Mesazhe paqeje dhe tolerance

Mesha e Krishtlindjeve në Kishën 'Shën Ndou' në Prishtinë.

Mesha e mesnatës në Kishën Katolike “Shën Ndou”, në Prishtinë, në të cilën ishin të pranishëm qindra qytetarë të besimit katolik, por edhe të besimeve tjera, ka shënuar festën e Krishtlindjes.



Mbretërimi i paqes dhe tolerancës në mes të njerëzve ishte thelbi i mesazheve, të cilat u përcollën gjatë kësaj mbrëmjeje. Ndërkaq, Dom Lekë Oroshi, i cili drejtoi meshën e mbrëmshme, tha se festimi i Kërshëndellave të sivjetme ka rëndësi të veçantë.

”Mesazhi është që çdo qenie njerëzore është e thirrur në këtë natë të jetojë në paqe, në harmoni, në gëzim, në tolerancë, në dialog dhe t’i shprehë vlerat e veta, ato të frymëzuara nga shkrimet e shenjta, ato të përcjella në aspekt të trashëgimisë. Në mënyrë të posaçme, në shqiptarët e kemi një sens më të fortë se të tjerët për të festuar në pavarësi, për të festuar vërtet në një thellësi të qenies sonë njerëzore si shqiptarë në Kosovën e lirë, sovrane dhe bujare”, ka thënë Dom Lekë Oroshi.

Mesazhe nga mesha e Krishtlindjeve kanë dhënë edhe përfaqësues të institucioneve të larta kosovare. Zëdhënësi i Presidencës së Kosovës, Xhavit Beqiri, tha:

“Është një festë e veçantë e Krishtlindjes, sepse për herë të parë festohet në Kosovën e pavarur, shtet sovran, të njohur ndërkombëtarisht, prandaj kjo kremte është një kremte e dyfishtë, është edhe për besimtarët, por është edhe për të gjithë qytetarët dhe miqtë e Kosovës. Këto mesazhe urimi do t’ua përcjell edhe një herë drejtuesve të Kishës Katolike shqiptare, të cilët kanë pasur një rol të jashtëzakonshëm në të gjitha proceset nëpër të cilat ka kaluar Kosova, jo vetëm në kultivimin e frymës së tolerancës, mirëkuptimit dhe dashurisë mes qytetarëve të Kosovës, por edhe në gjithë rajonin”.

Në meshën e mbrëmshme në Kishën “Shën Ndou” ishte i pranishëm edhe zëvendës-ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Gjergj Deda, i cili uroi besimtarët katolikë, si dhe të gjithë qytetarët e Kosovës.

”Mesazhi ynë është që të punojmë për paqen, për ndërtimin e shoqërisë kosovare, për demokracinë, për zhvillimin ekonomik dhe për integrimin e Kosovës në strukturat veri-atlantike. Të varfrit, të papunët, të pastrehët, familjet e dëshmorëve, invalidët e pensionistët dhe të gjitha kategoritë tjera, gjatë kësaj feste të Krishtlindjeve t’i përkujtojmë dhe t’u themi se do të jemi të gjithë së bashku që ta ndërtojmë vërtet një Kosovë, ku të gjithë qytetarët e saj, pa asnjë dallim, të ndjehen dinjitozë, të ndjehen të qetë dhe ta ndërtojmë së bashku të ardhmen e shtetit të ri të Kosovës”, ka thënë ministri Deda.

Po ashtu, mesazhe të paqes dhe tolerancës së ndërsjellë, mbrëmë kanë dhënë edhe qytetarët e Prishtinës, të cilët ishin të pranishëm në Kishën Katolike “Shënd Ndou”.

”Është gëzim shumë i madh. Mesazhi im është të jemi shëndosh, të kemi jetë të mirë, tolerancë”, thotë Ana Gjinovci.

“Të gjithë shqiptarëve anekënd ku jemi, ua uroj të gjitha festat, Kërshëndellat, Vitin e Ri dhe mos të harrojmë – të gjithë bashkë të jemi. Festa do të bëjmë çdo ditë e çdo natë kur ne jemi bashkë, edhe Kërshëndella, edhe Bajram, se fe e shqiptarit është shqiptaria”, tha Fatmir Hoxha.