Rezoluta 12 44 e Këshillit të Sigurimit nuk përkon me realitetin në Kosovë, thonë përfaqësuesit politik në Prishtinë. Andaj, ata mbështesin kërkesën zyrtare që ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, ka parashtruar para Sekretarit të Përgjithshëm, Ban ki Mun dhe Këshillit të Sigurimit për zëvendësimin e kësaj rezolute.
Zëvendësministrja e Jashtme, Vlora Çitaku, thotë se për Kosovën tani duhet miratuar një rezolutë të re, e cila do të ishte në harmoni me statusin e saj, si shtet i pavarur.
“Ndryshimi, gjegjësisht zëvendësimi i saj me një rezolutë të re, do të reflektonte gjendjen, situatën e re në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë, e posaçërisht tani pas opinionit të GJND-së lidhur me ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës”, thotë Çitaku.
Zëvendësimin e Rezolutës 12 44 apo shfuqizimin e saj, Çitaku e sheh si një sfidë jo të lehtë, marrë parasysh përbërjen që ka Këshilli i Sigurimit, sidomos te vendet e përhershme anëtare, ku bën pjesë edhe Rusia, si një vend që ka kundërshtuar në vazhdimësi pavarësinë e Kosovës.
“Normalisht që ne jemi të vetëdijshëm që në Këshillin e Sigurimit, karshi mbështetësve, Kosova i ka edhe oponentët e saj, dhe jemi të vetëdijshëm që ky nuk do të jetë një proces i lehtë, megjithatë ne mendojmë që kjo është gjëja e drejtë për të bërë”, thekson Çitaku.
Ndërkohë, opozita në Prishtinë, edhe pse e sheh pozitive kërkesën për shfuqizimin e 12 44-shit, megjithatë tërheq vërejtjen për gjendjen e rëndë ekonomike dhe sociale në vend.
Anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini thotë se ndryshimi i gjendjes brenda Kosovës mund t’i shtyjë më lehtë përpara edhe vendimet e mëdha në Nju-Jork.
“Nuk është keq që Kosova të kërkojë zyrtarisht një gjë të tillë. Këshilli i Sigurimit është organ i Kombevet ë Bashkuara ku ne synojmë që të jemi pjesë. Mirëpo, Kosova duhet të përballet me situatën e brendshme”.
“Kosova nuk mund të jetë një katastrofë brenda dhe ta ketë paraqitjen e mirë jashtë – nuk shkojnë këto gjëra bashkë për shkak se ata njerëz në Këshillin e Sigurimit i lexojnë raportet, të cilat tregojnë se ka korrupsion, ka krim të organizuar, se mediat shtypen, se ekonomia është në rënie. Andaj, çfarëdo prezantimi i secilit ministër jashtë, është qesharak, ngase nuk mund t’i hedhin hi syve askujt”, shprehet Gjini.
Shfuqizimi i Rezolutës 12 44 dhe zëvendësimi i saj, shihet si mision i pamundur nga ana e përfaqësuesve të subjekteve serbe, të cilat bojkotojnë institucionet e Kosovës.
Marko Jakshiq, një përfaqësues i serbëve nga pjesa veriore, thotë se Kosova e mbështetur edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe një pjesë e Bashkimit Evropian synon që të krijojë shtetin e dytë shqiptar në Ballkan duke e legjitimuar atë përmes Këshillit të Sigurimit, për çka ai shpreh dyshime se mund të ketë sukses
“Personalisht mendoj se pavarësisht kërkesave të palës shqiptare, pas së cilës qëndron edhe pala amerikane, mendoj se ai propozim nuk mund të kalojë në Këshillin e Sigurimit, para së gjithash për faktin se aty është Rusia”, thotë Jakshiq.
Andaj, kjo kërkesë, sipas tij, në fund nuk do të prodhojë asgjë, pasi që Rusia e sheh Kosovën si pjesë integrale të Serbisë.
Rezoluta 12 44 ishte një kompromis i Shteteve të ashkuara me aletatët dhe Rusisë në kohën e dhënies fund të konfliktit të vitit 1999. Pas pavarësimit të Kosovës dhe hyrjes në fuqi të Kushtetutës së saj, kjo Rezolutë u bë gati se e pazbatueshme në territorin e Kosovës.
Kurse, me interpretimin e fundit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në favor të pavarësisë së Kosovës, kjo Rezolutë tashmë në Prishtinë shihet si e pakuptimtë.
Sidoqoftë, shfuqizimi i saj konsiderohet se ka të bëjë me kompromiset në politikat e qendrave vendimmarrëse ndërkombëtare.