"Qëndrimi im dhe i Aleancës është që Serbia nuk ka të drejtë të mbajë zgjedhje lokale në Kosovë. Sa i përket zgjedhjeve parlamentare, është e drejtë e qytetarëve serbë që kanë dyshtetësinë të votojnë edhe për Parlamentin dhe institucionet qendrore të Serbisë, por jo zgjedhje lokale", thotë Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
RADIO EVROPA E LIRË
Analistë dhe zyrtarë kanë thënë se me kthimin e juaj në Kosovë, presin dinamizim të jetës politike, përkatësisht fuqizim të opozitës. Në këtë kontekst, ne cilat segmente do të fokusohet aktiviteti i juaj?
RAMUSH HARADINAJ
Ajo që do t'i kushtohemi më së shumti ka të bëjë me vetë qeverisjen dhe me ndikimin e drejtpërdrejtë të qeverisjes në jetën e përditshme të qytetarëve të Kosovës. Në të njëjtën kohë, po ashtu rëndësi do t'i kushtojmë edhe vetë integrimit të pakicave në Kosovë, veçanërisht të pakicës serbe.
Pra, kujdesi dhe roli ynë do të vijnë në shprehje që qeverisja në Kosovë të jetë në funksion me përgjegjësitë e marra dhe përmes një qeverisjeje të mirë, të kemi ofertë për të gjithë qytetarët, por edhe për serbët e Kosovës.
RADIO EVROPA E LIRË
Keni thënë se Qeveria e Kosovës është duke improvizuar dhe se puna e saj nuk është lajm i mirë për Kosovën. A mund ta elaboroni më hollësisht këtë pohim?
RAMUSH HARADINAJ
Kemi një kohë në qeverisje kur nuk ka plan pune. Meqenëse është kështu, qytetarët e Kosovës nuk kanë mundësi ta përcjellin punën e qeverisë dhe ta bëjnë krahasimin e kësaj pune me planin qeverisës.
Në këtë mënyrë, vetë qeveria nuk ka pasur mundësi që t'i japë orientimin e duhur punës së vet, por kanë ndodhur shumë improvizime, ka nodhur një punë kabinetike, por jo një punë që mbërrin deri tek qytetarët e Kosovës.
RADIO EVROPA E LIRË
Keni thënë se qeveria ka heshtur projektin 'Kosova C'. Përse këtë projekt nuk e ka finalizuar qeveria e mëparshme dhe përse qeveria e tashme e hesht atë?
RAMUSH HARADINAJ
Projekti 'Kosova C' është një projekt relativisht i gjatë në kohë, sepse në radhë të parë është dashur të përfundohen aspektet që lidhen me vetë vizibilitetin, të kryhen të gjitha përgatitjet që të mund të fillojë 'Kosova C', duke përfshirë edhe njohjen apo vetë ftesën për investitorët e mundshëm.
Shumë aspekte përgatitore që lidhen me atë që njihet si projekt investues, janë të kryera. Për shkaqe kohore dhe për shkak të afateve që janë vendosur nga akterët, sepse në këtë projekt përveç institucioneve të Kosovës, kanë qenë të kyçur edhe mekanizmat monetarë ndërkombëtarë, si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe shumë mekanizma të tjerë, meqenëse është një projekt i përmasave të mëdha që do të ketë peshë edhe në regjion për energjinë, atëherë me ndërrimet qeveritare pas zgjedhjeve, qeveria e re e ka lënë në heshtje këtë projekt dhe nuk ka mundur ta vazhdojë më tej ose nuk ka dashur ta vazhdojë më tej.
RADIO EVROPA E LIRË
Keni kërkuar gjithashtu mbajtjen e zgjedhjeve në afatin e përcaktuar sipas planit të Ahtisaarit. Mendoni se dikush dëshiron t'i ikë këtij obligimi politik dhe moral?
RAMUSH HARADINAJ
Besoj se në Kosovë të gjithë jemi në dijeni, sepse serioziteti ynë në përmbajtjen e obligimeve të marra nga pakoja e Ahtisaarit do të jetë edhe garancë për një avancim të mëtejmë jo vetëm të jetës së brendshme në Kosovë dhe të zbatimit të pjesëve që lidhen me vetë jetën e qytetarit, por edhe të seriozitetit tonë me partnerët, mendoj me qeveritë dhe vendet që kanë qenë të involvuara në procesin rreth statusit të Kosovës.
