LDK me dy lista në zgjedhje

Foto nga arkivi

Fatmir Sejdiu dhe Ukë Rugova u prijnë dy fraksioneve në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Përderisa Sejdiu bashkë me një pjesë të Kryesisë së LDK-së po përgatisin Kuvendin zgjedhor të partisë për të dielën, Ukë Rugova dhe Lista e tij “Ibrahim Rugova”, do të paraqiten si listë e pavarur nga ajo e LDK-së për zgjedhjet e 12 dhjetorit.

Lidhja Demokratike e Kosovës rrezikon me ndarje dhe fraksione të reja në prag të Kuvendit zgjedhor.

Përderisa Kryesia e LDK-së nën drejtimin e Fatmir Sejdiut, po përgatit agjendën e Kuvendit zgjedhor që do të mbahet të dielën, në anën tjetër, Ukë Rugova, i biri i presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova, bashkë me disa zyrtarë të LDK-së, ka formuar tashmë Listën “Ibrahim Rugova”, të cilën do ta paraqesë të premten për regjistrim si listë qytetare jashtë asaj të LDK-së.

Këto zhvillime, sipas kryetarit aktual të partisë, Fatmir Sejdiu, nuk do ta pengojnë punën e Kuvendit dhe se ai parasheh zgjedhje të suksesshme në organet më të larta të LDK-së.

“Punët po shkojnë mirë në kuptimin e përgatitjeve teknike dhe besoj se do të jetë një kuvend i mirë. Kjo është esenca që mund t’ju them dhe ka qenë një angazhim i mirë i të gjithëve në përgatitjen e dokumentacionit dhe ka qenë një bisedë jashtëzakonisht e mirë brenda Kryesisë. Pra, një bisedë që ka reflektuar në kuptimin e mobilizimit të të gjithëve për të dhënë kontribut për të pasur një përmbyllje të mirë, e të suksesshme të procesit zgjedhor”, tha Sejdiu.

Fatmir Sejdiu nuk deshi të thotë asgjë në lidhje me paralajmërimet e shumta në media se ai mund të tërhiqet nga gara për kryetar të partisë para Kuvendit zgjedhor.

Përkundrazi, Sejdiu tha se qëndrimet e tij do të bëhen publike pikërisht të dielën në Kuvendin e partisë.
Zoti Sejdiu i respekton procedurat normale dhe shpreh qëndrimet e veta në Kuvendin e partisë.


“Zoti Sejdiu i respekton procedurat normale dhe shpreh qëndrimet e veta në Kuvendin e partisë. Kuvendi do të jetë i përgatitur mirë dhe do të ketë rezultat të mirë”,
u shpreh Sejdiu.

Ndërkaq, i përfoluri si unifikues i mundshëm i fraksioneve në LDK, kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa, nuk deshi të flasë para gazetarëve në lidhje me kandidimin e tij të mundshëm.

Në anën tjetër, Lista “Ibrahim Rugova”, si fraksion i Lidhjes Demokratike të Kosovës, paralajmëroi se do të regjistrohet si iniciativë qytetare në prag të zgjedhjeve të 12 dhjetorit, jashtë listës së LDK-së.

Anëtari i këtij fraksioni, Astrit Haraqija, i tha Radios Evropa e Lirë se Lista do të kryesohet nga Ukë Rugova, i biri i presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova, kurse pjesë e saj do të jenë edhe Bujar Bukoshi dhe zyrtarë tjerë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Haraqija tha se Lista “Ibrahim Rugova” nuk do të marrë pjesë në Kuvendin zgjedhor të dielën. Ndërkaq, ndër kushtet që kjo Listë të kthehet në LDK para zgjedhjeve të 12 dhjetorit, sipas Haraqisë, janë që Fatmir Sejdiu të japë dorëheqje nga LDK-ja, kurse bartës i listës së LDK-së në zgjedhje, të jetë Ukë Rugova.
I vetmi shans për t’u llogaritur në gjithë këto matematika, është që Lista ‘Dr. Ibrahim Rugova’ nesër ta bëjë regjistrimin...


“I vetmi shans për t’u llogaritur në gjithë këto matematika, është që Lista ‘Dr. Ibrahim Rugova’ nesër (e premte) ta bëjë regjistrimin; i vetmi shans është që Uka të jetë bartës i listës, e para, dhe e dyta flamuri i Dardanisë të jetë flamur presidencial dhe himn ‘Kur ka ra kushtrimi’, kushdo që të jetë kryetar, pa Fatmir Sejdiun
. Ne jemi LDK, po në një LDK që i mban zgjedhjet me rregull, fer dhe në mënyrë demokratike, jo me një LDK të manipuluar. Ne mbetemi LDK”, deklaroi Haraqija.

Astrit Haraqija theksoi se edhe Isa Mustafa mund të luajë rolin unifikues, por jo si kryetar i partisë, mirëpo si kryesues i Kryesisë së LDK-së deri në zgjedhjet e ardhshme, që, sipas tij, do të ishin të rregullta dhe jo zgjedhje çfarë po mban sot LDK-ja.

“Unë kam kërkuar që të jetë Isa Mustafa, por jo të jetë kryetar i LDK-së, mirëpo të jetë një kryesues i Kryesisë teknike, për arsye se këto zgjedhje që janë mbajtur, janë mbajtur tmerrshëm, jashtëzakonisht keq dhe nuk kemi marrë pjesë në këto zgjedhje fare”
, theksoi Haraqija.

Kuvendi i fundit zgjedhor në LDK pati përfunduar me grushte e ndarje të partisë. Ndërkaq, tensionet para Kuvendit të radhës në LDK janë shtuar pas refuzimit të Fatmir Sejdiut që të tërhiqet nga partia, pas konstatimit të Gjykatës Kushtetuese për shkelje të Kushtetutës së Kosovës.

Kundërshtarët e Sejdiut në këtë subjekt politik thanë se koalicioni i tij me Hashim Thaçin dhe PDK-në, e ka dëmtuar shumë LDK-në dhe kërkojnë nga ai që të tërhiqet.