A do të kenë pasoja në siguri shkurtimet në KFOR?

Paqeruajtësit e KFOR-it

Reduktimi i numrit të pjesëtarëve të KFOR-it në Kosovë nuk do të ketë ndonjë ndikim sa i takon sigurisë së përgjithshme. Kështu thonë zyrtarë nga Ministria e Punëve të Brendshme si dhe ekspertë për çështje të sigurisë.

Zyrtarë nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe ekspertë për çështje të sigurisë thonë se Kosova tashmë është një vend stabil sa i takon sigurisë.
Sipas tyre, marrëveshja e ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s për zvogëlimin e forcave paqeruajtëse të KFOR-it në vend, është e arsyeshme.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Fatmir Xhelili, thotë se Kosova tashmë nuk është e rrezikuar sa i përket sigurisë dhe se numri prej 10 mijë ushtarëve të KFOR-it është i mjaftueshëm.

“Besojmë se situata që është në Kosovë, siguria në Kosovë dhe analizat që bëjnë oficerët e NATO-s, parashohin numrin e tyre se sa është i nevojshëm për Kosovën”.

“Numri 8 mijë deri 10 mijë i pjesëtarëve të NATO-s në Kosovë është i mjaftueshëm për të ofruar siguri. Normalisht që ata kanë edhe batalione mbështetëse për t’u aktivizuar në çdo moment. Mirëpo, duke i konsideruar relacionet momentale, nuk ka rrezik për Kosovën dhe besoj që është një numër i konsiderueshëm”,
tha Xhelili.

Zvogëlimi i numrit të pranisë së KFOR-it në Kosovë vjen si rezultat i asaj që Kosova nuk ka ndonjë rrezikim nga jashtë, pohon eksperti për çështje të sigurisë, Nuredin Ibishi.

“Vjen si pasojë e vlerësimeve reale se nuk ka rrezikim potencial të Kosovës nga jashtë. Pra, përfundimisht mendoj se kapacitetet që janë dhënë në zvogëlimin e paralajmëruar, apo prezenca tjetër - është e mjaftueshme, për arsye se edhe në disa shtete NATO-ja i ka bazat e veta, por edhe shtete që kanë kontingjentet e tyre, kanë njësitë mobile, që mund të intervenojnë shpejt në rast të rrezikimit të mundshëm”, u shpreh Ibishi.

Zoti Xhelili, nga Ministria e Punëve të Brendshme, konsideron se Policia e Kosovës është në gjendje për të ofruar siguri të mjaftueshme për të gjithë qytetarët.

Pamje nga takimi i ministrave të Mbrojtjes të NATO-s, 11 qershor '09...
“Policia e Kosovës ka kapacitete të mjaftueshme për t’u përballur me të gjitha sfidat që mund të ndodhin. Sa i përket sigurisë së territorit, KFOR-i është përgjegjës për atë siguri dhe forcat e Kosovës janë në veprim e sipër”,
tha Xhelili.

Derisa situata e sigurisë në Kosovë, sipas ekspertit Ibishi, është stabile, ai konsideron që institucionet e Kosovës duhet të angazhohen më shumë në ngritjen e kapaciteteve në organet e rendit.

“Sidomos kapacitetet që kanë të bëjnë me sigurinë e brendshme, apo pjesë tjera të sektorit të sigurisë, flas për Policinë e Kosovës, mandej Agjencinë e Inteligjencës, por edhe Forcën e Sigurisë, e cila tashmë është në fazën e përfundimit të seleksionimit dhe ngritjes së kapaciteteve në edukim dhe trajnime të mundshme... Edhe në Policinë e Kosovës, edhe në AKI, duhet të punohet më ngutshëm, për arsye se aty ka shumë ngecje”, deklaroi Ibishi.

Përfaqësues të NATO-s kanë deklaruar se zvogëlimi i numrit të pjesëtarëve të KFOR-it është në harmoni me rrethanat politike dhe ushtarake në Kosovë. Sipas tyre, ky zvogëlim do të realizohet deri kah fundi i këtij viti. Numri do të zvogëlohet nga 13,800 në 10,000 ushtarë.