Në Prishtinë është hapur ekspozita në nderim të viktimave të Holokaustit. Në ketë ekspozitë paraqiten fotografi të disa hebrenjve, të cilët, gjatë Luftës së Dytë Botërore, ishin të strehuar në familjet kosovare.
Familjarët e familjeve që kanë strehuar në atë kohë hebrenj, thonë se ndihen krenarë për veprën që paraardhësit e tyre kanë bërë për të shpëtuar njerëz.
Me këtë rast, kryetari i Shoqatës së Miqësisë Kosovë-Izrael “Dr Haim Abravanel”, Agron Rezniqi, tha se me mirënjohjen, të cilën para një viti e ka marrë familja Rezniqi, është nderuar i tërë populli shqiptar.
“Në këtë kontekst, populli shqiptar është i nderuar, pasi respektoi dhe zbatoi normat e të drejtave të njeriut shumë kohë më parë. Ky akt nuk duhet të lihet në harresë, por të shënohet edhe më tej si një shenjë nderimi i të gjitha atyre familjeve me kontribute të dokumentuara në këtë drejtim, që janë grumbulluar, studiuar dhe evidentuar gjatë viteve të fundit”, tha Rezniqi.
Ndërsa, Votim Demiri, kryetar i Bashkësisë Hebraike të Kosovës, tha se gjatë luftës së tmerrshme për hebrenjtë, trojet shqiptare u shndërruan në një atdhe për popullin hebraik.
“Shembulli eklatant i këtij rasti është familja Rezniqi. Nuk mjafton që kjo familje e ka emrin në muzeun më të madh të Holokaustit në botë, Jad Vashem, por për ne është një rendësi e madhe që mbi emrin e Rezniqve shkruan edhe Kosova”.
“Duke falënderuar Shoqatën Abravanel për këtë ekspozitë, jam i bindur se ajo është duke e çuar gurin më të çmuar në mozaikun e shoqërisë kosovare, jo që pretendon, por që me hapa të mëdhenj është duke iu afruar shoqërive civilizuese universale që llogarit bota”, u shpreh Demiri.
Një nga pjesëmarrësit në këtë ekspozitë ishte edhe Hasan Rrema Xërxa, familja e të cilit ka kontribuar në strehimin e hebrenjve në atë kohë. Me këtë rast, ai tha:
“Paska qenë një punë e madhe për Rezniqët, që kanë mundur të bien në këto fotografi e t’i mbledhin. Dua të them se duhen nderuar ata që e kanë bërë këtë ekspozitë, se kjo është në të mirën e popullit, e jo për këta si persona”, tha Hasan Rrema Xërxa.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, shumë shqiptarë në Kosovë e Shqipëri strehuan dhe mbrojtën hebrenj. Në mesin e tyre, familja Rezniqi në Kosovë, e cila sot jeton në Prishtinë, është shumë e njohur për rolin që ka luajtur lidhur me këtë çështje.