Ndërlidhjet

Veriu nuk i do paratë e Prishtinës


Mitrovica
Mitrovica

Në pjesën veriore të Mitrovicës vetëm gjatë këtij viti mund të derdhen 600 mijë eurot e para nga fondi 5 milionësh, që Qeveria e Kosovës ka ndarë për veriun e banuar me shumicë serbe.

Të paktën ky është synimi i ekzekutivit kosovar, megjithëse, politikanë dhe qytetarë serbë të veriut shprehin rezervat në lidhje me fondin e ndarë një ditë më parë.

Sekretari shtetëror në Ministrinë për Kosovën, Oliver Ivanoviq, ka vlerësuar se rezervat e serbëve ndaj institucioneve të Kosovës janë të mëdha dhe të drejta, meqë, sipas tij, rreziku për popullatën serbe zakonisht ka ardhur nga institucionet e Prishtinës.

Ivanoviq ka thënë se asnjë milion nuk do të ndihmojë, "sepse frika dhe mosbesimi i serbëve është shumë më i fortë sesa ndihmat financiare që mund t’i marrin”.

Por, Sadri Ferati, ministër i Pushtetit Lokal, dikasteri i të cilit në masë të madhe është përgjegjës për ndarjen e këtij fondi në veri, ka shprehur shpresë për bashkëpunimi me këtë komunitet.

“Besoj se edhe në atë pjesë ka një klimë më pranuese, më bashkëpunuese, dhe unë po shoh një vullnet dhe interes që të pranohen ndihmat dhe të ketë bashkëpunim edhe në raport me buxhetin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Ferati.

Nikola Jovanoviq, qytetar nga pjesa veriore e Mitrovicës, thotë se Qeveria e Kosovës nuk është e sinqertë në raport me banorët e veriut.
Nëse ndihmat vijnë nga Qeveria e Kosovës, atëherë kjo është blerje e popullit në pjesën veriore...


“Nëse ndihmat vijnë nga Qeveria e Kosovës, atëherë kjo është blerje e popullit në pjesën veriore. Ndërsa, nëse këto janë ndarë nga komuniteti ndërkombëtar, atëherë është krejt çështje tjetër”.

“Por, nëse fondi është nga Qeveria e Kosovës, ata tash po i flirtojnë bashkësisë ndërkombëtare kinse po mendojnë për serbët, por ata nuk mund të na blejnë me pak para”,
është shprehur Jovanoviq.

Fondi i Republikës së Kosovës kundërshtohet edhe nga Jelena Damjanoviq:
Jam kundër ndarjes së parave për veriun, është çështje politike.


“Jam kundër ndarjes së parave për veriun, është çështje politike. Nëse bëhet ashtu si thuhet për vende pune, atëherë është mirë, por nëse bëhet fjalë për diçka tjetër, si shpëlarje parash, si gjithmonë, atëherë jo, nuk jam për këtë”.

“Nuk ka nevojë, meqë ne jemi ende në Serbi dhe sigurisht, shpresojmë që Serbia të na ndihmojë. Edhe nëse bëhet fjalë për infrastrukturë, përsëri jam kundër. Kjo është vetëm politikë, që ata ta marrin veriun dhe që Kosova të jetë tërësisht e tyre. Kjo është kjo”.


Por, ministri Ferati ka theksuar se synim i ndarjes së fondit është rregullimi i jetës socio-ekonomike të qytetarëve në pjesën veriore të Mitrovicës dhe të tri komunave tjera serbe në veri.

Sadri Ferati

“I gjithë ky fond është paraparë për të ndikuar në fushën socio-ekonomike, aty ku ka nevojë më tepër në raport me vetë jetën e qytetarëve dhe në pjesën tjetër të zhvillimit ekonomik, qoftë në infrastrukturë për të përmirësuar kushtet e jetës së qytetarëve apo për të gjeneruar zhvillim ekonomik”
, ka theksuar Ferati.

Për shkak të përmbylljes së vitit fiskal, këtë vit mund të investohen vetëm 600 mijë euro.




Por, edhe më tej nuk janë identifikuar fushat ku do të derdhet pjesa tjetër e fondit 5 milionësh. Ndërsa, këtë vit, do të përfitojë pjesa veriore e Mitrovicës.

“Kemi projekte të gatshme dhe mund t’i implementojmë më shpejt. Numri më i madh i këtyre projekteve për këtë vit është në Mitrovicë, pjesën veriore të këtij qyteti”
, ka sqaruar Ferati.

Një dilemë tjetër që është ngritur pas ndarjes së fondit, është mungesa e strukturave legjitime lokale në këto komuna veriore, ku pushteti kontrollohet nga organet paralele serbe.

Ministri Ferati jep detaje se me kë do të bashkëpunohet:

“Situatën nuk e kemi të njëjtë në të gjitha rastet, në të gjitha komunat. Do t’i shpjegoj disa nga format, me të cilat ne po bashkëpunojmë. Së pari ne kemi një administratë që është themeluar sipas urdhëresës së Shtajnerit, quhet administrata e UNMIK-ut, por që janë zyrtarë, të cilët funksionojnë sipas ligjeve të Republikës së Kosovës dhe marrin pagë e u japin llogari institucioneve - pra funksionojnë në kuadër të buxhetit të përgjithshëm të komunës së Mitrovicës”.

“Pra, të gjithë ata zyrtarë janë legjitimë, janë legalë dhe ne bashkëpunojmë me ta. Pastaj në rastet tjera, për komunën Zveçan, Leposaviq e Zubin-Potok bashkëpunojmë me zyrat lokale për komunitetet, të cilat deri tani gjithçka ka funksionuar mirë dhe me shoqërinë civile, me OJQ-të”.


Ai përjashton bashkëpunimin me strukturat paralele.

“Nuk komunikojmë, nuk bashkëpunojmë dhe nuk kontraktojmë me strukturat paralele
”, ka rikonfirmuar Ferati.

Qeveria e Kosovës ka hartuar kohë më parë një strategji për integrimin e veriut në kuadër të së cilës parashihej edhe ndarja e fondeve të veçanta, përmes të cilave synohej integrimi i kësaj pjese.

Prishtina nuk ka mundur të shtrijë asnjëherë kontrollin në veri, në të cilin pushtetin mbajnë strukturat paralele të financuara nga Qeveria e Serbisë.
XS
SM
MD
LG