Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Kosovë, sipas të gjitha gjasave do të bëhet në vitin 2011. Autoritetet thonë se një gjë e këtillë pason rekomandimet e organizatave ndërkombëtare.
Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Kosovë, sipas të gjitha gjasave do të bëhet në vitin 2011. Kështu kanë bërë të ditur zyrtarë të Ministrisë se Shërbimeve Publike në një debat të organizuar nga Instituti “KIPRED”, me ç’rast është publikuar një raport mbi regjistrimin e popullsisë me temën “Sfidat, përparësitë dhe mundësitë”.
Ministri Arsim Bajrami tha se, pavarësisht përgatitjeve dhe vullnetit të institucioneve që regjistrimi të bëhet në 2009-ën, Komisioni Evropian, “Eurostati” dhe Zyra Civile Ndërkombëtare, kanë rekomanduar që regjistrimi i popullsisë së Kosovës të bëhet në të njëjtën kohë me regjistrimin e popullsisë të shteteve evropiane.
“Kemi qenë të gatshme sivjet. Përgatitjet teknike, materiale, buxhetore legale kanë qenë që procesi të shkojë sivjet. Por, 'Eurostati', Komisioni Evropian dhe përfaqësuesi civil i Zyrës Ndërkombëtare, kanë rekomanduar që regjistrimi ynë të koordinohet dhe të mbahet bashkë me ciklin e regjistrimeve evropiane të popullsisë që do të ndodhë në vitin 2011”, thotë Bajrami.
Ministri Bajrami ka pohuar se regjistrimi i popullsisë do të jetë gjithëpërfshirës. Ai ka shtuar se një ndër sfidat më të mëdha në këtë drejtim do të jetë pjesëmarrja e komunitetit serb në këtë proces.
“Sfidë konsiderojmë daljen e kënaqshme të serbëve, nuk kemi sfida të tjera. E dimë që procesi do të jetë i suksesshëm, sepse i kemi bërë përgatitjet e nevojshme. Dëshirojmë që serbët të shfrytëzojnë këtë rast, të dalin të regjistrohen dhe të jenë banorë rezidentë të Kosovës. Në të ardhmen, edhe shtetas të Kosovës, për shkak që serbët të mund t’i realizojnë të drejtat e tyre kushtetuese që janë mbi standardet evropiane vetëm duke qenë banorë të Republikës së Kosovës dhe unë mendoj që ata duhet të shfrytëzojnë këtë rast”, u shpreh Bajrami.
Trajtimi i regjistrimit të popullsisë, familjeve dhe objekteve të banimit mbetet një nga detyrimet e parealizuara të institucioneve të Kosovës, dikur duke vepruar nën autoritetin e Kombeve të Bashkuara, e më pas edhe pas shpalljes së pavarësisë, thuhet në raportin e publikuar nga “KIPRED” dhe Forumi i Shoqërisë Civile për Legjislacion, i cili është përkrahur nga Ambasada Amerikane në Prishtinë.
Kujtim Kërveshi, ekspert ligjor, i cili njëkohësisht është hartues i këtij raporti, vlerëson se procesi i regjistrimit të popullsisë, ndër të tjera, mbetet peng i një procesi politik
“Regjistrimi i popullsisë është një nga sfidat kryesore të ndërtimit institucional në Kosovë, që lidhet me ndërtimin e kapaciteteve institucionale në Kosovë, që ka konotacion gjithsesi ndëretnik politik”.
“Nuk është sfida e vetme, por lidhet me gjithë sfidat e integrimit institucional dhe integrimit të të gjitha institucioneve dhe shtrirjes së autoritetit të Kosovës në gjithë vendin”, thotë Kërveshi.
Kërveshi konsideron se për të pasur një regjistrim gjithëpërfshirës, duhet të ekzistojnë raporte të relaksuara ndëretnike në vend.
Sipas tij, nëse një gjë e tillë nuk ndodh, është e mundur që ky proces të dështojë.
“Duhet të ekzistojë një relaksim i raporteve ndëretnike, para së gjithash në mënyrë që ky proces të shkojë rrugës së duhur. Ndërtimi i këtyre raporteve të relaksuara është proces i vështirë politik, andaj edhe rreziku që ky proces që të mos realizohet në përputhje më standarde dhe që të mos arrijë arritshmërinë e kërkuar, është shumë i mundshëm”, tha Kërveshi.
Në raportin e publikuar nga “KIPRED” dhe Forumi i Shoqërisë Civile për Legjislacion, thuhet se nga këndvështrimi i praktikave evropiane, regjistrimi shihet si mjet i domosdoshëm statistikor që ndihmon në planifikimin e përgjithshëm të politikave shtetërore.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës në konsultim me Zyrën Civile Ndërkombëtare, do t’i propozojnë Kuvendit datën për regjistrimin e popullsisë.
Kuvendi, më pas, pritet që të dalë me një datë për regjistrim.