Deputetja e Parlamentit Evropian, Doris Pack, shprehu bindjen se Kosova do t’i kalojë në mënyrë demokratike proceset e ardhshme, që ndërlidhen me zgjedhjet e jashtëzakonshme të 12 dhjetorit. Ajo theksoi rëndësinë që nga këto zgjedhje të dalë një qeveri e fuqishme, e cila, siç tha ajo, duhet të nisë bisedimet me Beogradin. Pack i bëri këto komente pas një takimi që zhvilloi me ushtruesin e detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi.
Përfaqësues të Bashkimit Evropian theksuan nevojën për krijimin e një qeverie të fuqishme pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 12 dhjetorit në Kosovë - qeveri e cila, siç thuhet, duhet të nisë bisedimet me Beogradin zyrtar.
Shpërndarja e Kuvendit dhe votimi i mocionit të mosbesimit për Qeverinë Thaçi vlerësohen si procese demokratike nga zyrtarët evropianë.
Eurodeputetja Doris Pack shprehu bindjen se Kosova do t’i kalojë në mënyrë demokratike zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe proceset pasuese që ndërlidhen me to.
Ajo theksoi rëndësinë për themelimin e një qeverie të fuqishme, që do të niste dialogun me shtetin serb.
...shpresoj se do të keni vërtet një qeveri të fuqishme, e cila duhet të shikojë përpara lidhur me atë që është vendosur me ndihmën e Bashkimit Evropian.
“E keni bërë dje me një diskutim normal, me një votim normal dhe tani keni vendosur të shkoni në zgjedhje më 12 dhjetor. Do të përpiqem të jem këtu me ju në atë ditë të veçantë. Mirëpo, shpresoj se pastaj do të keni vërtet një qeveri të fuqishme, e cila duhet të shikojë përpara lidhur me atë që është vendosur me ndihmën e Bashkimit Evropian”.
“Kjo do të thotë se duhet të ketë bisedime për situatën e dy shteteve fqinjësore e mike”, u shpreh Pack, pas një takimi që zhvilloi me ushtruesin e detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi.
Ky i fundit ritheksoi gatishmërinë e autoriteteve kosovare për të biseduar me palën serbe, por tha se përgjegjësinë për këtë proces duhet ta ketë qeveria që del nga zgjedhjet e dhjetorit.
...institucionet e Kosovës, të dala nga zgjedhjet, duhet të marrin përgjegjësinë e bisedimeve.
“Ne jemi për bisedime. Sigurisht që zgjedhjet e jashtëzakonshme kërkojnë konstituimin e institucioneve të Kosovës dhe fillimin e bisedimeve. Mendoj se në këtë rrafsh jemi plotësisht dakord që institucionet e Kosovës, të dala nga zgjedhjet, duhet të marrin përgjegjësinë e bisedimeve”, tha Krasniqi.
Miratimin për nisjen e dialogut me Prishtinën e ka dhënë, kohë më parë, edhe Beogradi zyrtar.
Thirrjet për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë që disa parti politike në Serbi u kanë drejtuar banorëve serbë në vend, Pack i cilësoi si sinjal pozitiv për procesin e bisedimeve ndërmjet dy vendeve.
Ajo theksoi mbështetjen e Bashkimit Evropian për Kosovën, ndërsa bëri të ditur se obligim i Parlamentit Evropian do të jetë bindja e pesë shteteve anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, që ta ndërmarrin një hap të tillë.
“Ne duhet t’i bindim pesë shtetet e mbetura që ta njohin Kosovën. Nuk ka më arsye të mos ndodhë kjo. Kjo është puna jonë”, theksoi ajo, duke hedhur poshtë mundësinë që zhvillimet e fundit në skenën politike në vend, të kenë ndikuar negativisht në imazhin e këtyre pesë vendeve evropiane për Kosovën.
Gjatë ditës, Pack zhvilloi një takim me kryeministrin në dorëheqje, Hashim Thaçi, dhe u nderua me çmimin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti i Prishtinës.
Gjatë fjalimit të saj në ceremoninë solemne në këtë universitet, Pack, ndër të tjera, foli për të ardhmen evropiane të Kosovës, duke theksuar se Kosova, sikurse vendet e tjera të rajonit, e ka mundësinë për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian.
Ajo tha se çdo shtet i Ballkanit Perëndimor do të mirëpritet në BE nëse i përmbush kriteret e Kopenhagës, harmonizon legjislacionin vendor me atë evropian dhe krijon marrëdhënie normale me vendet fqinje.
Përmbushja e këtyre kritereve, siç theksoi Pack, do të varet kryesisht nga puna e institucioneve kosovare.