Mbështetje Kosovës për njohje të reja, për integrimin e veriut, për procesin e bisedimeve dhe për integrimin në Bashkimin Evropian - këto janë vetëm disa nga premtimet e Sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, të bëra gjatë një debati publik në Prishtinë. Ajo tha se SHBA-të kanë përqendruar shpresat tek ardhmja e Kosovës, duke besuar se kosovarët do ta ndërtojnë shtetin dhe një të ardhme më të mirë.
Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, i premtoi Kosovës se do të jetë një avokate e fuqishme e saj në procesin e njohjes së shtetësisë dhe integrimit euro-atlantik.
“Unë shpresoj se do ta shohim Kosovën të lëvizë kah integrimet evro-atlantike. SHBA-të nuk ka votë në BE, por besojmë fuqishëm se të gjitha vendet e Ballkanit duhet të nisin rrugën drejt integrimit, duke filluar nga liberalizimi i vizave për popullin në Kosovë, veçanërisht për të rinjtë, për të pasur mundësi që të tregojnë rrëfimin për Kosovën përtej kufijve tuaj”, tha zonja Clinton në një debat me shoqërinë civile dhe studentë të mbajtur në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë.
Clinton, e cila pas Kosovës ka udhëtuar për në Bruksel, bëri të qartë se Bashkimi Evropian nuk është i plotë pa integrimin e Ballkanit.
“Do të jem avokate e fuqishme për ju. Në mënyrë konstante do t’iu them kolegëve dhe miqve të mi evropianë se ata duhet ta vazhdojnë rrugën e integrimit”, deklaroi zonja Clinton, duke theksuar se Kosova, por edhe vendet tjera të rajonit, mund të jenë shembull i bashkëjetesës dhe tolerancës për vetë Evropën.
Por, zonja Clinton, theksoi se para kosovarëve ende ekzistojnë shumë sfida dhe punë, duke nënvizuar se procesi i ardhshëm zgjedhor duhet të jetë i drejtë dhe i lirë.
Sekretarja Clinton, duke u përgjigjur pyetjeve të pjesëmarrësve në debat, përjashtoi mundësinë e bisedimeve për ndonjë status special për veriun e Kosovës.
“Mendimi im është se statusi i veriut është i zgjidhur. Dhe, kur kjo të kuptohet, njerëzit nga veriu duhet të integrohen në Kosovë dhe duhet të shikojnë kah Prishtina, se nuk mund të ketë edhe më tej struktura paralele, se duhet të ketë përkushtim për të punuar së bashku siç po bëjnë shumë serbë në jug”.
“Për këtë arsye, mendoj se është në interes të Kosovës që ta fillojë dialogun sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha zonja Clinton, duke nënvizuar se SHBA-të do ta ndihmojnë Kosovën në përshpejtimin e integrimit të pjesës veriore të Kosovës.
Sekretarja Clinton, e cila përmbylli vizitën e saj në Kosovë me debatin me shoqërinë civile, përsëriti se përkushtimi i SHBA-ve për Kosovën do të vazhdojë të mbetet i njëjtë, ashtu siç ka qenë në pothuaj 20 vjetët e fundit, pa marrë parasysh se cila parti politike e ka mbajtur pushtetin.
“SHBA-të, duke filluar nga burri im, i kanë përqendruar shpresat në të ardhmen tuaj. Ne e bëmë këtë megjithëse na u tha se kurrë nuk do të mbërrijmë në këtë pikë. E bëmë, sepse besuam se ju mund ta ndërtoni këtë shtet dhe këtë të ardhme më të mirë”.
“Jam optimiste për të ardhmen tuaj. SHBA-të do të qëndrojnë me ju, ne jemi partnerët tuaj, miqtë tuaj dhe do t’iu ofrojmë ndihmë dhe përkrahje. Megjithatë, puna kryesore duhet të kryhet këtu, nga Qeveria juaj dhe nga populli juaj”, u shpreh Sekretarja amerikane e Shtetit.
Duke i quajtur të rinjtë e Kosovës, si çelësi i së ardhmes, Clinton inkurajoi ata që të marrin një rol aktiv në të gjitha sferat e jetës.
Hillary Clinton tha se është e lidhur emocionalisht me Kosovën, një ndjenjë kjo shumë e shprehur edhe te shqiptarët e Kosovës.
Për të nderuar përkushtimin e familjes Clinton, kohë më parë, në bulevardin Bill Clinton, u vu statuja e ish-presidentit Clinton.
Sekretarja Clinton e ka parë për së afërmi të mërkurën këtë statujë dhe e pyetur nëse e pëlqente atë, ajo u shpreh:
“Burri im ende duket me flokë ngjyrë kafe, ashtu siç i ka pasur kur jemi martuar dhe statuja ma kujton atë. Dhe, natyrisht, që më pëlqen statuja. Askush nuk duhet ta lyejë në të bardhë atë, ruajeni këtë ngjyrë”.