Kaosi juridik në veri

Gjykatat në veri

Për shkak të mungesës së funksionimit të sistemit gjyqësor në veri të Kosovës, në këtë pjesë të vendit është prezent kaosi, vlerësojnë analistët dhe njohësit e çështjeve të drejtësisë.


Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, sistemi gjyqësor në veri të vendit nuk është duke funksionuar dhe kjo është pasojë e mungesës së vullnetit politik, që edhe në këtë pjesë të vendit të realizohet ligji - vlerësojnë analistët dhe njohësit e çështjeve të drejtësisë.

Ata thonë se mekanizmat ndërkombëtarë, të instaluar në Kosovë, duhet patjetër t’i ndërmarrin masat e duhura, që ky sistem të funksionojë ashtu siç është e paraparë me Kushtetutë dhe me ligj.

Ish-ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi, thotë se përfaqësuesit ndërkombëtarë, në këtë rast EULEX-i, nuk janë duke punuar me transparencë, lidhur me zgjidhjen e kësaj çështjeje. Si shembull, ajo përmend propozimet e tyre për emërimin e dy gjyqtarëve, të cilët njëkohësisht janë dekretuar nga presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, për gjyqtarë të Gjykatës Paralele të Qarkut në Mitrovicë.

“Kurrsesi nuk mund të emërohen gjyqtarë ata që janë dekretuar nga Tadiqi. Ka pasur dy propozime të tilla, por nuk janë vetëm ata dy, janë edhe gjyqtarët e Leposaviqit dhe Zubin Potokut që i ka emëruar ai. Të gjithë i ka emëruar”,
thotë Kelmendi.

Në anën tjetër, profesori i së drejtës penale, Ismet Salihu, konsideron se veriu i Kosovës, më se dhjetë vjet, gjendet në kaos sa i përket realizimit të ligjshmërisë.

“Kaosi është duke vepruar atje që 10 apo 11 vjet dhe do të veprojë edhe në të ardhmen, nëse tolerohet kjo gjendje. Kaosi do të vazhdojë dhe mund të eskalojë e të jetë edhe më i madh në aspektin politik, në aspektin e sigurisë, në aspektin e integritetit të territorit të Kosovës. Kjo është pa precedent. Në asnjë shtet të Evropës, e nuk besoj se ka diku edhe në botë që lejohet kjo”, shprehet Salihu.

Daljen nga situata e tanishme, zonja Kelmendi e sheh në emërimin e bartësve të funksioneve të drejtësisë në veri të vendit nga institucionet e Kosovës.

“Këshilli gjyqësor duhet t’ia rekomandojë presidentit dhe presidenti i Republikës, Fatmir Sejdiu, t’i dekretojë”, thotë Kelmendi.

Por, zoti Salihu konsideron se situata e tanishme duhet të tejkalohet në bashkëpunim me zyrtarët ndërkombëtarë, konkretisht me ata të EULEX-it.

“Sipas konceptit që është përvetësuar dhe deklaratave të pushtetarëve tanë dhe të EULEX-it, sidomos të kryesuesit të EULEX-it, zotit Kermabo, kjo çështje duhet të zgjidhet për një kohë, sipas tyre jo të shpejtë”.

“Se sa do të jetë kjo, nuk e di, por ata mendojnë njëherë për njëherë me biseda, me mjete politike, ekonomike, me bindje, që të fillojë zbatimi i ligjit, përkatësisht funksionimi i gjykatave në këtë pjesë të territorit të Kosovës”
, thotë Salihu.

Ndërsa, zonja Kelmendi vlerëson se EULEX-i nuk është transparent ndaj institucioneve të Kosovës dhe, sipas saj, opinionit i ofrohen informata të selektuara.

“Në mënyrë selektive, janë transparentë. Ato gjëra që tashmë dihen dhe janë ‘de zhavu’, ata dalin dhe i përmendin ato. Ndërkaq, ato esenciale që janë, nuk i përmendin”.

“Për shembull, nuk e kanë përmendur se kanë arritur një marrëveshje, nuk e di se a është nënshkruar, për këta gjyqtarët, Krivokapiq dhe Tomisllav Petroviq, që i ka emëruar Serbia. Ata i kanë propozuar që të vijnë këtu të punojnë. Pse nuk kanë qenë transparentë dhe të tregojnë se këta janë njerëzit që duan të vijnë? Atëherë, ata po vijnë me dy statuse, edhe gjyqtarë të Serbisë, edhe gjyqtarë të Kosovës
”, thotë Kelmendi.

Sidoqoftë, ish-ministrja e Drejtësisë thotë se, pavarësisht se institucionet e Kosovës angazhohen për gjykata shumetnike, zgjidhja e mundshme, tash për tash, është që gjyqësori në veri të fillojë punën me gjykatës shqiptarë dhe ndërkombëtarë, në mënyrë që të krijohen kushtet që ndërkohë të kyçen edhe gjyqtarët serbë.