Bankat komerciale në Kosovë kanë ngritur normat e interesit për kredi. Ekspertët e çështjeve ekonomike kanë reaguar ndaj kësaj ngritjeje, duke vlerësuar se një gjë e tillë do të prodhojë efekte negative ndaj bizneseve dhe zhvillimit ekonomik të Kosovës.
Rritja e normave të interesit, të ashtuquajtura pozitive, në kredi nga bankat komerciale në Kosovë, është kundër interesave të biznesit dhe zhvillimit ekonomik në Kosovë, vlerësojnë ekspertët e çështjeve ekonomike.
Bankat komerciale kanë ngritur normat e interesit për kreditë personale nga 10.8 në 12 për qind, për kreditë për biznes nga 12 në 15.6 për qind, ndërkaq për agro-kreditë nga 15 në 24 për qind.
Musa Limani, drejtues i Institutit Ekonomik të Kosovës, vlerëson se normat e interesit të kredive, të cilat i kanë dhënë bankat komerciale në Kosovë, kanë qenë të larta edhe deri më tash, ndërkohë që ngritja e tyre, sipas tij, do të reflektojë efekte negative.
“Tash, pasi që janë ngritur këto norma, efektet e kredisë do të jenë shumë më negative sesa deri më tani, për arsye se kushtet, me të cilat tani ato jepen, do të thotë me këto norma kaq të larta të interesit, e zvogëlojnë kërkesën për kredi”.
“Vetë fakti i zvogëlimit të kërkesës për kredi, zvogëlon dhe kufizon mundësinë e hapjes së vendeve të reja të punës dhe normalisht edhe të zhvillimit ekonomik të Kosovës. Prandaj, lidhur me këtë, mbi politikën kreditore nuk mund të vendosin në mënyrë të pavarur bankat komerciale, edhe pse ne veprojmë në ekonominë e tregut”, thotë Limani.
Edhe Safet Gërxhaliu, nga Oda Ekonomike e Kosovës, thotë se ngritja e normave të interesit në kredi nga bankat komerciale, është fakt shqetësues dhe, sipas tij, do të ketë efekte negative enorme në komunitetin e biznesit.
“Do të ndikojë në mënyrë direkte apo indirekte në zgjerimin e kapaciteteve prodhuese apo të ekzistimit të bizneseve, do të ndikojë në përmirësimin e pasqyrës së këmbimit tregtar të Kosovës”.
“Ajo çka është më shqetësuese, është fakti se, si duket, duhet pranuar realitetin se në Kosovë po ekziston ndonjë ujdi në mes bankave komerciale, që niveli i kamatave të jetë në harmoni me njëra-tjetrën. Kjo e dëshmon faktin tjetër, se Kosova, si duket, është i vetmi vend në botë, ku bankat pasurohen në kurriz të bizneseve e bizneset nuk zgjerohen me përkrahje nga institucionet bankare”, thotë Gërxhaliu.
Ndryshe, zoti Limani konsideron se lidhur me këtë çështje duhet të intervenojë Qeveria e Kosovës dhe përmes Bankës Qendrore të marrë masa konkrete.
“Qeveria, përmes Bankës Qendrore, duhet ta hartojë një strategji, një politikë kreditore, e cila është në funksion dhe në interes të bizneseve si dhe, normalisht, kredive individuale. Prandaj, ata duhet t’i bëjnë kornizat, prej ku dhe deri ku mund të jetë norma maksimale e interesit për dhënien e kredive, si dhe prej ku dhe deri ku duhet të jetë norma për depozitë”.
“Unë mendoj se një politikë e tillë, e cila paraqet një nënsistem shumë të rëndësishëm në kuadër të politikave zhvillimore makroekonomike, nuk mund të lihet në duar edhe në mënyrë të pavarur që për këtë gjë të vendosin bankat komerciale”, deklaron Limani.
Ngjashëm shpreh mendimin edhe zoti Gërxhaliu:
“Është koha kur Banka Qendrore duhet të marrë më tepër hapa konkretë, ta gjejë një mundësi që vërtet një dukuri e tillë të ketë trend të uljes”.
“Por, si duket, për këtë rrugë apo për një veprim të tillë nuk ka gatishmëri dhe e tëra kjo do të jetë një pësim apo do të jetë edhe një grusht i rëndë për proceset zhvillimore, sidomos ndaj ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme të Kosovës”, thekson Gërxhaliu.
Sidoqoftë, ekspertët e çështjeve ekonomike thonë se bankat komerciale, përmes ngritjes së normave të interesit për kredi, në mënyrë indirekte po përpiqen që t’i ndalojnë kreditë dhe në këtë mënyrë ta sigurojnë veten nga situata e krijuar nga kriza financiare botërore.