Transferimi i Pantiqit,"në bashkëpunim me partnerët tanë"
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, njoftoi se ish-polici serb, Dejan Pantiq - arrestimi i të cilit më 10 dhjetor nxiti ngritjen e barrikadave në veri - gjendet në një stacion policor afër Jarinjës. Ai tha se Pantiq është mirë me shëndet dhe po merr trajtimin e duhur.
Ministri Sveçla tha se transferimi i Pantiqit në një qendër paraburgim është prioritet për autoritetet dhe se për këtë kanë kërkuar edhe ndihmë nga partnerët ndërkombëtarë.
“Prandaj për ne mbetet prioritet transferimi i tij përmes bashkëpunimit me partnerët tanë”, tha ai
“Largimi i barrikadave e mundëson këtë transferim nga Policia e Kosovës, lehtë dhe sigurt”, tha Sveçla, duke shtuar se kërkesa për lirimin e tij është "e papranueshme" për Kosovën.
Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë për Sundim të Ligjit (EULEX) ka konfirmuar më 16 dhjetor për Radion Evropa e Lirë se ka marrë kërkesë nga institucionet e Kosovës për të ndërmjetësuar transferimin e ish-policit serb, Dejan Pantiq.
“Në linjë me mandatin e tij, EULEX po monitoron rastin e D.P”, u tha në përgjigje.
Pantiq dyshohet se ka organizuar sulmin e 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
*Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU
EULEX-i ende po shqyrton mundësinë e ndihmës në transferimin e Pantiqit
Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) tha se ende është duke e shqyrtuar mundësinë që të ndihmojë autoritetet e Kosovës për ta transferuar ish-policin Dejan Pantiq nga një stacion policor afër Jarinjës, në një qendër paraburgimi.
Megjithatë, ky mision i BE-së tha për Radion Evropa e Lirë se nuk është përgjegjës për mbajtjen në arrest të Pantiqit, i cili, sipas autoriteteve në Kosovë dyshohet për “sulmin terrorist” të 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.
EULEX tha po ashtu se një mjek i misionit, me kërkesë të një gjykatësi paraprak, ka ekzaminuar Pantiqin më 17 dhjetor.
Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU
Opozita fajëson Qeverinë për tensionet në veri
Opozita në Kuvendin e Kosovës e akuzoi Qeverinë për situatën në veri të vendit, ku, tash e dy javë, grupe të qytetarëve serbë kanë bllokuar rrugët.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, tha se situata në veriun e banuar me shumicë serbe është “jashtë kontrollit” për shkak të “veprimeve të papërgjegjshme” të Qeverisë së Kosovës.
Artikullin e plotë e gjeni më poshtë:
Lista e deputetit Muja "hedh benzinë në zjarr"
Deputeti i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, shkroi në profilin e tij në Facebook më 22 dhjetor se në Mitrovicë ekzistojnë “disa grupe kriminale” që, sipas tij, “sfidojnë edhe qytetarët e Kosovës, edhe shtetin e Kosovës”.
Përveç tyre, Muja përmendi me emra edhe disa individë, për të cilët tha se qëndrojnë prapa barrikadave të ngritura në veri, dhe shtoi se do të rekomandonte “arrestimin e tyre”.
Artikullin e plotë mund ta gjeni më poshtë: