Ndërlidhjet

Bie qeveria


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës
Me shumicë votash, Kuvendi i Kosovës ka miratuar mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë.

Mocioni me 40 nënshkrime, i paraqitur nga Aleanca Kosova e Re, është mbështetur me votat e 66 deputetëve; një ka votuar kundër dhe dy kanë abstenuar.

Gjatë votimit, të pranishëm në sallë ishin 105 deputetë, por një pjesë e tyre, kryesisht nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, janë përmbajtur nga votimi.

Pas shpalljes së rezultatit nga ana e kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, rënia e Qeverisë është përshëndetur edhe me duartrokitje.

Pro mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë kanë votuar edhe deputetët e partisë në pushtet – Partisë Demokratike të Kosovës.

Kryeministri në dorëheqje, Hashim Thaçi, kërkoi votën e Kuvendit për të shkarkuar Qeverinë që drejtonte, duke besuar se me këtë votë, Kosova del më shpejt nga kriza, në të cilën është futur.

Pas seancës, ai tha se Kosova po e tejkalon edhe këtë test të demokracisë.

“Vullneti i deputetëve të Parlamentit të Kosovës ishte një vullnet kushtetues, ligjor - vullnet që del edhe nga përgjegjësitë e tyre qytetare, kushtetuese dhe ligjore. Ishte votim për nxjerrjen e institucioneve të vendit nga kriza institucionale”, vlerësoi Thaçi.

Gjatë debatit, deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës thanë se vota e tyre pro mocionit nuk ishte votë kundër Qeverisë, por votë për tejkalimin më të shpejtë të krizës.

Krejtësisht ndryshe vlerësuan deputetët nga opozita. Këta të fundit thanë se mocioni i mosbesimit vjen si rezultat i keqqeverisjes.

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, kritikoi kryeministrin në dorëheqje dhe kërkesën e tij pro mocionit, duke e cilësuar fjalimin e tij si një rast për studim.

“Paramendojeni ju, para rënies së Qeverisë, fjalimi i kryeministrit është për studim... Për shkak se paska qenë qeveri kaq e mirë, po u dashka të bie; për shkak se paskan punuar shkëlqyeshëm, po u dashka të bie; për shkak se partneriteti ka qenë deri dje superlativ, po u dashka të bie...”, u shpreh Isufi.

Debati i sotëm, që zgjati mbi 3 orë e gjysmë, është përshkuar edhe me replika ndërmjet ish-partnerëve të koalicionit, PDK-së dhe LDK-së.

Përderisa lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, dhe deputetët e kësaj partie e akuzuan në vazhdimësi ish-presidentin Fatmir Sejdiu dhe LDK-në si shkaktare të krizës dhe dezertuese të marrëveshjes së koalicionit, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, tha se nuk i ka hije fjalorit politik në Parlament që të merret me kualifikime të tilla.

“I lusim disa kolegë ta lënë këtë terminologji, sepse nuk iu duhet. LDK-ja e ka përdorur një të drejtë të veten që të bëjë marrëveshje koalicioni dhe ka të drejtë legjitime edhe të tërhiqet”, theksoi Beqiri.

Në bazë të debatit të zhvilluar, mocioni i mosbesimit është mbështetur nga partia iniciuese, Aleanca Kosova e Re, nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Dardanisë dhe pakicat. Kurse, të përmbajtura janë treguar Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG