Qeveri teknike apo zgjedhje të jashtëzakonshme?

Kuvendi i Kosovës

Partitë opozitare në Kosovë kanë reaguar ndaj tërheqjes së Lidhjes Demokratike të Kosovës nga koalicioni qeverisës. Ato e kanë fajësuar këtë parti për, siç thuhet, prodhim të krizës institucionale. Mirëpo, ato shprehin mendime të ndara lidhur me atë se a duhet të krijohet një qeveri teknike deri në zgjedhjet e parakohshme, të caktuara për 13 shkurt, apo të bëhen zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Prishja e koalicionit qeverisës, i përbërë nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, ka qenë e pritshme edhe më herët, por dalja e tashme e LDK-së nga ky koalicion, prodhon krizë institucionale, kanë vlerësuar partitë opozitare në Kosovë.

Ato kanë reaguar lidhur me prishjen e koalicionit qeverisës, duke e fajësuar Lidhjen Demokratike të Kosovës për gjendjen e krijuar.

Blerim Shala, nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se dalja e LDK-së nga koalicioni qeverisës po shënon prishjen e natyrshme të një koalicioni, siç e quajti ai, të panatyrshëm.

Por, sipas tij, Kosova, institucionet përkatëse dhe politika, nuk janë në gjendje që tash të organizojnë zgjedhje të jashtëzakonshme, prandaj nevojitet një qeveri teknike deri në zgjedhjet e parakohshme, të caktuara për 13 shkurt të vitit të ardhshëm.

Në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, po qe se ndodh dorëheqja e kryeministrit Thaçi, ushtruesi i presidentit të vendit, zoti Krasniqi, obligohet që brenda 10 ditësh, të emërojë mandatarin e ri, i cili do t’i ketë 15 ditë për t’ia ofruar qeverinë e re Kuvendit të Kosovës”.

“Por, në çdo variant, edhe nëse ndodh kjo qeveri e re, kemi të bëjmë parimisht me qeveri teknike, sepse tashmë data është caktuar për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, më 13 shkurt. Politika e vendit, nuk ka kapacitete t’i bëj zgjedhjet e jashtëzakonshme për 45 ditë”
, ka thënë Shala.

Ndryshe, ndaj prishjes së koalicionit qeverisës ka reaguar edhe Aleanca Kosova e Re. Mimoza Kusari, nënkryetare e AKR-së, ka thënë se kjo parti e konsideron si akt të ulët prishjen e koalicionit qeverisës nga LDK-ja, një ditë pas caktimit të datës së zgjedhjeve të parakohshme.

Por, sipas saj, situata e tashme e çon vendin drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Për krizën institucionale dhe politike në vend, ajo e ka fajësuar kryetarin e tashëm të LDK-së, ish-presidentin Fatmir Sejdiu.

“Aleanca Kosova e Re, në ditën e 16 tetorit, një ditë pas shpalljes së datës për zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, tërheqjen e LDK-së nga koalicioni qeverisës, e konsideron si një akt të ulët dhe një akt të ish-presidentit të Republikës së Kosovës, fatkeqësisht, që mundohet t’i mbulojë divergjencat që ekzistojnë brenda subjektit të vet, pa menduar fare për interesa të qytetarit të Republikës së Kosovës”.

“Për interesa të veta, ai e vë vendin në krizë institucionale dhe politike. AKR-ja konsideron se mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, tash ka mbetur dalja e vetme, mundësia e daljes së vetme nga kriza e krijuar institucionale”
, është shprehur Kusari-Lila.

Ndërkaq, Lulzim Zeneli, sekretar i përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, thotë se situata e krijuar me daljen e LDK-së nga koalicioni qeverisës, gjeneron krizë institucionale, e cila do të ketë pasoja për proceset e ardhshme në Kosovë.

Zeneli ka theksuar se prishja e koalicionit qeverisës nga ana e LDK-së, ka ndodhur, siç ka thënë ai, kryekëput për kalkulime të politikave ditore, të cilat do ta rëndojnë skenën politike të Kosovës.

“Një ditë pas shpalljes së datës së zgjedhjeve, të kalohet në një kalkulim politik, këtë nuk e ka pasur për borxh qytetari i Kosovës dhe as interesi i Kosovës, në përgjithësi”.

“Zgjidhja e vetme, në këtë fazë, do të jetë që të tejkalohet kjo fazë e ndërmjetme, deri në zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen, një qeverisje teknike me bazë të gjerë të përfaqësimit nga grupet e ekspertëve. Unë do të thosha që vetëm kjo është alternativë, e cila do t’i mundësonte Kosovës të kalojë në një fazë transiti deri në zgjedhjet e ardhshme”
, ka theksuar Zeneli.

Sidoqoftë, përfaqësuesit e partive opozitare kanë theksuar se prishja e koalicionit qeverisës po ndodh në një kohë të papërshtatshme për vendin.

Por, siç kanë thënë ata, shenjat se do të ketë prishje të koalicionit, kanë ekzistuar që nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese se ish-presidenti Fatmir Sejdiu ka bërë shkelje të Kushtetutës së Kosovës, gjë që u pasua me dorëheqjen e tij nga posti i presidentit.