“Komentatorët në Moskë thonë se esenca e politikës së Titos ishte manovrimi ndërmjet Perëndimit dhe Lindjes dhe se Serbia me Tadiqin synon të përsërisë një rol të tillë”, thotë Andrey Shary, analist i Radios Evropa e Lirë në shërbimin e gjuhës ruse.
RADIO EVROPA E LIRË
Presidenti i Rusisë, Dmitry Medvedev, dje qëndroi për vizitë në Beograd. Si është pritur kjo vizitë në Moskë?
ANDREY SHARY
Duhet ta kuptojmë se kemi të bëjmë me tregti. Rusia bën shitjen e flokulave ideologjike për Serbinë, sipas të cilave Moska dhe Beogradi sërish janë aleatë dhe se serbët tash e kanë kuptuar se Beogradi është çliruar nga Armata e Kuqe.
Medvedevit i është dashur një shfaqje televizive për pritje madhështore në Beograd. Por, ju pyetni se pse është bërë vizita dhe çfarë ka kërkuar Medvedevi?
Kuptohet që pas vizitës nuk qëndrojnë flokulat ideologjike, por interesat ekonomike të Rusisë, siç është interesimi për kompleksin e gazit dhe naftës së Serbisë.
Moska si kompensim për këto koncesione i jep Serbisë një kredi në vlerë 1 miliard euro.
RADIO EVROPA E LIRË
A është vizita manifestim i një interesimi të shtuar të Rusisë për Ballkanin?
ANDREY SHARY
Po, por për Moskën tash është e rëndësishme sidomos ajo që çon drejt mëkëmbjes së ekonomisë ruse në këtë periudhë të krizës.
Për Rusinë, rrugët e naftës dhe të gazit janë shumë të rëndësishme dhe në këtë kontekst edhe Ballkani. Por, në këtë plan, Serbia nuk është ndonjë shtet me rëndësi të madhe.
RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë kanë fituar Moska dhe Beogradi me këtë vizitë?
ANDREY SHARY
Pjesërisht elaborova këtë çështje. Mbase më interesant është pozicioni i Serbisë në kuptimin nëse mund të qëndrojë e ulur në dy karrige ndërmjet Rusisë dhe Bashkimit Evropian.
Serbia duhet të pyesë vetveten nëse kjo “aleancë strategjike” me vëllezërit sllavë është fare e mundshme.
Sidoqoftë, të dyja palët kanë marrë atë që e kanë synuar me këtë vizitë.
Në këtë kontekst, disa komentatorë në Moskë, pas kësaj vizite, kanë vënë paralelen ndërmjet Tadiqit dhe Titos. Ata thonë se esenca e politikës së Titos ishte manovrimi ndërmjet Perëndimit dhe Lindjes dhe se Serbia me Tadiqin synon të përsërisë një rol të tillë.
RADIO EVROPA E LIRË
Dmitry Medvedev në Beograd tha se Rusia do të vazhdojë të mbështesë pozicionin e Serbisë në raport me Kosovën. Deri në ç’masë do të shkojë mbështetja e Rusisë për Serbinë rreth Kosovës?
ANDREY SHARY
Jo më tepër se retorika verbale. Loja e shahut rreth Kosovës ka mbaruar. I pëlqeu dikujt ose jo, Kosova është shtet i pavarur dhe këtë fakt nuk mund ta ndryshojë askush dhe as Rusia. Të tjerat janë retorikë verbale.
Tadiqi ftoi Medvedevin për ta falënderuar për ndihmën gjatë Luftës së Dytë Botërore. Medvedevi e dinte se duhej kompensuar disi këtë qëndrim të Beogradit dhe gjithashtu e dinte se Tadiqi dëshironte që ai të deklaronte në Beograd se Rusia nuk do të njohë Kosovën.
Por, duhet thënë se rasti me njohjen e Osetisë jugore dhe Abkhazisë nga Rusia ka ndryshuar rendin e gjërave tërësisht.
Pas këtij veprimi të Moskës, deklarimet e Rusisë për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës janë më pak të rëndësishme.