Fillon zbatimi i fondit për veriun?

Mitrovicë

Javën e ardhshme pritet të hapen procedurat tenderuese për investimet e para në veriun e Mitrovicës. Ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, thotë se kanë arritur marrëveshje me përfaqësuesit e serbëve në veri të Mitrovicës dhe fillimisht do të investohen 400 mijë euro. Opozita dyshon se do të ketë investim në veri.

Një shumë që nuk e kalon shifrën prej 400 mijë eurosh, do të jetë investimi i parë i Qeverisë së Kosovës në veriun e Mitrovicës, nga fondi 5 milionësh që u nda për Mitrovicën dhe tri komunat tjera veriore ditë më parë.

Procedurat tenderuese për rregullimin e infrastrukturës rrugore, të ndriçimit publik dhe projektet për ndihmë familjeve në gjendje të rëndë sociale, sipas Ministrisë së Pushtetit Lokal, pritet të hapen javën e ardhshme.

Ministri Sadri Ferati thotë se shuma fillestare prej 400 mijë eurosh do të shpenzohet brenda këtij viti fiskal.

“Ky është përcaktimi ynë dhe besoj se ashtu do të ndodhë. Edhe përzgjedhja e projekteve ka pasur këtë moti- të përzgjidhen projektet që do të përfundojnë brenda 45 ditëve”, tha Ferati.

Menjëherë pas ndarjes së fondit të Qeverisë për veriun, kanë pasuar reagimet e qytetarëve dhe të politikanëve të Mitrovicës, të cilët i kanë refuzuar paratë e Prishtinës.

Por, ministri Ferati tregon për një situatë tjetër në terren.

Sadri Ferati

“Treguesit në terren tregojnë një situatë krejt ndryshe nga deklarimet e disa individëve. Qytetarët janë shumë të interesuar që të bashkëpunojnë dhe të përfitojnë nga këto mbështetje që i jep Ministria dhe Qeveria e Republikës së Kosovës”.

“Ata janë disa zëra të vetmuar, të nisur nga motivet politike, e sidomos kjo pjesa, që do të dëshironin kurrë të mos ndryshonte kjo situatë, sepse kanë përfituar më shumë se kurrë dhe zakonisht janë motive për përfitime të ndryshme. Ata nuk paraqesin mendimin e shumicës së qytetarëve të Mitrovicës”
, thotë Ferati.


Me fondin e ndarë, Qeveria synon që të integrojë këtë pjesë të banuar me shumicë serbe, e cila nuk i nënshtrohet autoritetit të Prishtinës.

Por, përfaqësues të opozitës i quajnë qesharake mjetet e ndara nga Qeveria. Burim Ramadani, sekretar i përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se i tërë veriu duhet të shpallet zonë e interesit nacional.
Efekti nuk mund të arrihet me 400 mijë euro, e as me 5 milionë, duhet të ketë çelës tjetër, që quhet zonë e interesit
nacional...


“Çdo investim në veri është investim në Kosovë. Prandaj, se çfarë ndikimi dhe çfarë efekti do të kenë ato, varet nga projektet, nëse financohen projektet e duhura dhe normalisht nga shuma që financohet. Sa më shumë që të financohet ajo pjesë, aq më i madh do të jetë efekti”.

“Efekti nuk mund të arrihet me 400 mijë euro, e as me 5 milionë, duhet të ketë çelës tjetër, që quhet zonë e interesit nacional, ku investohen me dhjetëra miliona euro dhe në të njëjtën kohë të vendoset sundimi i ligjit”,
konsideron Ramadani.

Për më tepër, Ramadani shprehet skeptik se Qeveria në të vërtetë do të investojë në veri.

“Edhe ky zotim i mjeteve për veriun e Kosovës mund të jetë një nga mashtrimet e radhës, sepse para katër muajve Qeveria e Kosovës ka ndarë 4 milionë euro për veriun, ose të paktën ka thënë publikisht, por ato nuk janë ndarë asnjëherë. Të gjithëve na kujtohet se ICO-ja ka bërë edhe presion publik, duke i kërkuar Qeverisë së Kosovës se ku janë ato katër milionë euro”
, thekson Ramadani.

Por, ministri Ferati sqaron se fondi prej pesë milionë eurosh i Qeverisë është i vërtetë dhe ai përfshin periudhën 2010/2011.

Për pjesën e parë prej 400 mijë eurosh, ministri Ferati thotë se tashmë janë nënshkruar marrëveshjet me përfaqësues të serbëve në veri.

Tashmë, veriu i Kosovës është shndërruar në një arenë mes Prishtinës dhe Beogradit se kush po investon më tepër, në mënyrë që t’i joshë serbët lokalë kah vetvetja.

Ndryshe nga serbët e pjesës qendrore të Kosovës, ata në veri, janë të lidhur më shumë me Beogradin zyrtar, dhe kjo, sipas analistëve, shihet me bojkotin që ata u bëjnë institucioneve të Kosovës, ndër të tjera edhe me mospjesëmarrjen në zgjedhjet e organizuara nga Prishtina zyrtare.