Kosova kërkon njohje formale nga OKB-ja

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Skënder Hyseni, në mbledhjen e KS të OKB-së, 03 gusht 2010

Objektivi përfundimtar i Kosovës është të bëhet anëtare e KB, tha ministri Hyseni. Britania i lëshon paralajmërim të rreptë Serbisë.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, formalisht i kërkoi Këshillit të Sigurimit që të miratojë një rezolutë të re, e cila do të pasqyrojë realitetin e krijuar me pavarësinë e Kosovës.

Hyseni u kërkoi 15 anëtarëve të Këshillit të Sigurimit që ta zëvendësojnë rezolutën 12 44, nga viti 1999.

Skënder Hyseni

Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit për Kosovën, ai tha se teksti i ri “do të duhej të pasqyrojë realitetin e krijuar nga pavarësia e Kosovës dhe mbështetjen e saj nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë”.


“Kërkesa jonë për zëvendësim të 12 44-shit, është në linjë me objektivin përfundimtar të Kosovës për t’u bërë anëtare e Kombeve të Bashkuara”, deklaroi Hyseni.



Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiq, i tha Këshillit të Sigurimit se Beogradi në kurrfarë rrethanash nuk do ta njohë shkëputjen e asaj që e konsideron krahinë jugore.

Vuk Jeremiq

“Serbia është e përkushtuar të punojë me Prishtinën dhe bashkësinë ndërkombëtare për gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme nga të dy palët për të gjitha çështjet përmes dialogut paqësor. Unë besoj se duhet të angazhohemi sa më parë që të jetë e mundur”,
tha Jeremiq.

Serbia kishte prezantuar një projekt rezolutë në Asamblenë e Përgjithshme, e cila bën thirrje për negociata të reja për Kosovën, por nuk insiston në bisedime të reja për statusin.



Britania e paralajmëroi Serbinë se çdo përpjekje për të minuar pavarësinë e Kosovës, do të nxiste konfrontime me vendet që e kanë njohur Prishtinën.

Zëvendësambasadori britanik në OKB, Filip Parham, tha se pas opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ka ardhur koha që t’u jepet fund debateve rreth pavarësisë së Kosovës.

“Procesi legal para GJND-së mori fund dhe kjo nënkupton edhe fundin e debatit rreth statusit të Kosovës”, i tha Parham Këshillit të Sigurimit.
Procesi legal para GJND-së mori fund dhe kjo nënkupton edhe fundin e debatit rreth statusit të Kosovës.


Ai bëri thirrje për dialog politik ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, dhe pastaj i lëshoi një paralajmërim të rreptë Beogradit.

“Nuk mund të ketë kthim në negociata për statusin e Kosovës apo kufijtë ekzistues të saj. Çdo përpjekje për të shkuar në këtë rrugë, do ta fuste Serbinë në konfrontim me ato (shtete) që e kanë njohur Kosovën”,
tha Parham duke shtuar se:

“Çdo përpjekje për të inkurajuar ndarjen e Kosovës, apo për bisedime mbi statusin, do të ishte kundër interesave afatgjata të qytetarëve të Kosovës dhe të Serbisë. Mbretëria e Bashkuar do t’u rezistojë ashpër përpjekjeve të tilla”.

Komentet e diplomatit britanik nxitën reagim të ashpër nga ambasadori i Rusisë, Vitalij Çurkin.
Vitalij Çurkin

“Ne dëgjuam diçka që u duk si kërcënim me konfrontim nga vendet që e kanë njohur Kosovën”
.

“Ne nuk e dimë nëse një delegacion mund të flasë në emër të këtyre vendeve. Ne shpresojmë se shumica e tyre do të kenë qasje të përmbajtura”, tha Çurkin.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjithashtu shprehën mbështetje të plotë për Kosovën.
Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme, kufijtë e saj janë të pacënueshëm.




“Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme, kufijtë e saj janë të pacënueshëm”, deklaroi zëvendësambasadorja amerikane Rozmari Di Karlo.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiq, e kontestoi interpretimin e përfaqësuesit britanik për opinionin e GJND-së, duke thënë se ai në asnjë mënyrë nuk dha justifikim legal për pavarësinë e Kosovës. Jeremiq tha se përgjegjës në Kosovë ende është misioni i Kombeve të Bashkuara.

Raportin e rregullt tremujor e paraqiti shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zanier, i cili vlerësoi se situata në Kosovë ka qenë relativisht stabile.

Zanier theksoi nevojën e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për t'i ulur tensionet dhe për të ardhur te pajtimi i bashkësive etnike.