Në Panairin XII të Librit, i cili pritet të hapet të hënën në Prishtinë, parashihet të marrin pjesë rreth 100 shtëpi botuese nga të gjitha viset shqiptaret. Përfaqësuesit e Shoqatës se Botuesve të Kosovës që e organizojnë këtë panair, thonë se gjatë kohës sa do të zgjasë panairi, do të prezantohen rreth 1500 tituj të rinj librash.
Për të dymbëdhjetën herë me radhë në Prishtinë, nga data 7 e deri më 13 qershor, në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve do të mbahet Panairi i Librit.
Organizatorët thonë se në këtë eveniment pritet të marrin pjesë rreth njëqind shtëpi botuese nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe viset e tjera.
Daut Demaku, kryetar i Shoqatës se Botuesve të Kosovës, thotë se në ketë panair kryesisht do të ekspozohen tituj të rinj librash.
“Kemi një interesim të jashtëzakonshëm të të gjithë botuesve shqiptarë nga Kosova, Shqiëpria, Maqedonia, Mali i Zi, Presheva, Bujanoci dhe diaspora dhe jemi të sigurt se sivjet oferta do të jetë shumë e pasur, shumë e begatshme”.
“Parashihet që do t’i kemi rreth 1500 tituj të rinj. Sipas një standardi normal evropian, në 1 milion banorë botohen 800 tituj të rinj. Nëse në Panairin XII do të arrijnë 1500 tituj të rinj, atëherë standardeve evropiane Kosova po u afrohet me segmentin e quajtur libër”, thotë Demaku.
Gjatë shtatë ditëve, sa edhe do të zgjasë panairi, Demaku bën të ditur se do të jenë të pranishëm shumë shkrimtarë, ku do të ketë edhe aktivitete përcjellëse, si debate, përurime librash etj.
“Pjesë që e begatojnë panairin jemi përpjekur t’i bëjmë disa manifestime. Do të jetë përvjetori i Fishtës, përvjetori i Anton Çettës, përvjetori i Zekeria Rexhës, përvjetori i abetares së Zymit. Do të jetë edhe 80-vjetori i lindjes së Ramiz Kelmendit”.
“Deri më tash, kërkesa për promovime është e jashtëzakonshme dhe na kanë venë në siklet që të gjejmë hapësirë për secilin nga ta. Do të jenë afërsisht 40 promovime”, bën të ditur Demaku.
Nga ana tjetër, Abdulla Zeneli, drejtori i Shtëpisë Botuese “Buzuku”, thotë se interesimi i lexuesve obligon pjesëmarrjen në këtë panair.
Sipas tij, në këtë eveniment, Shtëpia Botuse “Buzuku”, do të prezantohet me një numër të konsiderueshëm të titujve të rinj.
“Janë 40 deri 50 tituj në dy vitet e fundit që do të prezantohen. Do të ketë edhe një retrospektivë të botimeve të mëhershme. Por, është paralajmëruar dhe një maket botimesh, siç janë tri librat e novelistit Le Klezio, dy librat e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, pastaj edhe libra të tjerë nga fusha e përkthimeve origjinale etj”, shprehet Zeneli.
Përfaqësuesit e Shoqatës se Botuesve të Kosovës që organizojnë këtë panair njoftojnë se hapjen e Panairit XII Librit, do ta bëjë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, dhe Ministri i Kulturës, Lutfi Haziri.