Rinia, potenciali më i pashfrytëzuar

Foto arkivi

Rreth gjysma e popullsisë se Kosovës është nën moshën 25 vjeçare. Kjo kategori e shoqërisë ballafaqohet me probleme të ndryshme.

Në një hulumtim që ka bërë Iniciativa Kosovare për Stabilitet thuhet se 73 për qind e të rinjve kosovarë janë të papunë. Arsyeja e gjithë kësaj qëndron “në faktin se Kosova ka ende ekonominë më të varfër në tërë Evropën Juglindore”.

Drejtori i hulumtimeve në Iniciativën Kosovare për Stabilitet, Arbër Gorani, thotë se mbi 80 për qind e të papunëve janë duke kërkuar punë që 12 muaj. Sipas tij, ata përballen edhe me pasojat e informalitetit dhe të nepotizmit gjatë procedurave të punësimit.

“I kemi analizuar përshtypjet e atyre prej moshës 10 deri në 24 vjeç. Kur i kemi pyetur të rinjtë e moshës 10 deri në 14 vjeç, se cilat janë rreziqet më të mëdha për Kosovën, 47.3 për qind e tyre kanë thënë se rreziku më i madh është papunësia”.

“Kur i kemi pyetur të rinjtë prej moshës 15 deri në 24 vjeç se sa janë të shqetësuar apo të preokupuar për papunësinë në Kosovë, afër 88 për qind prej tyre kanë dalë se janë shumë të shqetësuar për papunësinë“,
thotë Gorani.

Sipas tij, punësimi i të rinjve, arsimimi dhe fuqizimi i tyre mbeten sfida kyçe të Kosovës në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane.

Gorani thotë se në këto rrethana, sipas tij, shumë të errëta, shumica e të rinjve mendojnë se shpërngulja në vende të tjera është mënyra më e mirë për të përmirësuar jetën.

Ai kërkon nga autoritetet përgjegjëse të merren më seriozisht me problemin e të rinjve.

“Do të jetë shumë e vështirë për t’u ballafaquar me mungesën e motivit dhe me frustrimin e tyre, nëse shoqëria nuk merret me ta ashtu siç duhet”, thekson Gorani.

Lidhur me shkallën e lartë të papunësisë së të rinjve, sociologët fajësojnë qeverinë. Sipas tyre, Qeveria e Kosovës, deri më tani, ka qenë e paaftë për të shënuar progres në këtë drejtim.

Sociologu Fadil Maloku thotë se nëse autoritetet kompetente nuk krijojnë parakushte për zbutjen e kësaj gjendjeje, do të mund të pasonin trazira sociale.

Sipas tij, faktori ekonomik ndikon drejtpërdrejt në rritjen e kriminalitetit në shoqëri.

Në gjithë botën është një lloj recesioni, është e kuptueshme. Në rajon po ashtu... Por, unë mendoj se Qeveria e Kosovës do të duhej të merrte disa masa preventive, që në njëfarë mënyre ta zbuste pakënaqësinë”, thotë Maloku.

Sipas raportit të Iniciativës Kosovare për Stabilitet, mospërfshirja e të rinjve në proceset vendimmarrëse shumë lehtë mund të shkaktojë destabilizim të situatës.

Lexoni edhe këto:
Absorbimi i papunësisë?
Ligji i punës, ende problematik