Valë e re gripi në janar


Numri i rasteve të dyshuara të të prekurve me virusin A/H1N1, i njohur edhe si gripi i derrave, në Kosovë, sipas autoriteteve shëndetësore, në ditët e fundit ka shënuar rënie. Por, ata thonë se gjatë muajit janar mund të pritet një valë e re e të prekurve me këtë grip.

Drejtori i zyrës për marrëdhënie me publikun në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti, thotë se që nga muaji korrik e deri më tash, nëntë persona kanë humbur jetën si pasojë e kësaj epidemie.

“Prej fillimit të pandemisë, 15 korrik 2009, në Kosovë janë evidentuar 14 raste, të cilat kanë përfunduar fatalisht”.

“Prej këtyre 14 rasteve, grupi i ekspertëve, pasi që ka shqyrtuar dokumentacionin rreth situatës dhe rasteve, ka vlerësuar se nëntë nga ta kanë qenë të ndikuar nga virusi A/ H1N1, ndërsa për pesë rastet e tjera ka qenë sëmundja themelore ajo që ka qenë shkaktar i drejtpërdrejtë i vdekjes”,
deklaron Hoti.

Kurse, drejtori i Klinikës Infektive, Shemsedin Dreshaj, thotë se aktualisht në këtë klinikë janë të shtrirë më shumë se 60 pacientë, të cilët po kurohen.

Sipas Dreshajt, nga të gjithë pacientët, vetëm një është në gjendje të rëndë.

“Gjendja e të sëmurëve, të prekur nga virusi i derrit, është stabile. Në Klinikën Infektive, aktualisht kemi një të sëmurë (femër) më rëndë, e cila është hospitalizuar në klinikën tonë. Ajo është vendosur në respirator, pra bëhet fjalë për një shtatzënë të re, e cila ka një tablo klinike më të rëndë sesa që manifestohet rëndom”.

“Të sëmurët e tjerë, diku 62 pacientë në Klinikën Infektive, janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe që të gjithë kanë manifestime respiratore dhe ndërlikime në mushkëri në drejtime të bronko-pneumonive dhe pneumonive”,
shpjegon Dreshaj.

Drejtori i Klinikës Infektive, Dreshaj, thotë se spitali i tyre është i furnizuar mirë me medikamentin Tamiflu, i cili është ndër medikamentet e vetme që lufton formën e re të gripit.

Faik Hoti nga Ministria e Shëndetësisë, flet edhe për furnizimin me barnat që e luftojnë gripin e derrit.

“Ditëve të fundit keni vërejtur që ka pasur një furnizim më të mirë me barna. Është pranuar edhe një donacion prej 10 mijë e 120 njësive të medikamentit Tamiflu, nga OBSH-ja”.

“Ndërsa, në ditët në vijim pritet edhe futja në funksion e mjekimit intensiv të Klinikës Infektive, e cila do të rrisë numrin e shtretërve dhe kapacitetet fizike për të pranuar më shumë pacientë, si dhe, natyrisht, për t’i pranuar ata në kushte edhe më të mira”, thekson Hoti.

Ndryshe, derisa zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë, thonë se në muajin janar mund të ketë rritje të të prekurve me virusin A /H1N1, infektologu Dreshaj mendon se një gjë e tillë është e vështirë të parashikohet, por, siç shprehet ai, përgatitjet duhet të bëhen.

“Të gjitha vendet e rajonit kohëve të fundit kanë filluar që të regjistrojnë një numër të shtuar të këtyre rasteve, si të atyre që janë të prekur me gripin A/ H1N1 me ecuri të rëndomtë, po ashtu edhe të atyre që kanë pasur ecuri të pafavorshme të sëmundjes, pra do të thotë raste me ecuri të vdekjes”.

“Për këtë ne jemi të përgatitur që të presim një valë të re, po kjo nuk do të thotë se mund të ndodhë
”, shprehet Dreshaj.

Sipas raporteve të MSH-së dhe të IKSHP-së, në Kosovë deri më tash janë shënuar më shumë se 800 raste të dyshuara, kurse 289 raste janë të konfirmuara si pozitive me virusin A/H1N1.