Përfaqësuesit e Bankës Botërore, në një raport të publikuar mbi zhvillimet ekonomike në Kosovë, kanë kritikuar autoritetet kosovare se nuk kanë bërë asgjë deri më tani, për të adresuar problemin e zhvillimit të ulët ekonomik dhe përmirësimin e politikave zhvillimore. Ata kanë potencuar se është koha e fundit për të bërë reforma të thella.
Përfaqësuesi i Bankës Botërore, Borko Handjiski, ka thënë se rritja ekonomike e viteve të shkuara ishte e fokusuar në burime të jashtme, përkatësisht nga donatorët dhe remitencat - dy burime këto, të cilat, siç është shprehur ai, nuk do të jenë në gjendje të sjellin një rritje të qëndrueshme ekonomike në të ardhmen.
“Rritja e qëndrueshme duhet të bazohet në asetet dhe burimet kryesore të Kosovës. Këto tri asete kryesore janë: 1. Burimet natyrore; 2. Popullata apo fuqia punëtore; 3. Tokat bujqësore. Një aspekt tjetër i rëndësishëm është lokacioni dhe pozita e Kosovës në krahasim me vendet e rajonit”, ka thënë Handjiski.
Në raportin e Bankës Botërore thuhet se investimet më të larta janë bërë nga sektori publik si dhe ai i patundshmërive. Prandaj, ky institucion ka rekomanduar që Kosova ta ndërrojë modelin e vet të rritjes ekonomike dhe ta mbështesë atë në shfrytëzimin e resurseve natyrore, në fuqinë e re punëtore që ka, si dhe në shfrytëzimin më të mirë të tokës bujqësore.
Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, ka thënë se ky memorandum do të jetë udhërrëfyes për Qeverinë dhe institucionet vendore.
“Dua të theksoj se agjenda e politikave të Qeverisë së Kosovës në shumë aspekte është në përputhshmëri me rekomandimet e Bankës Botërore dhe mund të them se do të jetë në vazhdimësi e përkushtuar për të inkorporuar elemente nga ky memorandum”, ka thënë Shala.
Ekspertët e Bankës Botërore, të cilët kanë punuar në këtë raport, kanë thënë se me 14 miliardë tonë të linjitit, sa janë rezervat e Kosovës, do të mund të mbështetet prodhimi i energjisë për një shekull të tërë, por këto rezerva, sipas tyre, nuk po shfrytëzohen ende në drejtimin e duhur.
Zyrtarja e Bankës Botërore, Laura Kullenberg, ka thënë se përmes këtij dokumenti, që e kanë hartuar në bashkëpunim me autoritetet vendore, kanë tentuar të japin disa rekomandime për të shtyrë përpara zhvillimin ekonomik.
“Banka Botërore është e gatshme të ndihmojë zbatimin e disa prej këtyre politikave të veprimit, të cilat dalin nga dokumenti. Në të ardhmen e afërt, ne planifikojmë të organizojmë ngjarje tematike në lidhje me disa sektorë me autoritetet dhe donatorët, në mënyrë që të promovohet zbatimi efektiv i politikave të propozuara dhe në mënyrë që të nxitet një koordinim në mes të donatorëve”, është shprehur Kullenberg.
Ajo ka theksuar se autoritetet vendore duhet të fokusohen në rritjen e eksportit, që aktualisht është shumë i ulët, si dhe në rritjen e investimeve të huaja - si dy elemente kyçe për zhvillim më të shpejtë.
Ndër të tjera, në memorandumin ekonomik të vendit thuhet se Kosova tani ka një raport shumë të ulët të kontributit të eksporteve në rritjen ekonomike, apo në GDP, që është vetëm 5 për qind apo rreth 25 për qind më i ulët se mesatarja e vendeve të rajonit.
Sa u përket sfidave kryesore, të cilat i raportojnë bizneset që vijnë për të investuar në Kosovë, janë: mungesa e energjisë elektrike, moszbatimi i ligjit, si dhe koha e gjatë që kërkohet për të bërë një biznes në Kosovë.
Sipas Bankës Botërore, investitorët gjithashtu janë ankuar për korrupsion dhe mendojnë se gjyqësori është shumë i ngadalshëm dhe joefikas.