"Duhet injoruar Rusinë dhe përqendruar në çështjet që do ta bënin Kosovën të zhvilluar dhe të qëndrojë në këmbët e veta. Kjo bëhet duke punuar me institucionet ku Uashingtoni e Brukseli kanë fjalën kryesore", thotë Patrick Moore, analist i Radios Evropa e Lirë.
RADIO EVROPA E LIRË
Serbia ende thotë se kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Ata kanë mbështetje nga Rusia. Moska pohon se Kosova kurrë nuk do të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara...
PATRICK MOORE
Duhet përkujtuar thënien e njohur "kurrë mos thuaj kurrë". Serbia dhe politikanët atje do të bëjnë zhurmë së paku deri në përmbyllje të zgjedhjeve të ardhshme, që me gjasë do të mbahen sivjet më vonë.
Kosovës nuk i duhen Kombet e Bashkuara dhe mbase nuk u duhen as të tjerëve.
Ajo që Kosovës i duhet është mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe e Bashkimit Evropian në institucionet ekonomike ndërkombëtare. Prej tyre rrjedhin paratë dhe aty fjalën kryesore e kanë Uashingtoni dhe Brukseli.
RADIO EVROPA E LIRË
Përfaqësuesi i Rusisë në NATO, zoti Rogozin, ditë më parë, tha se Rusia "do të përdorë forcën" në rastin e Kosovës, por më vonë ka shtuar se "kurrë nuk do të ketë konfrontim me NATO-n". Ç'do të thotë kjo ambivalencë?
PATRICK MOORE
Ky është një rrëfim interesant që meriton vëmendje. Dimitrij Rogozin, që është ambasador i Rusisë në NATO, ka bërë dy prononcime të ndryshme, njërin më 21 dhe tjetrin më 24 shkurt.
Aludimi për përdorimin e forcës ka qenë shumë transparent në të parin, por në prononcimin e dytë u tërhoq nga ky deklarim.
Përse? Fillimisht duhet thënë se zoti Rogozin është nacionalist, madje edhe sipas standardeve ruse dhe i njohur për deklarime pa menduar se kë do të ofendojë.
Putin e largoi nga skena politike duke e dërguar nga Moska në Bruksel, që atje të thotë çfarë të dojë.
Pra, kur ai flet, vështirë është të dihet nëse është duke folur në emër të Kremlinit apo në emër të vetin.
Duket se në prononcimin e parë kishte thënë gjëra kokë më vete, por pastaj Kremlini duket t'i ketë thënë që nuk ka guxuar të thotë gjëra të tilla dhe rrjedhimisht ai u tërhoq.
RADIO EVROPA E LIRË
Cili është synimi përfundimtar i politikës së Rusisë në Ballkan dhe Kosovë?
PATRICK MOORE
Kemi të bëjmë me një pjesë të një performanse teatrore ndërkombëtare, që synim të fundit ka sigurimin e respektit për Moskën duke krijuar frikë.
Njerëzit e tashëm në Kremlin kanë ardhur në konkludim se ish-Bashkimi Sovjetik ka qenë fuqi e madhe, sepse njerëzit janë frikësuar nga ai.
Ish-Bashkimi Sovjetik nuk kishte shtrirë ndikimin me qasje pozitive, por duke frikësuar të tjerët. Tash kemi përsëritje të gabimeve marroqe të ish-Bashkimit Sovjetik.
Kancelaria e Gjermanisë, Angela Merkel, kërkoi një hulumtim dhe analizë të veprimeve të Rusisë. Konkludimi ishte se Rusia bën obstruksion, sepse dëshiron të jetë obstruksioniste.
Kjo është pikërisht ajo që e thashë, pra ata mendojnë se mund të rikthejnë forcën, duke i frikësuar të tjerët.
Një personalitet që i njeh ata shumë mirë është presidenti i Estonisë, Tomas Hendrik Ilves dhe ai vitin e kaluar sugjeroi se më e mira është që Rusia të injorohet. Nëse u kushtoni shumë rëndësi atyre, gjërat i bëni edhe më keq.
Rrjedhimisht, besoj se duhet injoruar Rusinë dhe përqendruar në çështjet që do ta bënin Kosovën që të qëndrojë në këmbët e veta dhe të zhvilluar. Kjo bëhet duke punuar me institucionet, ku Uashingtoni dhe Brukseli kanë fjalën kryesore.