Disa anëtare të Asociacionit të familjarëve të personave të pagjetur po mbajnë grevë në morgun e spitalit të Prishtinës, në shenjë pakënaqësie për mosidentifikimin e trupave të pajetë. Ato thonë se institucionet e Kosovës duhet ta zgjidhin këtë çështje.
Në shenjë të pakënaqësisë për mosidentifikimin e mbi 400 trupave që gjenden për pothuaj 10 vjet në morgun e Prishtinës dhe, siç e quan ajo, neglizhencën e institucioneve të Kosovës - Nysrete Kumnova, drejtuese e Asociacionit të familjarëve të personave të pagjetur, “Thirrjet e nënave”, nga Gjakova, së bashku me disa familjare të tjera kanë hyrë në grevë.
Zonja Kumnova thotë se institucionet e Kosovës duhet të bëjnë presion te të gjitha institucionet ndërkombëtare dhe vendore, në mënyrë që kjo çështje të zgjidhet.
“Neve do të na kënaqte përgjigjja nëse do të vinte një shkresë me shkrim nga Qeveria e Kosovës, konkretisht nga kryeministri, që ai të bëjë presion në organizatat që bëjnë identifikimin e trupave, siç janë Zyra e OMPF-së edhe Komisioni ndërkombëtar për persona të zhdukur”, tha Kumnova.
Sipas saj, familjarët e personave të zhdukur e kuptojnë gjendjen dhe mundësinë e Zyrës për të Zhdukur dhe Mjekësisë Ligjore, por pohon se identifikimi duhet të vazhdojë edhe jashtë shtetit të Kosovës.
“Institucionet kanë mundësi që t’i identifikojnë trupat për të cilat ende nuk dinë, se ka edhe 2000 të pagjetur. Për ta bërë një laborator, duhet kohë. Këtë që po e bëjmë – grevën, ne drejtpërdrejt po e bëjmë për trupat që ndodhen në morg, që të shkojnë këto mbetje mortore në ISMP në Bosnjë që t’i identifikojnë. Këta trupa nuk mund të presin më këtu ku janë”, u shpreh Kumnova.
Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramë Manaj, thotë se institucionet e Kosovës po bëjnë përpjekje që analizat e ADN-së të bëhen qoftë në Kosovë, apo jashtë saj.
“Qeveria e Kosovës është duke hulumtuar mundësitë e sigurimit të mjeteve për analizat e ADN-së; ato mbetje mortore janë diku mbi 400. A do të sigurojë mjete për t’i bërë analizat jashtë, apo do të sigurojë mjete për të blerë një laboratorium të analizave të ADN-së - kjo është çështje që do të marrë përgjigje për pak ditë, ndoshta prej 4-5 deri në 10 ditë”, tha Manaj.
Ndërsa, sa i përket identifikimit të afro 400 mbetjeve mortore, Arsim Gërxhaliu, udhëheqës i Zyrës për të Zhdukur dhe Mjekësi Ligjore, thotë se institucioni të cilin e drejton ai, deri më tash i ka bërë punët e veta.
“Kemi kryer autopsinë e të ndjerëve në frigoriferët tanë dhe janë rreth 400; i kemi dorëzuar të gjitha mostrat e pjesëve kockore dhe kemi për detyrë protokollare që t’ua dorëzojmë ISMP-së ose Komitetit ndërkombëtar për persona të pagjetur, dhe atë jo një herë, por i kemi përsëritur disa herë mostrat. Nga Komiteti ndërkombëtar nuk kemi marrë ndonjë përgjigje pozitive”, tha Gërxhaliu.
Megjithatë, zoti Gërxhaliu, mungesën e një laboratori për testin e ADN-së e konsideron si një mangësi shumë të madhe.
“Në Kosovë mund të kryhet vetëm inspektimi mjeko-ligjor; mund ta nxjerrim moshën, gjatësinë e tij, gjininë dhe shkakun e vdekjes. Kjo është maksimumi që mund të ofrohet, sepse Kosova nuk posedon laboratorë të ADN-së dhe një gjë e tillë është larg nga realiteti kosovar”, tha Gërxhaliu.
Komisioni Qeveritar për Personat e Pagjetur thotë se numri i trupave të paidentifikuar në morgun e Prishtinës është shqetësues. Ndërsa, aktualisht 1920 persona figurojnë si të zhdukur nga konflikti i vitit 1998-1999.