Nisur nga kjo, besoj se është në dobinë tonë, të kosovarëve, dhe të gjithë akterëve, që zbatimi i planit të Ahtisaarit të bëhet me seriozitetin e duhur dhe mos t'u ikim obligimeve të marra nga ky plan.
RADIO EVROPA E LIRË
Serbia e ka bërë të qartë se pos zgjedhjeve parlamentare, në Kosovë do të mbajë edhe zgjedhje lokale. A ka rrezik të tensionimit të situatës nëse ato vërtet do të mbahen?
RAMUSH HARADINAJ
Në radhë të parë, qëndrimi i këtillë për të mbajtur zgjedhje lokale në Kosovë nga Serbia, kur vetë Beogradi ka qenë pengesë që serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet e organizuara nën udhëheqjen e bashkësisë ndërkombëtare më herët, pastaj nën udhëheqjen e përbashkët të bashkësisë ndërkombëtare dhe institucioneve të Kosovës, në një rregull ligjor shumë të avancuar, demokratik, është e çuditshme. Pra, janë penguar njëherë të marrin pjesë në zgjedhje të nivelit më të lartë dhe të vlerësuara si zgjedhjet më të mira në rajon që kanë ndodhur në Kosovë, tani së fundi kërkojnë të mbajnë zgjedhje në Kosovë.
Qëndrimi im dhe i Aleancës është që Serbia nuk ka të drejtë të mbajë zgjedhje lokale në Kosovë. Sa i përket zgjedhjeve parlamentare, është e drejtë e qytetarëve serbë që kanë dyshtetësinë të votojnë edhe për Parlamentin dhe institucionet qendrore të Serbisë, por jo zgjedhje lokale.
Se si do të duket kjo në praktikë, mendoj se ne kemi dhënë prova deri më tani, edhe pas 17 shkurtit të këtij viti, se ne i kushtojmë rëndësi të jashtëzakonshme stabilitetit jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon. Nuk do të ketë ndryshim në qasjen tonë në mbështetje të stabilitetit në Kosovë dhe në rajon.
RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haradinaj, një çështje tjetër që kërkon zgjidhje është situata në veriun e Kosovës. Si do t'i qaseshit ju këtij problemi?
RAMUSH HARADINAJ
Deri më tani, zhvillimet që kanë ndodhur rreth veriut dhe angazhimet që kanë ndodhur nga Prishtina, janë më shumë të palës ndërkombëtare, të mekanizmave të sigurisë dhe mekanizmave civilë.
Unë besoj se Qeveria e Kosovës dhe institucionet e Kosovës duhet të jenë pjesë e këtyre angazhimeve, në radhë të parë për vendosjen e rendit kushtetues dhe ligjit edhe në këtë pjesë të Kosovës, por po ashtu për të sjellë edhe ofertën nga Qeveria e Kosovës, një ofertë ekonomike, por edhe sociale për njerëzit atje. Pra, duhet të kemi një ofertë serioze, ku rol kryesor në zbatimin e kësaj oferte duhet të kenë institucionet vendore.
RADIO EVROPA E LIRË
Deri më tash, pavarësinë e Kosovës e kanë njohur 36 vende të botës. Qeveria e Kosovës pohon se ritmi i njohjes është i mirë, por disa zyrtarë dhe analistë perëndimorë thonë se kemi të bëjmë me ngecje në këtë proces. Si e shihni ju këtë zhvillim?
RAMUSH HARADINAJ
Në radhë të parë, njohjen e Kosovës si shtet të pavarur e kanë bërë shtetet që kanë qenë më shumë të involvuara apo që kanë pasur më shumë njohuri për vetë Kosovën, procesin nëpër të cilin ka kaluar Kosova. Dhe, ne u jemi shumë mirënjohës këtyre shteteve, sepse kanë dhënë kontributin e tyre të drejtpërdrejtë që Kosova ta marrë drejtimin e duhur, që jeta e njerëzve në Kosovë ta marrë kahjen e duhur, por, kjo është një ndihmesë edhe për rajonin.
Besojmë se edhe shumë shtete të tjera do ta bëjnë këtë. Sa i përket dinamikës se si duket kjo, mendoj se kjo dinamikë e njohjes do të vazhdojë dhe Kosova do të arrijë njohjen e më shumë vendeve të botës dhe kësisoj do të arrijë edhe situatën e anëtarësimit në OKB. Tani jemi të bindur se kjo do të ndodhë. Megjithatë, e dimë se një pjesë e vendeve nuk kanë qenë aq shumë të involvuara, por kanë mungesë informacioni për Kosovën dhe proceset nëpër të cilat ka kaluar Kosova.