë mjaft të qarta, qoftë për institucionet vendore në Kosovë, qoftë për Bashkimin Evropian.

“Muzika rok është gjithmonë një filozofi në vete. Këtë po mundohet ta bëjë edhe ‘Troja’. Qëllimi është sensibilizimi i rinisë për bllokimin e Kosovës jashtë liberalizimit të vizave. Kemi mbetur i vetmi shtet në Ballkan, duhet të shpëtojmë, të bëjmë diçka”,
shprehet Gashi.

Ndërkaq, rok-këngëtari Naim Bunjaku, i njohur si Xuxi, ka pranuar se rrallëherë në rok-koncerte mblidhet një numër i madh i spektatorëve, sikurse në koncertin e së shtunës të rok-grupit “Troja”.

Një gjë e tillë, sipas tij, tregon që porositë e grupit “Troja” janë porosi edhe të qytetarëve.

“Është një koncert që padyshim po shihet prej masës që e ka përcjellë mesazhin - ‘Getopeans’. Nëse e shikojmë me fqinjët tanë, të cilët e dimë shumë mirë që nuk janë diçka shumë më të avancuar se Kosova, atëherë padyshim që jemi të izoluar - ti je i përjashtuar prej një shoqërie super të madhe prej shumë shteteve
”, ka nënvizuar Xuxi.