Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, ka udhëzuar Policinë e Kosovës që të refuzojë hyrjen e paautorizuar të personave, që synojnë të realizojnë vizitë zyrtare në territorin e Kosovës.
Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë ka udhëzuar Policinë e Kosovës që t’ua refuzojë hyrjen në territorin e Kosovës zyrtarëve të huaj shtetërorë, po qe se ajo nuk është e autorizuar nga institucionet kosovare.
Pas vizitave të ditëve të fundit të politikanëve serbë në veri, të realizuara në kuadër të fushatës elektorale të zgjedhjeve lokale serbe, autoritetet kosovare i patën kërkuar EULEX-it dhe Zyrës Civile Ndërkombëtare që të mos ketë vizita të paautorizuara të përfaqësuesve të Serbisë.
Zëdhënësi i EULEX-it, Hans Kristian Klasing, i tha Radios Evropa e Lirë se me udhëzimin e EULEX-it drejtuar strukturave policore kosovare, është njoftuar edhe Beogradi zyrtar.
“Pas ngjarjeve të fundit lidhur me vizitat e paparalajmëruara të zyrtarëve serbë në Kosovë dhe në bashkëpunim të ngushtë me Brukselin dhe Zyrën e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian në Kosovë, EULEX-i i ka dhënë udhëzime Policisë së Kosovës se, në rast se vizita nuk është e autorizuar, duhet të refuzohet hyrja".
"Kjo përfshin bartësit e armëve, të cilëve po ashtu do t’u refuzohet hyrja, me përjashtim të autorizimit paraprak. Lidhur me vizitat private duhet të zbatohen masat e zakonshme të kontrollit. Vizitorët privatë nuk janë të autorizuar të bartin armë”, u shpreh Klasing.
Gjatë dy javëve të shkuara, pa marrë leje nga autoritetet kosovare, në veri të Kosovës qëndruan tre politikanë serbë: udhëheqësi i radikalëve serbë, Tomisllav Nikoliq, pastaj ish-kryeministri serb, Vojisllav Koshtunica, dhe ish-ministri në Qeverinë e këtij të fundit, Sllobodan Samarxhiq.
Gjatë së martës, një delegacion tjetër nga Beogradi vizitoi disa lokacione në Kosovë, duke i respektuar, siç thuhet, procedurat shtetërore për realizimin e vizitave zyrtare.
Prefekti i Beogradit, Dragan Gjillas, i cili gjatë qëndrimit të tij në Kosovë thuhet se u shoqërua nga këshilltari i presidentit serb, Mllagjan Gjorgjeviq, realizoi vizitën e tij në vend nën përcjelljen e forcave të Policisë së Kosovës. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Arbër Beka, tha se kërkesa për përcjellje policore i është adresuar Policisë së Kosovës nga Qeveria e vendit, dy ditë më parë.
“Policia e Kosovës ka pranuar një kërkesë të aprovuar për vizitë zyrtare nga Gjillasi, ose kryetari i kuvendit komunal të Beogradit, për të bërë një vizitë në Republikën e Kosovës. Si kërkesë e aprovuar, përgjegjësi e Policisë së Kosovës është që të ofrojë përcjellje policore derisa të përfundojë vizita”, bëri të ditur Beka.
Kërkesa për vizitë në Kosovë e Gjillasit thuhet se i ishte drejtuar, kohë më parë, Zyrës së Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian në Kosovë, e cila këtë kërkesë ia ka përcjellë Ministrisë së Punëve të Jashtme, ndërsa vendimin për ta lejuar vizitën thuhet se e ka nënshkruar një nga zëvendëskryeministrat e Kosovës.
Zëdhënësja e Zyrës së Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian në Kosovë, Julia Reuter, shpjegoi rolin e kësaj zyre lidhur me vizitat zyrtare që synohen të bëhen nga përfaqësues të huaj shtetërorë në Kosovë:
“Roli i zyrës së Përfaqësuesit Special të BE-së është t'i kalojë kërkesat për vizita zyrtare. Pastaj, u takon autoriteteve kosovare të vendosin për to, bazuar në procedurat ekzistuese”.
Përfaqësues të skenës politike serbe kanë shpeshtuar së fundi vizitat e tyre në territorin e Kosovës, për t’i bindur banorët serbë të disa zonave në vend që të votojnë në zgjedhjet lokale, të cilat pritet të zhvillohen më 30 maj.
Fushata elektorale për zgjedhjet lokale serbe po zhvillohet përkundër deklarimeve të zyrtarëve ndërkombëtarë se nuk do ta njohin rezultatin e tyre.
Lexoni edhe këtë: Kush lejon e kush ndalon vizitat e zyrtarëve serbë?