Gara për Gjilanin

Pamje në Gjilan

Kandidatët për kryetar të Gjilanit u premtojnë qytetarëve se nën mandatin e tyre do të bëjnë një zhvillim të duhur ekonomik si dhe ulje të papunësisë. Ata gjithashtu premtojnë se qyteti i Gjilanit do të jetë vend i sportit, kulturës dhe se nuk do të mbetet mbrapa nga qytetet e tjera të Kosovës.

Ulja e numrit të papunësisë, zhvillimi ekonomik dhe përmirësimi i infrastrukturës janë çështjet kryesore, në të cilat janë fokusuar kandidatët për kryetar të Komunës së Gjilanit.

Ata thonë se programet e tyre janë të realizueshme dhe se premtimet do t’i realizojnë me kohë nëse fitojnë në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit.

Kryetari aktual i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, nga Partia Demokratike e Kosovës, i cili edhe kësaj radhe kandidon për kryetar të komunës, thotë se qytetarët gjilanas tashmë e njohin atë dhe punën që është bërë nga bashkëpunëtorët e tij. Për këtë, ai beson se sërish do të jetë i pari i komunës.

“Kurrizi i projekteve është i njëjtë, por me modifikimet që janë të domosdoshme, sepse shumëçka kemi realizuar prej ofertës që kemi dhënë para zgjedhjeve të vitit 2007. Gjatë qeverisjes dyvjeçare kemi identifikuar më esencialisht edhe kërkesat dhe problemet tjera të qyetarëve”.

“Vazhdojmë me infrastrukturën publike dhe imperativ është krijimi i parakushteve për ardhje të investimeve. Nuk kemi bërë diçka të veçantë, nëse paralelisht me këto zhvillime ne nuk gjenerojmë vende të punës”,
thotë Mustafa.

Për kandidatin për kryetar të Komunës së Gjilanit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Fatmir Rexhepi, luftimi i papunësisë në këtë qytet do të jetë prioritet, po qe se ai zgjidhet kryetar i komunës. Ai premton thithjen e investimeve në sektorin ekonomik, bujqësor dhe fusha të tjera.

“Poenta kryesore e programit tim ka të bëjë me një kohë afatmesme zhvillimore. Ne t’i shohim mundësitë, potencialet që i ka Gjilani, promovimin e tyre, një partneritet me komunitetin e biznesit, me forumin për zhvillimin e qytetit të Gjilanit, me një perspektivë të re, të gjitha akset rrugore, të gjitha drejtimet”.

“Pra, të përfundojë ai kaos apo ai moszhvillim i brendshëm i qytetit, qoftë në planin urbanistik, qoftë në planin e infrastrukturës. Dhe, normalisht, bashkë me programin dhe projektet, ne kemi identifikuar edhe mundësitë buxhetore që kanë të bëjnë me investimet vetanake të komunës”,
deklaron Rexhepi.

Kurse, kandidati për kryetar të Komunës së Gjilanit nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, thotë se pika më e fortë në plan-programin e tij është zhvillimi ekonomik. Isufi konsideron se Gjilani, në krahasim me vendet e tjera, ka mbetur mbrapa dhe për këtë, sipas tij, votat për të do të sjellin ndryshime.

“Pika më e theksuar e programit është pjesa e programit ekonomik, sepse Gjilani ka mbetur mbrapa, duke mos pasur mundësinë që të përkrahen bizneset, prodhimi dhe të gjitha ato që Gjilanin dikur e kanë shquar si ekonomi zhvilluese”.

“Tani është koha e zhvillimit ekonomik dhe unë jam ai që mund t’u ofroj më së shumti përkrahje. Në ditët e para të marrjes së mandatit, do t’i hyj punës që ujërat e zeza të mos jenë pjesë e imazhit të Gjilanit, sepse të tjerët e kanë bërë këtë vetëm në kohë zgjedhjesh”,
shprehet Isufi.

Funksionimi i një administrate në mënyrën e duhur, rregullimi i rrjetit të ujërave të zeza, ndërtimi i rrugëve dhe projekte të tjera për Gjilanin janë çështjet, të cilat kandidati i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Jashar Ramadani, thotë se i përmban programi i tij qeverisës.

“Plan-programi është gjithëpërfshirës, i përfshin të gjitha sferat e jetës së qytetarit prej mëngjesit deri në mbrëmje dhe në të gjitha lëmitë. Është një specifikë tjetër, se kemi bërë një hulumtim të mirë dhe kemi bërë adoptimin e programit edhe sipas qasjes së grup-moshave të qytetarëve. Ne nuk premtojmë atë që nuk mund ta bëjmë”, thotë Ramadani.

Nga ana tjetër, qytetarët nuk kanë shumë shpresë se vendi i tyre mund të ndryshojë shumë, pavarësisht se kush do të qeverisë me Gjilanin në mandatin e ardhshëm. Disa nga qytetarët thonë se ende nuk kanë vendosur se a do të dalin apo jo në zgjedhje.

Hysen Ajeti thotë:

“Nuk kam vendosur ende. Nuk e di. Nuk mund të pres, kur në të gjitha komunat buxheti përafërsisht është i njëjtë me vitet e kaluara. Çka bëhet pa para? Është shumë lehtë për të folur, por esenca kryesore është se buxheti është i njëjtë me vitet e kaluara”.

Kurse, Rhahime Ibrahimi shpreson se premtimet që po i japin pretendentët për të parin e Komunës së Gjilanit do të realizohen.

“Do të dal të votoj. U bëftë çka premtohet. Më shumë për punësim, se rastet sociale, gjendja jo e mirë... Kjo është më e rëndësishmja – punësimi”, thotë ajo.

Hysni Vranovci thotë se nuk iu beson politikanëve.

“Prej tyre nuk ka asgjë. Absolutisht asgjë. As prej zgjedhjeve, as prej kryetarëve. Shihet puna e tyre”, shprehet ai.