Një vit Kushtetutë

Pamje nga seanca solemne e miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Në njëvjetorin e hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, analistët politikë dhe ekspertët ligjorë thonë se ajo nuk po zbatohet në tërësi dhe po has në pengesa në disa drejtime.



Problemet më të mëdha në zbatimin e Kushtetutës së Kosovës mbeten shtrirja e autoritetit në gjithë vendin, si dhe moskonsolidimi i duhur i organeve shtetërore. Kështu konsiderojnë analistë politikë dhe ekspertë për çështje juridike.

Analisti Driton Lajçi thotë se akti me i lartë ligjor i Kosovës, edhe pas një viti të fuqizimit, po has në vështirësi në disa drejtime.

Driton Lajçi
“Vështirësitë kryesore janë pamundësia e shtrirjes së autoritetit të institucioneve në gjithë territorin e Kosovës; e dyta është mungesa e buxhetit për të përkrahur zbatimin e ligjit dhe Kushtetutës dhe, e treta, Kushtetuta nuk korrespondon me specifikat e qytetarëve të Kosovës dhe nevojat e qytetarëve
”, thotë Lajçi.


Ekspertët juridikë konsiderojnë se në Kosovë edhe më tutje vazhdon të ketë mungesë në zbatimin e mirëfilltë të Kushtetutës. Eksperti ligjor, Ismet Salihu, pohon se pengesë më të madhe në këtë drejtim vazhdon të paraqesë jofunksionalizimi i plotë i institucioneve.
Vështirësia kryesore, e cila qëndron si rrethanë, është fakti se akoma në Kosovë nuk janë formësuar dhe konsoliduar në nivelin e duhur institucionet e Kosovës...

“Vështirësia kryesore, e cila qëndron si rrethanë, është fakti se akoma në Kosovë nuk janë formësuar dhe konsoliduar në nivelin e duhur institucionet e Kosovës, përkatësisht organet shtetërore të Kosovës, duke u nisur nga Parlamenti i Kosovës, ministritë e Qeverisë së Kosovës, e veçanërisht ato organe, të cilat drejtpërdrejt merren me zbatimin e ligjit dhe së këndejmi edhe të Kushtetutës”, u shpreh Salihu.

Kushtetuta e Kosovës u miratua më 9 prill të vitit të kaluar dhe hyri në fuqi më 15 qershor. Analisti tjetër, Ismail Hasani, thotë se sfidë në zbatimin e Kushtetutës së Kosovës mbetet veriu i Kosovës.

"Problemi më i madh në mungesën e zbatimit të Kushtetutës në mënyrë të plotë në Republikën e Kosovës, konsiston në pjesën veriore të Kosovës dhe në enklavat serbe, si rezultat i klimës së përgjithshme politike dhe mungesës së dialogut social në përmasa shtetërore në Republikën e Kosovës, në kontekstin e pjesës, e cila edhe më tutje ka rezerva për të kuptuar realitetin e ri të Kosovës - është fjala për entitetin serb”, thotë analisti Hasani.

Ndryshe, veç disa vështirësive në të cilat po has zbatimi i Kushtetutës, analistët mendojnë se ai dokument ka edhe përparësitë e veta. Për analistin Lajçi, Kushtetuta është e bazuar në modelet e kushtetutave të vendeve perëndimore.

“Kushtetuta është bazuar në frymën e kushtetutave bashkëkohore, vlerave perëndimore civilizuese, në demokraci, vlerat personale, individuale e kështu me radhë”, shprehet Lajçi.

Analisti tjetër, Ismail Hasani, thekson se Kushtetuta e Kosovës ka sjellë disa ndryshme dhe përparime në mesin e disa banorëve të komunitetit serb.

Ismail Hasani
“Unë mendoj se, megjithatë, zërat, qofshin edhe në rrafshin individual të të ashtuquajturit pajtimit të njerëzve dhe të të kuptuarit të realitetit në Kosovë, nuk mungojnë. Ne kemi përfshirje të entitetit serb jo vetëm në institucione të Republikës së Kosovës, por kemi dëgjueshmëri qytetare të një pjese të qytetarëve të entiteteve të ndryshme, në rastin konkret - serbë që janë të gatshëm ta kuptojnë realitetin e ri. Ky është një shtet, i cili duhet respektuar
”, theksoi Hasani.

Si bazë për hartimin e Kushtetutës së Kosovës ishte marrë plani i presidentit Ahtisari për statusin e Kosovës.