Ndërlidhjet

Kush lejon e kush ndalon vizitat e zyrtarëve serbë?


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Misioni evropian u ka kërkuar zyrtarëve serbë që t’i respektojnë procedurat e parapara, nëse duan të vizitojnë Kosovën. Ish-kryeministri serb, Vojisllav Koshtunica, nuk ka kërkuar leje për vizitën e së dielës në veri të Mitrovicës.



Autoritetet vendore fajësojnë misionin evropian për sundimin e ligjit, EULEX, se ka lejuar hyrjen e zyrtarëve serbë në Kosovë, pa kërkuar ata leje paraprake.

Ish-kryeministri serb, Vojisllav Koshtunica, i përcjellë me roje të armatosura, ka qëndruar në veriun e Mitrovicës, për të marrë pjesë në fushatën për zgjedhjet lokale, që Serbia i organizon në këtë qytet.

Zyra e Përfaqësuesit të Bashkimit Evropian në Kosovë ka konfirmuar se Koshtunica nuk ka kërkuar fare leje për vizitën e tij.

Kohë më parë, ka pasur raste kur politikanët serbë që kanë vizituar Kosovën në kapacitetet zyrtare, pa marrë leje pararpake, janë larguar nga Kosova nga ana e Policisë së Kosovës.

Në rastin e Koshtunicës, vetë ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka pranuar se Policia nuk ka mundur të veprojë në veri, për shkak të mungesës së kapacitetit të plotë. Ai ka thënë se është kërkuar nga EULEX-i që të mos lejojë hyrjen. Por, EULEX-i thotë se nuk është përgjegjës për të ndaluar vizita të tilla.

“EULEX-i nuk është përgjegjës për t’u dhënë leje zyrtarëve apo delegacioneve, që duan të vijnë në Kosovë. Ekzistojnë procedurat për të tilla vizita dhe në këtë rast procedurat nuk janë zbatuar. Kështu që EULEX-i nuk ka mundur të jetë i njoftuar për vizitën”.

“Ne kërkojmë fuqishëm nga zyrtarët serbë që t’i respektojnë rregullat. Natyrisht se ekziston liria e lëvizjes për qytetarët dhe personat në kapacitetin e tyre privat, por për zyrtarët duhet të respektohen procedurat”,
thotë Kristina Herodes, zëdhënëse e EULEX-it.

Koshtunica ka hyrë në Kosovë përmes vendkalimit kufitar të quajtur porta 1 në veri të vendit. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Arbër Beka, thotë se në këtë kalim kufitar, policia vendore nuk ka rol ekzekutiv, rrjedhimisht nuk ka mundur të mos lejojë hyrjen e zyrtarëve serbë.

“Policia e Kosovës nuk ka qenë e informuar për këtë vizitë apo të ndonjë delegacioni apo zyrtari nga Republika e Serbisë”.

“Përmes zinxhirit komandues, nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, përmes Ministrisë së Punëve të Brendshme janë përcjellë shqetësimet tona te Bashkimi Evropian, që nënkupton kërkesën për legjitimimin e personave zyrtarë, e sidomos nëse këta persona zyrtarë si delegacion kanë me vete edhe truprojat, që mund të kenë edhe armatim”,
thotë Beka.

Sipas procedurave, çdo zyrtar serb që dëshiron ta vizitojë Kosovën, duhet ta njoftojë paraprakisht zyrën e Përfaqësuesit të BE-së (EUSR). Pastaj, kjo zyrë i njofton autoritetet kosovare, të cilat lejojnë ose nuk lejojnë vizitat në fjalë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka thënë se e kanë këtë përgjegjësi, por rasti i veriut, sipas tij, bën përjashtim. Për këtë arsye, Rexhepi ka thënë se është kërkuar ndihma e EULEX-it për të ndaluar hyrjen e Koshtunicës dhe të rojave të tij të armatosura.

Ai ka kritikuar misionin evropian, duke thënë se këtë çështje do ta shtrojë edhe në takimet e ardhshme me zyrtarët e këtij misioni.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG