Me anëtarësimin zyrtar në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore, Kosova do të përfitojë shumë, thonë zyrtarë kosovarë dhe ekspertë për çështje ekonomike. Por, këta të fundit kritikojnë Qeverinë për mungesën e projekteve konkrete.
Me nënshkrimin e artikujve të marrëveshjes mes Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore dhe Qeverisë, Republika e Kosovës edhe zyrtarisht bëhet anëtare e këtyre dy organizatave.
Kosova, në muajin maj, respektivisht në qershor, mori dritën jeshile për anëtarësim, të cilin qeveritarët dhe ekspertë për çështje ekonomike e vlerësojnë si suksesin më të madh pas shpalljes së pavarësisë së vendit.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, pohon se anëtarësimi i Kosovës në këta mekanizma do të ndikojë në rimëkëmbjen ekonomike dhe në përmirësimin e mirëqenies sociale të popullatës.
“Anëtarësimi në mekanizmat kryesorë financiarë ndërkombëtarë jo vetëm që e ka kuptimin politik në qëndrueshmërinë e të qenit shtet si Kosova dhe një subjektivitet ndërkombëtar për Kosovën, por, mbi të gjitha, ka edhe mbështetjen financiare dhe natyrisht edhe bashkëpunimin financiar që do ta ketë Kosova qoftë me FMN-në, duke i ruajtur politikat makro-ekonomike, por edhe kornizat financiare”.
“Po ashtu, edhe me Bankën Botërore, në veçanti me projektet që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik dhe me mundjen e varfërisë”, tha Kuçi.
Edhe ekspertët e çështjeve ekonomike e vlerësojnë si të rëndësishëm nënshkrimin zyrtar të anëtarësimit të Kosovës në Bankën Botërore dhe në Fondin Monetar Ndërkombëtar.
Rezultatet e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore varen nga projektet ekzistuese të Qeverisë së Kosovës.
Safet Gërxhaliu, zyrtar për marrëdhënie me jashtë në Odën Ekonomike të Kosovës, shpreh dyshimin në ekzistimin e projekteve të përgatitura nga institucionet kosovare, të cilat do të ndikojnë në përmirësimin e përgjithshëm ekonomik.
“Nuk është e rrugës që ne gjithmonë të ankohemi në atë që nuk kemi para, por neve na mungojnë projekte konkrete. Sfida e parë do të ishte që të punohet sa më tepër në infrastrukturën e nivelit të lartë, që Kosovën do ta aktualizonte në rajon. Do të duhej të bëhej vazhdimësi sa më shpejt që të jetë e mundur e magjistrales së përfolur nga Morina deri në Merdarë”, tha Gërxhaliu.
Por, zëvendëskryeministri Kuçi thotë se projektet tashmë ekzistojnë. Sipas tij, rezultatet nuk mund të vërehen për një kohë të shkurtër.
“Me nënshkrimin e neneve për anëtarësim, unë jam i bindur që Kosova do t’i marrë obligimet që ka para vetes, por edhe mundësitë që zhvillohen”.
“Nuk duhet të krijojmë iluzione që do të ketë ndryshime të shpejta apo rapide, por ajo që dua të them është se Kosova do t’i shohë të gjitha mundësitë që gjenden brendapërbrenda FMN-së dhe BB-së, që t’i shfrytëzojë për benefitet e zhvillimit ekonomik të vendit dhe për qëndrueshmërinë e mundjes së varfërisë që ekziston në vendin tonë. Unë mendoj që Qeveria e Kosovës ka projekte të mjaftueshme”, theksoi zëvendëskryeministri Kuçi.
Ndërkaq, zoti Gërxhaliu pohon se një nga projektet që tashmë është dashur të jetë i gatshëm dhe i njohur për opinionin, është ai që ka të bëjë me uljen e shkallës së papunësisë në vend.
“Do të duhej të bëhej më shumë në mundësinë e promovimit të mundësive për hapjen e vendeve të reja të punës dhe në këtë drejtim duhet të ketë projekte konkrete, çka do të jetë ajo, a do të jetë agrobiznesi dhe përpunimi i produkteve bujqësore, apo hapja e reparteve të reja të tekstilit, apo do të jetë ajo e minierave...”.
“Krejt këto do të jenë ato që mund të krijojnë vende të reja të punës. Por, për fat të keq, vizioni i qartë institucional mungon”, deklaroi Gërxhaliu.
Kosova nënshkruan edhe anëtarësimin në organizmat e tjerë që përfshihen në Bankën Botërore, si në Bankën Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, në Shoqatën për Zhvillim Ndërkombëtar, në Korporatën Ndërkombëtare të Financave, në Agjencinë e Garantimit të Investimeve Shumëpalëshe dhe në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve në Investime.