Çfarë (nuk) do të dëgjojmë në Hagë?

Melazim Koci

Pallati i Paqes në Hagë, gazetarë të shumtë dhe opinioni botëror, për 10 ditë, sërish do të jenë të fokusuar te raportet Kosovë – Serbi, do të dëgjojnë argumentet e njërës dhe palës tjetër...



Ballafaqimi i radhës në fushën diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë tashmë ka filluar në Hagë.

Pallati i Paqes në Hagë, gazetarë të shumtë dhe opinioni botëror, për 10 ditë, sërish do të jenë të fokusuar te raportet Kosovë – Serbi, do të dëgjojnë argumentet e njërës dhe palës tjetër, për të pritur pastaj mendimin këshillëdhënës, por jo obligues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Dhe, cili mund të jetë epilogu i këtij ballafaqimi?

Këtu, në Hagë, shumë njohës të së drejtës ndërkombëtare nuk e fshehin se do të ishin të befasuar nëse mendimi këshillëdhënës do të ishte në tërësi në favorin e njërës ose palës tjetër.

Pra, gjithnjë sipas tyre, duhet pritur një kompromis që do të bënte që, si Kosova, ashtu edhe Serbia, të thoshin se ishin fituese të GJND-së.

Por, shtrohet pyetja përse kompromisi rreth një çështjeje që ka të bëjë me lirinë dhe demokracinë?

Cinikët do të përgjigjeshin shkurt – sepse zhvillimet në relacionet ndërkombëtare dhe rrjedhimisht edhe e drejta ndërkombëtare shpesh janë kombinim i pragmatizmit, raportit të forcave dhe balancave të njohur dhe të panjohur!

Pavarësisht nga epilogu dhe shpjegimet e komentimet që do të bëhen në mbyllje të këtij procesi, tashmë shumëçka është e ditur se si dhe nga kush do të thuhet.

Pak a shumë, është e ditur edhe ajo që fare nuk do të thuhet.

Në dokumentet zyrtare të GJND-së është marrë formulimi nga Kombet e Bashkuara, ku, pos tjerash, figuron: ”Deklarimi (shpallja) unilateral i pavarësisë nga institucionet e përkohshme të vetadministrimit në Kosovë”.

Nuk jemi të sigurt nëse dikush do të merret me këtë çështje dhe formulim gjatë 10 ditëve të ardhshme, por e shohim të arsyeshme që këtë çështje ta shtrojmë në një formë tjetër - nëse Kosova ka bërë shpallje unilaterale të pavarësisë, ç’do të thotë dhe a ekziston fare në praktikën e marrëdhënieve dhe të së drejtës ndërkombëtare shpallja bilaterale ose multilaterale e pavarësisë së një vendi?!

Pavarësia e Sllovakisë, ndonëse krejtësisht e harmonizuar, megjithatë nuk është shpallur paralelisht në Pragë dhe Bratisllavë, por vetëm në këtë të dytën dhe si e tillë është në harmoni absolute me të drejtën ndërkombëtare.

Kroacia dhe Sllovenia, kur shpallën pavarësinë, këtë e kanë bërë në Zagreb dhe Lubjanë, pa kërkuar që një gjë të tillë ta bëjë edhe Beogradi. Dhe këtë, deri më sot, askush nuk e ka kontestuar.

Kosova ka bërë të njëjtën gjë. As më pak dhe as më shumë.

Një çështje tjetër që do të dëgjohet zëshëm, është çështja e integritetit territorial që do të ngrihet nga Serbia.

Beogradi do të ngre zërin dhe do të thotë se e drejta ndërkombëtare është në anën e tij, sa i përket ruajtjes së integritetit territorial, duke heshtur, kuptohet, parimin e vetëvendosjes.

Pala kosovare do të përgjigjet me pohimin se Kosova gjithnjë në histori ka pasur kufijtë e vet. Por, nuk jam i sigurt nëse dikush do ta përkujtojë ose pyesë Beogradin se kush i bëri kufijtë e pas vitit 1945, përkatësisht cilat forca vendosën se kush do të jetë republikë dhe kush krahinë?

Ishte Partia Komuniste e Jugosllavisë që e bëri këtë.

Vendimet e regjimeve totalitare nuk janë në harmoni me të drejtën ndërkombëtare dhe si të tilla nuk kanë validitet juridik ndërkombëtar. Pse të jetë ndryshe në rastin e Kosovës?