Në hapësirat ku jetojnë serbët në Kosovën qendrore, më 20 shtator kanë filluar manifestimet e “Javës së kulturës”. Artistët flasin për kushtet e punës dhe mundësitë e kultivimit të artit në hapësirat ku jetojnë serbët në Kosovë.
Ngjarjet kulturore në hapsirat ku jetojnë serbët në Kosovën qendrore janë të pakta, ashtu sikurse edhe mundësitë e organizimit të tyre, por me përpjekjen e disa artistëve të paktë serbë në këto hapsira, është organizuar dhe më 20 shtator ka filluar “Java e kulturës”, e cila përmban një varg manifestimesh artistike dhe kulturore.
Kështu tha Millosh Tomiq, nga organizata joqeveritare “Qendra për paqe dhe tolerancë” dhe njëri nga organizatorët e “Javës së kulturës”, e cila do të manifestohet në disa mjedise, në të cilat jetojnë serbët në Kosovën qendrore.
“Javën e kulturës e kemi hapur me një ndejë me muzikë rok&roll dhe gjatë gjithë javës do të ketë ngjarje të ndryshme, të cilat do të përfshijnë shfaqje teatrore, shfaqje të projekteve filmike, grupe dhe ansamble folklorike, revy të modës si dhe prezantim të kuzhinës kombëtare”, shpjegoi Tomiq.
Ai shtoi se pret që “Java e kulturës” të jetë një aktivitet i çmueshëm, duke pasur parasysh mungesën në vazhdimësi të kushteve për të ushtruar aktivitete kulturore nga ana e të rinjve serbë, për të cilët, sipas tij, argëtimi dhe kalimi i kohës së lirë nënkupton vetëm shkuarjen në kafiteri.
Ndryshe, në kuadër të “Javës së kulturës”, trupa e Teatrit të të rinjve, i quajtur “Geto”, në Llapna Sellë, do të shfaqë premierën e shfaqjes “Bukuroshja dhe bisha”.
Zoran Ristiq, regjisor i kësaj shfaqjeje dhe drejtues i teatrit “Geto”, tha se kjo shfaqje është punuar 5 vjet më parë, me një grup të rinjësh dhe fëmijësh, të cilët tashmë janë rritur dhe janë zëvendësuar nga talentët tjerë të rinj, të cilët kanë ripunuar shfaqjen.
“Ne jemi, kushtimisht të them, teatri i vetëm serb në këto hapësira. Ne e kultivojmë artin dhe shprehjen skenike. Kemi mbledhur fëmijët, të cilët kanë talente të ndryshme, para së gjithash talente që janë të orientuara në teatër dhe në artin skenik, por kemi tubuar edhe fëmijë tjerë, të cilët kanë aftësi tjera kreative dhe me një punë të përbashkët ne i përgatisim këto shfaqje”.
“Kënaqësia jonë më e madhe është kur para shfaqjes e shohim se salla është e mbushur përplot me fëmijë, të cilët mezi presin që të qeshen dhe të shohin diçka, që në këto hapsira, fatkeqësisht, nuk kanë shumë raste të shohin”, tha regjisori Ristiq.
Ai shtoi se megjithatë e gjithë puna e teatrit “Geto” po zhvillohet në kushte tejet të vështira, në Shtëpinë e Kulturës në Llapna Sellë.
Ndryshe, gjurmët e kohës ishin të dallueshme në pamjen e jashtme të kësaj shtëpie, ndërkaq që brenda në sallën ku po përgatitej shfaqja, nuk kishte karrige, ngrohje dhe as skenografi. Ajo që dukej në skenë ishte një dekor i improvizuar që shërbente për prova.
Regjisori Ristiq thekson:
“Natyrisht, kemi kërkuar ndihmë nga anë të ndryshme, qoftë nga Ministria e Kulturës e Republikës së Serbisë, qoftë nga Ministria në Qeverinë e Kosovës, por edhe nga disa organizata ndërkombëtare. Kryesisht, kemi marrë vetëm premtime dhe fatkeqësisht deri më sot nuk kemi marrë asnjëherë ndonjë ndihmë reale, nga asnjëra anë”, tha Ristiq.
Në anën tjetër, në shtëpinë e kulturës në Llapna Sellë, derisa po bëheshin përgatitjet e fundit, Milena Zdravkoviq, aktore e Teatrit “Geto”, tha se puna në këtë teatër është domethënëse për të dhe për të rinjtë tjerë të këtij teatri, por edhe për ata që nuk janë pjesë e skenës teatrore.
“Për ne është e rëndësishme, sepse kohën që eventualisht do ta kalonim pranë televizorit ose ndoshta në rrugë, po e kalojmë këtu, duke mësuar shumë gjëra nga njëri-tjetri”.
“Por, e gjithë kjo e ka një domethënie edhe për ata, të cilët do të vijnë ta shohin shfaqjen dhe ndoshta për të do të flasin një kohë të gjatë. Ndoshta do të jenë të lumtur që në rrethinën e tyre e kanë një grup të tillë siç është i yni”, u shpreh aktorja Zdravkoviq.
Ngjashëm thotë edhe aktori Vlladimir Gjokiq, i cili vlerësoi se me gjithë vullnetin dhe mundin e të rinjve serbë, në teatrin “Geto” kushtet e punës janë, siç i quajti ai, “si në mesjetën e errët”. Kjo, sipas tij, është pasojë e mosinteresimit të qeveritarëve për zhvillimin e kulturës.
“Sikur njerëzit t’i kushtonin më shumë vëmendje dhe rëndësi kulturës, ndoshta do ta kishim të gjithë një jetë më të bukur dhe më të mirë. Kështu siç është, nuk di ç’të them”.
“Kjo është një pikëpyetje shumë e madhe, në të cilën duhet të japin përgjigje politikanët, sepse gjithçka po sillet rreth tyre. Siç duket, një jetë më e mirë askujt nuk i intereson, sepse më domethënëse për ta është politika”, tha Gjokiq.