Rritja ekonomike përmes investimeve të drejtpërdrejta, si dhe shfrytëzimi i mirë i remitencave janë elementet kryesore të ngritjes së ekonomisë në Kosovë, kanë vlerësuar autoritete kosovare dhe përfaqësues të mekanizmave ndërkombëtarë në vend.
Autoritetet kosovare dhe mekanizmat ndërkombëtarë në Kosovë kanë identifikuar një varg problemesh, të cilat po ndikojnë drejtpërsëdrejti në rritjen ekonomike.
Gjatë konferencës së titulluar “Burimet për financimin e rritjes ekonomike: A ka para të mjaftueshme në Kosovë?”, ata kanë theksuar se mungesa e mjeteve të mjaftueshme për financimin e ekonomisë, kamatat e larta dhe integrimi jo i mjaftueshëm në tregun rajonal, janë vetëm disa nga elemente kyçe që po e pengojnë zhvillimin ekonomik.
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepi, ka thënë se Kosova së shpejti duhet të hyjë në fazën e periudhës së investimeve të gjera, në mënyrë që të jetë në gjendje të arrijë tek ekonomitë në rajon.
“Nëse ne duam ta përmirësojmë standardin e jetesës dhe t’u afrohemi niveleve të GDP-së për kokë banori në rajon, ekonomia e Kosovës duhet të rritet më shpejt se të tjerat”.
“Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm viteve të fundit, meqë ne kemi ndërtuar ekonominë tonë pothuajse nga e para. Dalëngadalë jemi duke u bërë pjesë e tregjeve dhe integrimeve ndërkombëtare dhe tani është koha për përcaktim strategjik të së ardhmes ekonomike të Kosovës”, ka thënë Rexhepi.
Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, rritja e GDP-së në Kosovë ka qenë 6 për qind gjatë dekadës së fundit. Por, kriza ekonomike globale, sipas këtyre të dhënave, ka pasur ndikim të lehtë në rritjen e GDP-së në Kosovë, duke e ngadalësuar atë në 4 për qind në vitin 2009.
Ndërkohë, sa i përket burimeve të financimit për rritje ekonomike, guvernatori Rexhepi ka shprehur mendimin se më i preferuar do të ishte kombinimi i të gjitha burimeve të financimit, siç është ai privat, publik si dhe nga investimet e huaja.
“Pa marrë parasysh se cili burim do të dominojë në financimin e rritjes sonë ekonomike në një të ardhme të afërt, do të jetë sistemi financiar i Kosovës ai që do t’i ndërmjetësojë ato fonde”, ka theksuar Rexhepi.
Autoritetet kosovare, ndërkaq kanë shprehur shpresë se një rritje ekonomike në Kosovë mund të bëhet përmes privatizimit të ndërmarrjeve publike.
Lidhur me këtë kreu i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, Renzo Davidi, ka thënë se përmirësimi i gjendjes së autoriteteve rregullative do të jetë i rëndësishëm për procesin e privatizimit në Kosovë, sikurse në sektorin e energjetikës, ashtu dhe në sektorin e telekomunikacionit.
“Një nga çështjet kryesore që duhet të adresohet, veçanërisht në drejtimin, në të cilin po ecim - pra, privatizimit të shpejtë - është çështja e autoriteteve rregullative dhe mënyrës se si mund të ndërhyjnë ata në pavarësinë e tyre dhe në mënyrën se ai ato mund ta nxisin konkurrencën”, ka thënë Davidi.
Më kritik për gjendjen aktuale ekonomike në Kosovë është shprehur drejtori i Institutit për Hulumtime të Avancuara, Shpend Ahmeti. Ai ka kritikuar autoritet kosovare për reformat e pakta që janë duke u bërë në ekonominë e Kosovës.
“Ne po mbesim me ato problemet e njëjta dhe përveç investimeve në fushata të evropianëve të rinj - investim në imazhin e Kosovës, shumë pak ka investime në reforma aktuale, që për ne do të thoshin edhe përmirësim të imazhit në aspektin relevant që do të na sjellin edhe reforma edhe mirëqenie më të mirë për të gjithë qytetarët tanë”, ka vlerësuar Ahmeti.
Sipas Ahmetit, reformat mund t’i shtyjë vetëm një treg i decentralizuar mirë. Ai ka paralajmërua që edhe në vitin 2010 mund të pritet rënie e investimeve të huaja.
Ndërkaq, ka kërkuar nga bankat që të definojnë se ku qëndron risku dhe cilat janë reformat që qeveria nuk po i kryen, në mënyrë që ato të lëshojnë më shumë kredi.