Përfaqësues të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal thonë se procesi i decentralizimit ka filluar të zbatohet. Megjithatë, sipas tyre, ka vështirësi në këtë drejtim, për shkak të mosbashkëpunimit të duhur të komunitetit serb.
Çdo ditë e më shumë, serbët e Kosovës po e kuptojnë procesin e decentralizimit, por bashkëpunimi i tyre ende nuk është në nivelin e duhur. Kështu thonë përfaqësuesit e Ministrisë së Pushtetit Lokal.
Ministri Sadri Ferati tha se është në kontakt të vazhdueshëm me qytetarët serbë dhe kjo, sipas tij, është një fillim i mirë. Zoti Ferati pohoi po ashtu se në shumë komuna tashmë ka filluar bartja e kompetencave.
“Ka filluar dhe po vazhdon bartja e kompetencave nëpër komuna në intensitetin e kënaqshëm dhe në atë drejtim nuk kemi probleme në bartjen e kompetencave. Njëkohësisht jemi duke identifikuar nevojat dhe sfidat që komunat po hasin në menaxhimin e këtyre kompetencave dhe do të jemi shumë të gatshëm që të zhvillojmë projekte të veçanta, në mënyrë që t’i ndihmojnë komunat në këtë drejtim, qoftë nëpërmjet asistencës teknike apo në formë të trajnimeve që do t’u përcjellim komunave”, tha Ferati.
Por, se bartja e kompetencave nuk ka filluar ende në mënyrën e duhur, e thotë kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemal Mustafa. Ai, veç tjerash, thotë se deri më tash nuk është bërë asnjë investim.
“Ka filluar bartja e kompetencave në menaxhimin e ndonjë aspekti. Po e marrim sikur aspekti i fondit për asistencë sociale. Mirëpo jo fondet, fondet janë ende te Qeveria dhe unë shpresoj që ato fonde dalëngadalë të barten nëpër komuna. Investimet edhe në komunën amë, edhe në komunën që po pretendohet të bëhet, janë rreth zero dhe unë këtë e kam kritikuar publikisht”, tha Mustafa.
Zoti Mustafa ka theksuar gjithashtu se një problem tjetër rreth procesit të decentralizimit është formimi i grupeve punuese, që do të merreshin me implementimin e projekteve.
“Ministri i Pushtetit Lokal e ka problemin e bërjes së ekipeve përgatitore për komunat e reja, e që janë ekipe me nga 10 e më shumë njerëz, ku 80 % do të duhej të jenë serbë, e diku 20-30% të tjerë. Ai e ka edhe këtë problem, se nuk po mundet t’i bëjë ato ekipe. Është një proces që po i shkon shumë ngadalë dhe shumë keq”, u shpreh Mustafa.
Ndërsa, ministri Ferati thotë se është arritur numri i duhur i komuniteteve për grupet punuese.
“Është një numër i kënaqshëm i qytetarëve që kanë konkurruar... Tani është formuar paneli prej Zyrës së ICO-së, që do të bëjë vlerësimin e kualitetit të këtyre aplikimeve dhe së shpejti do të merret vendimi se si do te veprohet më tutje”, tha Ferati.
Ministri Ferati, duke folur në një konferencë për media, ka thënë se Kosova ka vendosur një sistem shumë të përparuar të qeverisjes lokale, andaj, sipas tij, duke u dhënë të drejta qytetarëve, do të kthehet besimi në shtet.
Ndryshe, përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës, përfshirë edhe ata të pjesës veriore, ditëve të fundit, janë shprehur të gatshëm të bisedojnë me institucionet e Kosovës rreth decentralizimit, mirëpo ata kanë kërkuar ndryshimin e Pakos së Ahtisarit. Por, ministri Ferati thotë se është e pamundur hapja e Pakos.