Arrestimi i këshilltarit të ministrit të Shëndetësisë, Ilir Tolajt, nga vetë zyrtarë të institucioneve vlerësohet si zbatim në praktikë i luftës kundër korrupsionit. Megjithatë, zyrtarë të Agjencisë Anti-Korrupsion, tërheqin vërejtjen se ka shumë punë për t’u bërë. Ndërkaq, EULEX-i, që e kreu arrestimin, thotë se janë dhjetëra raste të korrupsionit, ndaj të cilave po bëhen hetime.
Disa muaj pas paralajmërimeve për luftë kundër korrupsionit, EULEX-i kreu arrestimin e parë të një zyrtari të Qeverisë, që dyshohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare dhe i është shmangur tatimit.
Zyrtarët e EULEX-it thonë se nuk do të ndalen vetëm me arrestimin e Ilir Tolajt, këshilltar i ministrit të Shëndetësisë, Bujar Bukoshi.
Zëdhënësi i këtij misioni, Blerim Krasniqi, shpjegon se prokurorët po hetojnë edhe dhjetëra raste tjera të korrupsionit në institucionet e Kosovës.
Prokuroria Speciale e Kosovës, që përbëhet nga prokurorë vendorë dhe ata të EULEX-it, është duke u marrë me 190 raste, prej të cilave 38 janë të lidhura me korrupsion...
“Prokuroria Speciale e Kosovës, e cila përbëhet nga prokurorë vendorë dhe ata të EULEX-it, është duke u marrë me 190 raste, prej të cilave 38 janë të lidhura me korrupsion”.
“Nga ky numër, një e treta e rasteve të profilit të lartë të korrupsionit, u është caktuar prokurorëve vendorë, Prokurorisë Speciale, edhe pse hetimet më të ndjeshme ende bëhen nga prokurorët e EULEX-it”, thotë Krasniqi.
Arrestimin e Tolajt e ka përshëndetur menjëherë kreu i ekzekutivit, Hashim Thaçi. Por, një ditë më pas, ai thotë se nuk do të prejudikojë rezultatin e hetimeve.
“Ne nuk duam të prejudikojmë, por motoja jonë do të jetë në vazhdimësi zero tolerancë ndaj korrupsionit krimit të organizuar dhe të gjitha dukurive negative”, thotë Thaçi.
Zyrtarët e Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe ata të EULEX-it, kanë thënë se arrestimet e fundit për korrupsion janë përpjekje e vazhdueshme në drejtim të luftës se kësaj dukurie negative.
Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsion, Hasan Preteni, thotë për Radion Evropa e Lirë, se arrestimet e fundit tregojnë rezultate më të prekshme ndaj luftës kundër korrupsionit.
“Për të luftuar korrupsionin, nevojitet një angazhim edhe i mekanizmave të tjerë. Mendoj se tani, në këtë fazë po shprehen vetëm disa rezultate më prekëse”.
“Edhe këto rezultate them se janë rezultat i bashkëpunimit më të ngushtë i këtyre mekanizmave anti-korrupsion. Do të thotë, edhe i agjencisë, edhe i prokurorive dhe të gjithë mekanizmave të tjerë”, deklaron Preteni.
Kreu i agjencisë, Hasan Preteni, thekson se mund edhe të ketë vonesa në arrestimin e personave tjerë zyrtarë, të dyshuar për korrupsion, pasi sipas tij, ende mungojnë dëshmi të prekshme, mbi të cilat do të bazoheshin prokurorët.
Sipas Pretenit, tani për tani arrestohen vetëm ata, për të cilët ka informacione të sakta se kanë kryer keqpërdorime.
“Duhet kuptuar, në këtë drejtim ne kemi informacione, po shohin edhe qytetarët e Kosovës që mu këta zyrtarë po pasurohen shumë shpejt. Nuk ka element tjetër më të fuqishëm se pasuria e tyre e krijuar shpejt”.
“Mirëpo, duhet siguruar edhe organet e ndjekjes se duhet të sigurohen provat. Vazhdimisht kemi potencuar që faza më e ndjeshme, ose periudhë, ose aktivitet, që po gjeneron korrupsion, është faza e prokurimit”.
“Me ligjin ekzistues zyrtarët e lartë nuk e kanë pasur asnjë obligim që të nënshkruhen, ose t’i trajtojnë, ose të japin shenja se janë të informuar për procedurat e tenderimit”, shprehet Preteni.
EULEX-i ka kryer bastisje në muajin prill në Ministrinë e Transportit dhe në pronat private të ministrit dhe të zyrtarëve tjerë të kësaj ministrie.
Kryeprokurori i EULEX-it, Johan Van Vresvijk, ka thënë atëbotë se keqpërdorimet mund të kapin vlerën e disa dhjetëra miliona eurove.
Por, në këtë ministri ende nuk është arrestuar askush, dhe nuk është ngritur ende aktpadi ndaj askujt. Institucionet e Kosoëvs në bashkëpunim me EULEX-in, kanë krijuar Task-Forcën Anti-korrupsion, për të luftuar këtë dukuri negative.