Nuk do të ketë ndërprerjeje të punimeve në ndërtimin e shtëpive të shqiptarëve në lagjen Kroi i Vitakut, pavarësisht kërcënimeve të banorëve serbë, zotohen zyrtarët qeveritarë. Por, opozita i cilëson joserioze angazhimet e Qeverisë.
Për shkak të tragjedisë që ka ndodhur në fshatin Suhadoll, ku kanë humbur jetën tre fëmijë si pasojë e një aksidenti, këtë javë, me urdhër të kryetarit të Komunës së Mitrovicës, janë pezulluar punët për rindërtimin e shtëpive në lagjen Kroi i Vitakut, në veri të qytetit.
Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate zyrtare nga Komuna e Mitrovicës.
Por, serbët e veriut të Mitrovicës po vazhdojnë pandërprerë edhe sot punimet në ndërtimin e banesave të tyre në këtë lagje. Ata kanë paralajmëruar se sërish do të protestojnë dhe se nuk do të lejojnë ndërtimin dhe rindërtimin e shtëpive të shqiptarëve në ato pjesë, ku, sipas tyre, nuk është e lejuar. Serbët, madje, thonë se ato toka nuk janë të evidentuara.
Për ketë, përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës zotohen se nuk do të lejojnë të ketë kurrfarë pengese në ndërtimin e shtëpive në lagjen Kroi i Vitakut. Memli Krasniqi, zëdhënës i Qeverisë, shpreh bindjen se ndërtimi i shtëpive në këtë lagje nuk do të ndalet deri në përfundimin e tyre.
“Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm që nga fillimi dhe ajo që dikur është dukur e paimagjinueshme, tashti është realizuar. Aty janë rindërtuar shumica e shtëpive. Ashtu siç janë rindërtuar këto shtëpi, do të rindërtohen dhe shtëpitë tjera të banorëve të Kroit të Vitakut, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike”.
“Besoj se është e qartë për të gjithë se ekstremistët apo grupet radikale që mund të tenetojnë të bllokojnë punën, kanë qenë të pasuksesshme dhe do të jenë të pasuksesshme dhe në të ardhmen”, tha Krasniqi.
Por, partitë opozitare kanë kritikuar krerët e lartë të vendit për vonesat e tyre në shtrirjen e autoritetit në veri të Kosovës. Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e quan të gabuar planin e Qeverisë së Kosovës për ndërtimin e shtëpive në lagjen Kroi i Vitakut.
“Sipas bindjes sime, fillimi është gabim. Po e them me sinqeritetin më të madh, ndërtimi i shëtpive është i nevojshëm, por atje ka nevojë për ndërtim të rendit. Kur ndërtohet rendi, pastaj shtëpitë nuk janë më temë”, u shpreh Haradinaj.
Haradinaj, në një konferencë për media, tha gjithashtu se Qeveria e Kosovës nuk ka ndonjë projekt serioz lidhur me kthimin e shqiptarëve atje. Ai, angazhimin e Qeverisë për këtë pjesë të Kosovës e cilëson si folklorizëm.
“Është një folklor i filluar prej Qeverisë Thaçi, i pjesshëm, i cili nuk është një projekt serioz për shtrirjen e rendit dhe ligjit në veri. Nëse nuk ka rend dhe ligj në veri dhe nuk funskionojnë doganat e vendit, atëherë çka do të thotë një mund i madh në këtë drejtim”, tha Haradinaj.
Zyrtarë të policisë rajonale në Mitrovicë njoftojnë se për shkak të incidenteve të ditëve të fundit, në veri të qytetit janë shtuar masat e sigurisë dhe është rritur numri i policëve, në mënyrë që sa më mirë të menaxhohet situata atje. Zëdhënësi rajonal i Policisë së Kosovës, Besim Hoti, thotë se situata në lagjen Kroi i Vitakut po përcillet me kujdes të shtuar.
“Gjendja e sigurisë paraqitet të jetë e qetë, edhe pse punëkryesit në terren të banorëve të përkatësisë etnike serbe janë duke vazhduar punimet. Policia e Kosovës vazhdon të jetë prezente atje dhe ne sigurisht që do të zbatojmë planin e sigurisë për të mbajtur situatën e qetë dhe nën kontroll”, tha Hoti.
Gjatë javës së kaluar, në lagjen Kroi i Vitakut ka pasur tensionim të situatës, pas incidentit të krijuar nga një grup serbësh, që patën sulmuar me gurë punëtorët që kishin nisur pastrimin e gërmadhave të shtëpive të tyre në thellësi të lagjes.
Sipas autoriteteve komunale të Mitrovicës, serbët që kanë filluar të ndërtojnë në pronat e blera nga shqiptarët, kanë marrë leje për punë nga UNMIK-u dhe tash një gjë e tillë pritet të bëhet edhe për shqiptarët, që duan të nisin punën në thellësi të lagjes.
Sido që të jetë, për rindërtim dhe ndërtim në këtë lagje thuhet se nuk nevojitet kurrfarë leje speciale, meqë banorët e asaj ane duan të rindërtojnë në pronat e tyre, ku u janë djegur dhe shkatërruar shtëpitë.
Mirëpo, një leje pune pritet të lëshohet nga UNMIK-u, me qëllim që, siç thuhet, nga autoritetet komunale të parandalohen problemet dhe të krijohet një bazë ligjore për strukturat e rendit, të cilat duhet të ofrojnë siguri për punëtorët.