Ndërlidhjet

Zyrtarizimi i Marrëveshjes së Ohrit, i “pamundur deri në fund të janarit”


Flamujt e Kosovës dhe Serbisë - dy vendeve të përfshira në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, mbi një dekadë.
Flamujt e Kosovës dhe Serbisë - dy vendeve të përfshira në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, mbi një dekadë.

Është joreale të pritet zyrtarizimi i Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë deri në fund të janarit 2024, thonë Artan Muhaxhiri, sociolog dhe analist politik nga Kosova, dhe Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd.

Një gjë e tillë u paralajmërua nga i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Ai tha se është në pritje të përgjigjes nga Kosova për këtë çështje, së cilës i janë ofruar “disa opsione”.

Prishtina zyrtare këmbëngul që Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve, e njohur edhe si Marrëveshja e Ohrit, të nënshkruhet - gjë të cilën Beogradi zyrtar e refuzon.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u dakorduan gojarisht për të në muajin shkurt, ndërsa për aneksin e zbatimit të saj arritën pajtim në mars.

BE-ja thotë se dokumenti është ligjërisht i detyrueshëm për të dyja palët edhe pa nënshkrim.

Radio Evropa e Lirë iu drejtua Qeverisë së Kosovës me pyetjen se çfarë do të thotë “zyrtarizimi” i marrëveshjes, që përmendet nga Lajçaku, dhe çfarë opsionesh i janë ofruar Kosovës për “zyrtarizimin” e saj.

Në vend të përgjigjes, nga Qeveria e Kosovës përcollën një postim të Kurtit në Facebook, përmes të cilit ai ofroi nënshkrimin e Marrëveshjes me Serbinë në Samitin e Këshillit Evropian, që do të mbahet më 21 dhe 22 mars të vitit 2024.

Çfarë thotë Kurti tjetër?

Kurti ofroi edhe hartimin e draft-statutit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në bashkëpunim me ministrat e tij: Nenad Rashiq i Ministrisë për Komunitete dhe Kthim dhe Elbert Krasniqi i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.

Ky qëndrim i tij erdhi pasi Lajçaku, në një intervistë për gazetën kosovare, Express, më 21 dhjetor, tha se për zbatimin e Marrëveshjes për Asociacionin nuk është e nevojshme të nënshkruhet asgjë, sepse draft-statuti është një dokument “i brendshëm” i Kosovës.

“Akti juridik, ashtu siç është hartuar aktualisht [statuti], duhet të jetë dokument i brendshëm i Kosovës. Me nënshkrimin e Kosovës dhe Serbisë, statuti do të bëhej marrëveshje ndërkombëtare - gjë që nuk është”, tha Lajçak.

Duke iu përgjigjur kësaj, Kurti tha se nëse statuti është çështje e brendshme e Kosovës, ai është i gatshëm ta shkruajë atë vitin e ardhshëm, bashkë me ministrat e tij.

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Rashiq, tha në një prononcim të shkurtër për Radion Evropa e Lirë se është në dispozicion të kryeministrit nëse, në çfarëdo mënyre, është e nevojshme ndihma e tij për hartimin e draft-statutit të Asociacionit.

Më 21 tetor, Lajçak, së bashku me përfaqësuesit e SHBA-së, Francës, Gjermanisë dhe Italisë, u dorëzuan Prishtinës dhe Beogradit një draft-statut për formimin e Asociacionit, i cili, në parim, u pranua nga të dyja palët.

BE-ja tha se ai është “një propozim modern evropian për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve pakicë”.

Marrëveshjen për Asociacionin, që duhet t’u japë më shumë autonomi serbëve në Kosovë, Prishtina dhe Beogradi e arritën në vitin 2013.

Megjithatë, Kosova refuzoi ta zbatonte me arsyetimin se mund të ndikojë negativisht në funksionalitetin e brendshëm të shtetit.

Çfarë thonë në Serbi?

Radio Evropa e Lirë iu drejtua edhe Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë dhe Presidencës së Serbisë lidhur me zyrtarizimin e mundshëm të Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit muajin e ardhshëm, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

Presidenti i Serbisë, Vuçiq, tha më herët se nuk do të nënshkruajë asnjë marrëveshje që do të nënkuptonte njohjen e Kosovës apo anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara.

Por, me Marrëveshjen e Ohrit, Serbia, përveç tjerash, mori përsipër që të respektojë integritetin territorial të Kosovës dhe të mos e bllokojë anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare.

Më 14 dhjetor, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, dorëzoi një letër zyrtare në selinë e Bashkimit Evropian, duke shprehur rezerva për detyrimet që dalin nga marrëveshja dhe aneksi për zbatimin e saj.

Nga BE-ja, ndërkaq, paralajmëruan se obligimet e marra me këtë marrëveshje do të përfshihen në kornizën negociuese të Serbisë për anëtarësim në BE.

Obligimet që dalin nga kjo marrëveshje do të jenë, po ashtu, edhe pjesë e rrugës së Kosovës drejt BE-së.

Çfarë do të thotë në praktikë zyrtarizimi i marrëveshjes?

Muhaxhiri thotë për Radion Evropa e Lirë se zyrtarizimi i marrëveshjes, që përmendi Lajçak, në praktikë nënkupton formimin e Asociacionit në Kosovë dhe njohjen de facto të Kosovës nga Serbia.

Sipas tij, Kosova dhe Serbia nuk do të mund t’i anashkalojnë këto dy çështje.

“Gatishmëria e Kosovës për të themeluar Asociacionin do të varet nga intensifikimi i presionit nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, si dhe nga cilësia dhe shtrirja e perspektivave integruese dhe përfitimeve socio-politike për qytetarët e Kosovës dhe udhëheqjen shtetërore. Në një kontekst real, zbatimi praktik i Marrëveshjes për Asociacionin do të fillojë vetëm kur të arrihet ekuilibri i përsosur i të gjitha këtyre vlerave shumë delikate dhe të ndërlidhura”, thotë Muhaxhiri.

Janjiq thotë se, aktualisht, nuk mund të flitet për ndonjë zyrtarizim të marrëveshjes, sepse në Serbi sapo përfunduan zgjedhjet parlamentare dhe tani do të vijojë formimi i Kuvendit dhe Qeverisë së re.

“Kjo nuk do të mund të bëhet. Me Vuçiqin, thjesht, ai [Lajçak] mund të merret vesh për gjithçka, por Vuçiq nuk mundet dhe nuk ka forcë të imponojë asgjë. Dhe, procedurë që duhet të respektohet, janë ndryshimet në kornizën e negociatave [të Serbisë me Bashkimin Evropian]”, thotë Janjiq.

Në fillim të dhjetorit, Vuçiq pranoi se ekziston mundësia që Marrëveshja e Ohrit të bëhet pjesë e kapitullit 35 të negociatave me BE-në dhe, rrjedhimisht, kusht për pranimin e Serbisë në BE.

Pse është i nevojshëm zyrtarizimi?

Edhe pse kaluan dhjetë muaj nga pranimi i Marrëveshjes së Ohrit, rezultate konkrete në zbatimin e saj nuk ka.

Si Prishtina, ashtu edhe Beogradi i mohuan përgjegjësitë për moszbatim.

Muhaxhiri beson se Kurti dhe Vuçiq, pasi ranë dakord për aneksin e zbatimit të marrëveshjes, u angazhuan në “pjesën populiste të punës”.

“Ata deshën ta transformonin dhe ridizajnonin më pas aneksin sipas nevojave të tyre të brendshme, dhe kjo e prishi ekuilibrin dhe planin në tërësi. Prandaj, është bërë e nevojshme tani që të gjithë t’i kthehen zyrtarizimit të asaj që është rënë dakord në Ohër”, thotë Muhaxhiri.

Sipas Janjiqit, si Prishtina, ashtu edhe Beogradi, thjesht, po “blejnë kohë” dhe asnjëra palë nuk dëshiron që marrëveshja të zbatohet.

“Ky [zyrtarizimi] nuk është real, sepse po vijnë zgjedhjet për Parlamentin dhe institucionet evropiane. Nuk pres ndonjë dialog [deri në fund të janarit]”, thotë ai.

Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë u ndërlikuan edhe më shumë pas sulmit në Banjskë, në veri të Kosovës.

Më 24 shtator, grupe të armatosura serbësh atje sulmuan policinë e Kosovës, duke vrarë policin Afrim Bunjaku.

Përgjegjësinë për këtë sulm, Kosova ia hodhi Serbisë, por ajo e mohoi.

Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe në Kosovë, tha se ai e ka organizuar sulmin dhe se për të nuk e ka njoftuar askënd.

Në fillim të dhjetorit, me kërkesë të Kosovës, Organizata Ndërkombëtare e Policisë, INTERPOL, lëshoi fletarrestim për Radoiçiqin.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG