Beogradi ndikon në përbërjen etnike të FSK-së

Pjesëtarë të FSK-së

Interesimi i komuniteteve pakicë që jetojnë në Kosovë për të qenë pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës, është i kënaqshëm, thonë përfaqësuesit e FSK-së. Zëdhënësi i Forcës së Sigurisë, Enver Dugolli, pohon se 10 për qind të pjesëtarëve të kësaj force, do ta përbejnë komunitetet.

“Nga të rinjtë ka qenë një interesim më i madh dhe mund të themi se rezultatet kanë qenë të kënaqshme me pakicat që jetojnë në Kosovë”, tha Dugolli.

Problemi më i madh paraqitet me komunitetin serb. Beogardi zyrtar ka ftuar serbët lokalë që të mos i bashkohen FSK-së. Një gjë e tillë konfirmohet nga Enver Dugolli, i cili thotë se në mes të vullnetit për t'iu bahskuar FSK-së dhe presionit të Beogardit, në shumë raste ngadhënjen presioni.

“Ka edhe serbë të interesuar. Por, me përqindje nuk mund të themi, sepse ky proces nuk ka përfunduar ende. Për momentin, është një numër jo edhe aq i dëshiruar. Gjithsejtë, katër pjesëtarë të FSK-së të komunitetit serb, që kanë gjetur kurojo t’i bashkohen. Mirëpo, ne shpresojmë që shumë shpejt ata do të jenë në numer të lejueshëm, që është edhe me kuotën e FSK-së, dhe ata do t’i plotësojnë vendet e tyre”, deklaroi Dugolli.

Sadria Musiq është pjesëtar boshnjak i FSK-së. Ai është shef i politikave të operacioneve për forcat tokësore. Musiq konsideron se FSK-ja do të jetë një realizim i dëshirave për të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë.

“Po, unë e shoh Forcën e Sigurisë së Kosovës si realizimin e shpresës së të gjithë qytetarëve, që mund të garantojë një siguri totale në nivel të Kosovës gjithëpërfshirës. Edhe është Forca, e cila mund të marrë pjesë në të gjitha intervenimet, për të cilat ka nevojë Kosova dhe qytetarët e saj”, tha Musiq, pjesëtar i FSK-së.

Zoti Musiq thotë se shumë të rinj të komunitetit serb janë të interesuar që të jenë pjesë e FSK-së. Ai tregon se ka kontaktuar me disa serbë, të cilët kanë dashur të informohen për procedurat e aplikimit në FSK.

“Më kanë thirrur në telefon edhe dy serbë kanë ardhur. Pastaj, kam pasur edhe thirrje të tjera nga ana e serbëve të Kosovës, edhe veriut, edhe të gjitha mjediset ku jetojnë, sepse ata e kanë ditur që unë përpara e kam rregulluar punën. Unë vetëm i kam drejtuar ata te qendra për rekrutim”, tha Musiq.

Procesi për anëtarësimin e pjesëtarëve në FSK ka nisur fillimisht me pranimin e atyre pjesëtareve, të cilët kanë qenë pjesë e Trupave Mbrojtëse të Kosovës, ata që kanë kaluar testet e parapara. Faza e dytë ka nisur me pranimin e anëtarëve të rinj të interesuar nga shoqëria civile.