Shpërthimi social, real

Prishtina

Qytetarët e Kosovës kanë më shumë arsye ekonomike sesa politike për protesta, vlerëson raporti i fundit i Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara, UNDP. Mytaher Haskuka nga UNDP-ja thotë se nga hulumtimet e fundit del se problemet kryesore të qytetarëve janë ato ekonomike dhe sociale. Muhamet Mustafa, ekspert për çështje të ekonomisë thotë se të gjitha problemet ekonomike dhe sociale mund të stimulojnë pakënaqësi dhe protesta. Ndërkaq, sociologu Fadil Maloku, vlerëson se mundësia e një shpërthimi social është shumë reale.


Raporti i fundit i Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara, UNDP, i quajtur “Pulsi publik”, tregon se arsyeja e qytetarëve të Kosovës për të protestuar për çështje ekonomike është më e madhe sesa për çështje politike.

Sipas këtij raporti, 62 për qind e qytetarëve të anketuar, kanë shprehur arsye për të protestuar për arsye ekonomike, ndërkaq për arsye politike, 55 për qind.

Mytaher Haskuka, kryesues i politikave kërkimore në UNDP, thotë se ky trend po vazhdon tash e disa vjet dhe se Qeveria e Kosovës duhet të jetë e vëmendshme në këtë drejtim.

”Në përgjithësi, në këto katër apo pesë hulumtimet e fundit, përafërsisht na del që problemet ekonomike janë probleme që më shumë dalin ose parashtrohen nga ana e qytetarëve, kur i pyesim ata se cilat janë problemet kryesore që ata i kanë. Për shembull, këtu del papunësia, gjendja ekonomike e familjes, e kështu me radhë, si probleme kryesore”.


“Në këtë aspekt, besoj që kjo është vazhdimësi e asaj që qytetarët janë më të gatshëm të protestojnë për shkaqe ekonomike sesa politike. Në përgjithësi, nëse nuk rregullohet gjendja ekonomike, në periudhë afatgjatë, kjo do të krijojë edhe probleme tjera të aspektit të sigurisë”,
thotë Haskuka.

Ndryshe, edhe ekspertët e ekonomisë pohojnë se, bazuar në situatën ekonomike dhe sociale në Kosovë, vlerësimet e UNDP-së janë reale.

Muhamet Mustafa, ekspert për çështje të ekonomisë nga Instituti “Riinvest”, vlerëson se pjesa më e madhe e qytetarëve të Kosovës janë të preokupuar me pozitën e tyre sociale, me mundësitë e tyre për të gjetur punë dhe për t’u shpërblyer në mënyrë adekuate për atë punë, si dhe me problemet që kanë të bëjnë me varfërinë.

Sipas Mustafës, duhet pasur parasysh se një pjesë e madhe e qytetarëve të Kosovës janë në linjën e varfërisë, ndërkaq rreth 18 për qind e tyre janë në varfëri të skajshme.

“Çështjet tjera që ndërlidhen me këtë, kanë të bëjnë me aspekte të qeverisjes ekonomike, përkatësisht me rritjen ekonomike, me transparencën buxhetore, me problemin e korrupsionit që ndërlidhet me aspekte sociale dhe perceptimet mbi mënyrën e shpërndarjes së vlerës së re në Kosovë”.

“Do të thotë, se a është progresi ekonomik i njerëzve i bazuar në punë apo përmirësimi i gjendjes materiale të një grupi të caktuar të njerëzve në shoqëri gjen vrima në shkeljen e dispozitave ligjore për pasurim të tyre në mënyrë jo të rregullt. Të gjitha këto, mund të stimulojnë pakënaqësi dhe protesta”,
shprehet Mustafa.

Më tutje Mustafa, gjithashtu shton se rezultatet e raportit të UNDP-së duhet t’i marrë me seriozitet Qeveria e Kosovës.

“Sigurisht që duhet të merren si shumë serioze. Qëllimi kryesor i këtij raporti është që t’u japë sinjale politikë-bërësve që t’i evitojnë burimet e krizës ekonomike dhe sociale”,
vlerëson Mustafa.

Në anën tjetër, edhe hulumtimet dhe studimet empirike të Institutit për Demokraci dhe Relacione Etnike tregojnë se shkalla e gatishmërisë së qytetarëve për të protestuar për çështje ekonomike është më e lartë se për çështje politike.

Sociologu Fadil Maloku, drejtues i këtij instituti, thotë se përqindja e atyre që do të protestonin për çështje ekonomike është 69 për qind, ndërkaq për shkaqe politike rreth 59 për qind.

Maloku tërheq vërejtjen se këto shifra janë alarmante dhe se në pakënaqësitë sociale kanë ndikuar edhe në shumë procese gjatë viteve të kaluara.

Po përmendi vetëm një fakt. Ndërrimi i sistemit, apo procesi i tranzicionit, diku 70 mijë deri 90 mijë punëtorë i ka larguar nga puna. Për mua, 90 mijë punëtorë janë 90 mijë familje. Dalin diku rreth 350 mijë njerëz që ju kanoset rreziku”.

“Edhe për shkallën e varfërisë së skajshme, kemi indikacione të ngritjes; është rreth 26 për qind. Kjo do të thotë se trendët socialë shkojnë kah, do ta quaja, një alarmim”
, thekson Maloku.

Sociologu Maloku shton se shpërthimet sociale eventuale, do të pengonin edhe proceset politike. Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të jetë tejet e vëmendshme, sepse, siç thotë Maloku, erupsioni social është para shpërthimit.

“Unë ju them me kompetencë të plotë se shpërthimi është real. Indikatorët janë këta që janë, pakënaqësia është duke u rritur”.

“Në anën tjetër, kur i shtojmë këto sjelljet tjera devijuese, siç janë krimi i organizuar dhe korrupsioni, të cilat e fuqizojnë, e ngrenë me shpejtësi marramendëse këtë pakënaqësi dhe shpërthimi i këtyre trazirave sociale do të kishte konotacione shumë të rrezikshme edhe për rajonin”
, përfundon Maloku.