Zyrtarë të institucioneve në pushtet thonë se në përgjithësi janë duke e zbatuar propozimin gjithëpërfshirës të Martti Ahtisaarit. Në anën tjetër, përfaqësuesit e partive opozitare konsiderojnë se ende ka ngecje në zbatimin e kësaj pakoje.
Përfaqësues të institucioneve të Kosovës thonë se janë duke e zbatuar në përgjithësi propozimin gjithëpërfshirës të Martti Ahtisaarit. Ata konsiderojnë se implementimi i atij dokumenti është berë në dy drejtime - në atë ligjor dhe në ndërtimin e institucioneve që parashihen në atë pako.
Ministri i Shërbimeve Publike, Arsim Bajrami, thotë:
“Siç e dini, tani, më se 50 ligje janë miratuar në bazë të Pakos së Ahtisaarit dhe koncepti i dytë i implementimit të Pakos së Ahtisaarit ka qenë themelimi i institucioneve që parasheh ajo pako, qoftë institucioneve qeveritare, qoftë institucioneve apo mekanizmave për mbrojtjen e komuniteteve. Dhe, tani, procesi kryesor i implementimit të kësaj pakoje mbetet procesi i decentralizimit”, tha Bajrami.
Por, disa nga përfaqësuesit e partive opozitare thonë se ende ka ngecje në zbatimin e pakos. Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, pohon se çështja e decentralizimit dhe reformat në drejtësi janë disa nga pikat e pakos që nuk po implementohen.
“Është çështja e decentralizimit, e cila është çështja më e ndjeshme, për shkak të specifikave që i ka decentralizimi, sepse është i bazuar më shumë në elemente etnike, më shumë sesa elementi qytetar që do të duhej të ishte. Kemi ngecje të mëdha, sidomos në gjyqësi dhe në demokratizim të shoqërisë, duke marrë këtu edhe elementin e zgjedhjeve, që është pjesë e demokratizimit, e që nuk po implementohet në kuptimin e mirëfilltë”, deklaroi Isufi.
Ndryshe, në udhëzuesin e zbatimit të Pakos së Ahtisaarit, të përpiluar nga Zyra Civile Ndërkombëtare, vërehet se institucionet e Kosovës kanë përmbushur pothuaj plotësisht agjendën legjislative.
Por, ngecjet vërehen në sektorët që kanë të bëjnë me bashkëpunimin e serbëve lokalë. Megjithatë, ministri Bajrami vlerëson se edhe në këtë rrafsh nuk ka pengesa të theksuara.
“Unë mendoj që nuk ka ngecje, sepse ne veç kemi arritur t’i integrojmë pakicat brenda institucioneve të Kosovës, që është një sukses jashtëzakonisht i madh. Përfaqësuesit e pakicave janë aktivë, qoftë në Parlament, Qeveri dhe institucione të tjera; është plotësuar korniza e plotë ligjore për mbrojtjen e tyre. Siç e dini, edhe në sistemin gjyqësor shumë minoritarë janë të pranishëm, edhe në Gjykatën Kushtetuese. Natyrisht që disa probleme politike mbesin në veri dhe te një pjesë e pakicës serbe, e cila vazhdon të instrumentalizohet nga politika e Beogradit”, tha Bajrami.
Zoti Isufi, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se moszbatimi i Pakos së Ahtisaarit në tërësi, te ndërkombëtarët përçon sinjale negative për vendin.
“Vetë fakti që një pjesë e asaj që është përmbushje e Pakos së Ahtisaarit nuk është bërë, dëmton imazhin e Kosovës, sepse ju e dini që disa nga institucionet e Kosovës që është dashur të krijohen me Pakon e Ahtisaarit, ende nuk janë krijuar dhe kanë pengesa në vazhdimësi; tregon për neglizhencën që po paraqesin institucionet e vendit, e që në fakt, në raport me bashkësinë ndërkombëtare mund të jetë një neglizhim i konsiderueshëm”, tha Isufi.
Sido që të jetë, nga analistët thuhet se sfida më e madhe përpara institucioneve të Kosovës mbetet shtrirja e autoritetit të Prishtinës zyrtare në veriun e Kosovës dhe në vendet e banuara me shumicë serbe.