Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe ata të Policisë së Kosovës shprehen të bindur se çështja e policëve të suspenduar serbë do zgjidhet në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm.
Përfaqësuesit e Policisë së Kosovës dhe ata të Ministrisë së Punëve të Brendshme janë duke bërë përpjekje që policët e komunitetit serb, të cilët po bojkotojnë punën në polici, t'i kthejnë në vendet e tyre të punës.
Veton Elshani, zëdhënës i policisë, thotë se nëse edhe për një kohë policët e suspenduar me pagesë nuk kthehen në punë, shpejt do të hapet konkursi për policë të rinj, por ai nuk saktëson kohën se kur do të ndodhë një gjë e tillë.
"Policia e Kosovës nuk mund të thotë me saktësi se kur duhet të ndodhë kjo, veç e dimë se do të jetë shpjet; ndërsa, dihet se ata janë edhe nën presion. Ne e kemi theksuar edhe më herët që dihet realiteti, kemi një realitet të ri - është shpallur pavarësia e Kosovës. Presionet janë të brendshme dhe të jashtme në kolegët tonë; për këtë arsye, është zgjatur kaq shumë, mirëpo jo edhe për gjatë", tha Elshani.
Ndryshe, edhe zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme bëjnë të ditur se veç kërkesave nga autoritetet e vendit që policët serbë të kthehen në vendet e tyre të punës, edhe përfaqësuesit e policisë së misionit EULEX janë duke punuar që t'i bindin policët serbë që t'i kthehen punës. Fisnik Rexhepi, këshilltar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, shpjegon:
"Edhe nga EULEX-i na janë komunikuar rezultatet e disa bisedimeve që ata i kanë zhvilluar me pjesëtarë të Policisë së Kosovës nga radhët e komunitetit serb. Ne do t’u japim edhe pak kohë pas festave, që në rast se kthehen, do të jetë mirë për të gjithë; por, në rast se jo, atëherë ne do të shpallim konkurs. Mund të them se kjo çështje do të definohet në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm", theksoi Rexhepi.
Policët serbë, të cilët që nga shpallja e pavarësisë kanë bojkotuar punën në policinë e Kosovës, edhe më tej nuk po i binden vullnetit dhe dëshirës së zyrtarëve të MPB-së dhe Policisë së Kosovës që ata të jenë pjesë e policisë. Ata po bojkotojnë punën në këtë institucion, pasi që, sipas tyre, nuk duan të punojnë në institucionet e Kosovës së pavarur.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e komunitetit serb presin që çështja e kthimit të serbëve në Policinë e Kosovës, sikurse edhe pjesëmarrja e tyre në përgjithësi në këtë shërbim, të rregullohet në bazë të planit gjashtëpikësh, i cili rrjedh nga marrëveshja në mes të Beogradit dhe Kombeve të Bashkuara.
Zvonimir Steviq, kryetar i Qendrës Koordinuese për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, thotë se nuk është diskutabil kthimi i policëve serbë në Policinë e Kosovës, të cilët e kanë braktisur shërbimin pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, por problemi, sipas tij, qëndron tek linja komanduese. Lidhur me këtë çështje, ai thotë se do të bisedohet.
"Pas miratimit të gjashtë pikave dhe pas shtrirjes së EULEX-it në Kosovë, pasojnë bisedimet dhe marrëveshjet se si do të duket dhe si do të funksionojë kjo, para së gjithash, në enklavat serbe. Ajo që di unë, është thënë se në kuadër të policisë, në linjën komanduese do të jetë një serb zëvendëskomandant, i cili do t’i marrë urdhrat nga EULEX-i, përkatësisht Kombet e Bashkuara, në kuptimin e funksionimit", tha Steviq.
Steviq ka paralajmëruar se do të zhvillohen bisedimet në mes të përfaqësuesve të Qeverisë së Serbisë dhe EULEX-it, si dhe ka shfaqur shpresën se së shpejti do të gjendet një zgjidhje kompromisi.
Këshilltari në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Fisnik Rexhepi, bën të ditur se kohëve të fundit, bazuar në disa takime që janë zhvilluar me policët e suspenduar, ka indikacione se ata mund të kthehen në punë.
"Ka disa reflektime së fundi, ka reagime pozitive edhe nga stacionet tjera policore, ta zëmë nga stacioni i Graçanicës, të cilët pohojnë se do t'i përgjigjen dhe i përgjigjen zinxhirit komandues të Prishtinës", tha Rexhepi.
Rreth 328 policë serbë kanë lëshuar punën pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në shkurt të këtij viti. Shumë nga ta ende janë duke marrë paga, pasi që janë të suspenduar me pagesë, ndërsa në punë janë kthyer vetëm 20 prej tyre.