Serbët kundër shkëmbimit

Mitrovicë - Ura qendrore

Serbët e Kosovës kundërshtojnë në mënyrë kategorike idenë për mundësinë e shkëmbimit të territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Liderët e serbëve lokalë të Kosovës thonë se një ide e tillë nuk vlen të shqyrtohet dhe se një gjë e tillë do të prodhonte destabilitet dhe konflikte.
Shkëmbimi i territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë është ide e papranueshme dhe si e tillë nuk mund e as nuk guxon të realizohet, thonë liderët politikë serbë të Kosovës.

Millan Ivanoviq, nga Këshilli Kombëtar Serb në veriun e Kosovës, thotë se nuk mund të bëhet fjalë për shkëmbim territoresh, për shkak se, siç shprehet, Kosova nuk është pranuar nga Serbia dhe nga Kombet e Bashkuara dhe se ai e konsideron atë pjesë të pandashme të Serbisë. Rrjedhimisht, sipas tij, shkëmbimi i territoreve nuk mund të ndodhë brenda një shteti.

“Mendoj se ky nuk është një propozim i mirë, për shkak se as shteti i Serbisë dhe as serbët nuk do të shkëmbejnë diçka që është e tyre. Mendoj se e ashtuquajtura Luginë e Preshevës, me dy komuna me shumicë shqiptare dhe me komunën e Medvegjës, në të cilën serbët janë shumicë e theksuar, nuk mund të kompensohet dhe të ndërrohet për Kosovën veriore”, tha Ivanoviq.

Mendim të ngjashëm për idenë e shkëmbimit të territoreve ka edhe Marko Jakshiq, nënkryetar i Kuvendit të bashkësisë së komunave serbe në Kosovë.

“Nuk mund të merret për konsiderim kurrfarë shkëmbimi i veriut të Kosovës për Luginën e Preshevës. Ne po shpresojmë se në botë po fryjnë erëra të volitshme dhe se në njëfarë mënyre koha po punon për ne. Unë personalisht shpresoj se ne të gjithë do të presim kohën kur Kosova do të jetë përsëri në kuadër të Serbisë”, u shpreh Jakshiq.

Ai tha se, pa marrë parasysh se çfarë do të jetë gjendja në Kosovë për serbët ose në Luginën e Preshevës, madje, siç theksoi, edhe nëse ajo është e vështirë dhe e rëndë, ideja për shkëmbimin e territoreve do të jetë e papranueshme për serbët.

Ndërkaq, Dragan Veliq, nga Këshilli Kombëtar Serb që përfaqëson serbët e Kosovës qendrore, thotë se shkëmbimi i territoreve në mes Kosovës dhe Serbisë nuk është mënyrë për zgjidhjen, siç e quan ai, të problemit të Kosovës.

“Një mënyrë e tillë e zgjidhjes së problemit të Kosovës sigurisht se nuk do të jetë e mundur të realizohet pa konflikt, sepse nuk mbahet mend në histori që çfarëdo ndryshimi ose shkëmbimi i territoreve është arritur pa konflikte, qofshin ato edhe të intensitetit të ulët”, tha Veliq.

Ai vlerësoi se idenë e shkëmbimit të territoreve ose ndarjes së tyre, janë duke u përpjekur, siç tha, ta imponojnë në mënyrë të fshehur faktorë nga të gjitha palët e interesuara, qofshin ata individë nga bashkësia ndërkombëtare, apo edhe nga shqiptarët dhe serbët.

Sidoqoftë, realizimi i mundshëm i idesë së shkëmbimit të territoreve ose mbi principin e ndarjes, sipas tij, do të hapte shumë çështje jo vetëm në Ballkan, por edhe në botë, gjë që, tha ai, nuk do të sillte një zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjate.