Ndërlidhjet

Zjarret vazhdojnë të përhapen në Los Anxhelos


Një shtëpi plazhi e përfshirë nga flakët në Malibu, Kaliforni. 8 janar 2025.
Një shtëpi plazhi e përfshirë nga flakët në Malibu, Kaliforni. 8 janar 2025.

Zjarret që kanë shpërthyer përreth Los Anxhelosit janë përhapur edhe në Hollivud Hills. Kjo fatkeqësi natyrore ka shkaktuar vdekjen e së paku pesë personave dhe shkatërrimin e qindra shtëpive.

Më shumë se 100.000 persona janë urdhëruar që të evakuohen, përderisa erërat e fuqishme po pengojnë punën e zjarrfikësve për të shuar zjarret, por edhe po përhapin flakët.

“Kjo stuhi zjarri është një e madhe”, tha kryetarja e Los Anxhelosit, Karen Bass gjatë një konference për media.

Imazhe satelitore të realizuara nga Planet Labs PBC të zjarreve në Los Anxhelos të Kalifornisë më 8 janar 2025.
Imazhe satelitore të realizuara nga Planet Labs PBC të zjarreve në Los Anxhelos të Kalifornisë më 8 janar 2025.

Një vatër e re zjarri ka shpërthyer në Hollivud Hills të mërkurën mbrëma, tha shefi i zjarrfikësve, Kristin Crowley, duke detyruar më shumë banorë që të evakuohen.

Në Los Anxhelos aktualisht janë të paktën gjashtë vatra aktive zjarri.

Katër nga to janë 0% nën kontroll, thanë zyrtarët shtetërorë, përfshirë vatra të zjarrit në krahun lindor dhe atë perëndimor të qytetit që po vazhdojnë të digjen.

Departamenti i zjarrfikësve në Los Anxhelos ka lëshuar urdhra për evakuimin e banorëve nga zona brenda Hollivud Bulevard në jug, në Mulholland Drive në veri, në autostradën 101 në lindje e deri në Lauren Kanion Bulevard në perëndim.

Brenda kësaj zone gjendet Teatri Dobly, ku mbahet ceremonia e çmimeve Oscar. Nominimet për Oscar, që ishin paraparë për javën e ardhshme, janë shtyrë për dy ditë për shkak të zjarrit, thanë organizatorët.

Në pjesën perëndimore të Los Anxhelosit, autoritetet thanë se janë djegur 6.406 hektarë dhe qindra struktura. Ndërkaq, në lindje janë djegur 4.289 hektarë, 1.000 struktura dhe janë vrarë të paktën pesë persona, thanë zyrtarët.

Tre persona, po ashtu, janë arrestuar për plaçkitje, sipas policisë.

Dëmet e shkaktuara nga zjarri dhe humbjet në ekonomi vlerësohet të jenë miliarda dollarë.

“Ne po përballemi me një fatkeqësi natyrore të përmasave historike”, tha drejtori i menaxhimit të emergjencave në Los Anxhelos, Kevin McGowan.

Edhe pse parashikuesit e motit kanë paraparë që fuqia e erërave do të bjerë, kushtet e rrezikshme atmosferike pritet të vazhdojnë deri të premten.

Pothuajse 300.000 shtëpi dhe biznese mbetën pa rrymë në Los Anxhelos të mërkurën, teksa shkollat janë të mbyllura.

Përmasa e zjarreve ka bërë që zjarrfikësit të përballen me vështirësi dhe të punojnë përtej kapaciteteve të tyre. Zjarrfikës nga gjashtë shtete të tjera janë nisur drejt Kalifornisë për të ndihmuar në shuarjen e zjarreve.

Zjarret në pjesën perëndimore të Los Anxhelosit.
Zjarret në pjesën perëndimore të Los Anxhelosit.

Zjarrfikësit në Los Anxhelos kanë thënë se tani po përballen edhe me mungesë të ujit, teksa po vazhdojnë përpjekjet e tyre për shuarjen e vatrave të zjarrit.

Presidenti amerikan, Joe Biden, i ka shpallur zjarret fatkeqësi të madhe. Në ditët e tij të fundit si president i SHBA-së, ai ka anuluar një udhëtim për në Itali, në mënyrë që të përqendrohet në drejtimin e përgjigjes të institucioneve federale në shuarjen e zjarreve, tha Shtëpia e Bardhë.

Shkencëtarët kanë thënë se ndryshimet klimatike, të nxitura nga njeriu, po bëjnë që ngjarje të motit ekstrem të jenë më të shpeshta, më intensive dhe të zgjasin më shumë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG