Moore: Shumica e amerikanëve duan ndryshime

Patrick Moore

"Kandidimi presidencial i Barack Obamas do të nxisë shumë amerikanë me ngjyrë që të angazhohen më shumë në politikë, sepse ky rast u dëshmon atyre se mund të kenë sukses nëse provojnë dhe hyjnë në garë", thotë analisti i Radios Evropa e Lirë, Patrick Moore.

RADIO EVROPA E LIRË
Senatori Barack Obama është kandidati i Partisë Demokratike në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara. A mendoni se gara e gjatë ndërmjet Obamas dhe senatores Hillary Clinton mund të influencojë epilogun final të zgjedhjeve presidenciale?

PATRICK MOORE
Fillimisht më duhet të them se fushatat shumë të zgjatura në të dyja partitë ishin shumë të shëndetshme dhe pozitive, si në planin e brendshëm, ashtu edhe për imazhin e Amerikës në botë. Ato dëshmojnë aftësinë e SHBA-ve që përmes qasjes kritike t'i tejkalojë situatat e vështira.

Amerika nuk mbetet peng i së kaluarës në periudhë më të gjatë. Fushata e gjatë i ka familjarizuar amerikanët dhe botën me kandidatët presidencialë dhe çështjet e diskutuara. Kjo do të bëjë që të dy partitë në të ardhmen të përgatiten për fushata serioze dhe debatuese. Kjo është një gjë e mirë.

RADIO EVROPA E LIRË
I nominuari republikan, senatori John McCain, ka thënë se Obama nuk ka eksperiencë në politikën e jashtme. McCain thotë se Shteteve të Bashkuara u duhen ndryshime, por ndryshime që çojnë përpara dhe jo prapa. Cili është komenti juaj?

PATRICK MOORE
Hulumtimet e fundit tregojnë se 80 për qind e amerikanëve mendojnë se vendi është i orientuar në drejtim të gabuar. Kjo është një recetë për ndryshime. McCain respektohet shumë si hero lufte dhe i burgosur lufte dhe si një senator që njeh shumë mirë çështjet e politikës së jashtme.

Por, në kohën kur 80 për qind e popullatës dëshirojnë ndryshime, ai ka dy disavantazhe: së pari, ai do të jetë 72 vjeçar nëse zgjidhet president dhe kjo moshë nuk identifikohet me ndryshime; së dyti, ai është nga partia nga e cila është edhe presidenti Bush, parti që ishte në pushtet për 8 vjet.

Ndonëse McCain ka tentuar të distancojë vetveten nga Bushi në disa çështje, ai megjithatë identifikohet me te në disa çështje, siç është Iraku. Rrjedhimisht, kur demokratët thonë se nëse votoni për McCainin, keni votuar për mandatin e tretë të Bushit, ata tërheqin vëmendjen.

McCain ka të drejtë kur thotë se Obama nuk ka përvojë në politikën e jashtme, por duhet shtuar se Obama ka siguruar disa këshilltarë të mirë. Nëse një njeri i papërvojë e pranon mungesën e përvojës dhe pranon këshillat e mira, ai ka fituar më shumë se një betejë.

Nga ana tjetër, përvoja nuk është siguri për vendimet e gabuara. Dua të përkujtoj se Bushi kishte dy nga personalitetet më me përvojë, nënpresidentin Cheney dhe sekretarin e Mbrojtjes, Ramsfeld, dhe përvoja e tyre nuk ka ndihmuar që të evitohen vendimet shumë të këqija për Irakun.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, çfarë mendoni se është faktori që do të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve...ekonomia, politika e jashtme apo diç tjetër?

PATRICK MOORE
Iraku gjithsesi që është me rëndësi, por gjatë udhëtimit tim të fundit në Kaliforni, hetova se njerëzit atje bisedojnë vetëm për ekonominë. Ata janë të shqetësuar për vendet e tyre të punës, për shtëpitë e tyre, për çmimet e naftës...

Duhet thënë se kandidimi presidencial i Barack Obamas do të nxisë shumë amerikanë me ngjyrë që të angazhohen më shumë në politikë, sepse ky rast u dëshmon atyre se ata mund të kenë sukses nëse provojnë dhe hyjnë në garë.