Nis decentralizimi në praktikë

Ministria e Pushtetit Lokal ka filluar të bartë kompetencat në disa fusha të caktuara nëpër komuna. Ekspertë të qeverisjes lokale kritikojnë institucionet se ende nuk kanë plan të qartë mbi decentralizimin.
Ministria e Pushtetit Lokal dhe Zyra Civile Ndërkombëtare në Kosovë, kanë bërë të ditur se nga e marta fillohet me bartjen e kompetencave shtesë në disa komuna të Kosovës.

Ky proces është i paraparë në Propozimin Gjithëpërfshirës për Statusin e Kosovës, përkatësisht në dispozitat për decentralizimin.

Ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, thotë se ky veprim, që po bëhet në kuadër të procesit të decentralizimit është shumë i rëndësishëm.

"Është nënshkruar Marrëveshja e Mirëkuptimit në mes të tri ministrive kompetente Ministrsisë së Pushtetit Lokal, Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, si dhe kryetarëve të komunave dhe sot marrim vendimin që fusha e përkujdesjes sociale do të kalojë kah komunat. Gjatë muajit shkurt, do të ndihmohet nga ministria kompetente MPMS, ndërsa nga 1 marsi komunat do të veprojnë plotësisht të pavarura në këtë fushë mjaft me interes për qytetaret", tha Ferati.

Ministri Ferati, ka bërë të ditur se një veprim i tillë se shpejti do të ndërmerret edhe me komunat e tjera që pritet të formohen, në lokalitetet e banuara me shumicë serbe në Kosovë.

"Njëkohësisht do të diskutojmë edhe për nevojën e intensifikimit të aktiviteteve në kontakt me qytetarët dhe liderët e komunitetit serb në mënyrë, që sa më shpejt të hapen procedurat e fillimit të emërimit të ekipeve përgatitore për komunat e reja", tha ai.

Mirëpo, eksperti për çështje të decentralizimit Arben Gashi, thotë se nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve dhe bartja e kompetencave shtesë për disa komuna, nuk janë ato veprime konkrete që do të duhej të merreshin.

"Po marrëveshjet e tilla janë më shumë një show politik se sa që është një veprim real dhe konkret në terren sepse për gjërat, të cilat janë të parapara me ligj nuk ka nevojë të nënshkruhen marrëveshje në mes të institucionve apo grupit të institucioneve për të arritur që të inplementohet ligji, " tha zoti Gashi.

Por, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Pushtetit Lokal një nga të arriturat më të mëdha të procesit të decentralizimit është pikërisht bartja e kompetencave nëpër komuna dhe fillimi i formimit të komunave të reja.

Arben Gashi, ndërkaq, thotë se Qeveria e Kosovës, nuk ka një program të qartë se si duhet të formohen komunat reja dhe zhvillimi i decentralizimit

"Institucionet e Kosovës kanë dështuar, që të trajtojnë me dinjitet Pakon e Ahtisarit, e cila e parasheh decentralizimin, sepse nuk kanë arritur, që të themelojnë komunat e reja dhe që t'i funksionalizojnë ato. Dhe nuk kanë arritur që të kenë një qasje pozitive të pakicës serbe, e cila jeton në ato territore ku duhe të formohen komunat e reja", tha zoti Gashi.

Por, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës thonë se mosbashkëpunimi i serbëve kosovarë me institucionet e vendit, po ndodh pasi që Beogradi po ndikon te serbët e Kosovës, dhe si pasojë e kësaj, ministri Ferati thotë se ka ngecje në formimin e komunave të reja.

"Qytetarët e komunitetit serb i kane dy ndikime të fuqishme: ndikimet e Beogradit, politikat e tij dhe ndikimet nga disa qarqe ekstreme, qe ende veprojne në disa lokalitete, domethënë rryma radikale", tha Ferati.

Plani i Ahtisaarit parasheh formimin e pesë komunave të reja serbe në Graçanicë, Ranilluk, Partesh, Kllokot, si dhe zgjerimin territorial të komunës së sotme të Novobërdës.